Punësimi dhe mirëqenia nën një qeverisje të provuar

0
150

Nga Endrit Libohova

punesimAleanca për mirëqenie dhe punësim ka në bosht të vet kredibilitetin e një qeverisje që i tregoi frytet e saj në katër vite krize të paparë financiare dhe ekonomike të Eurozonës (2009-2013) dhe që mundësoi rritje ekonomike të pandalur (dhe pse në sasi të pakësuar) për Shqipërinë. Për të kuptuar çfarë rrezikonim me këtë krizë, mjafton të përmendim se kemi një sistem bankar të dominuar nga bankat bija të vendeve të Eurozonës. Kemi një tregti të jashtme të mbizotëruar në mbi 87 për qind të saj nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë Italia dhe Greqia. E para në gjendje staniacioni, mosrritje ekonomike dhe e dyta në krizë të thellë dhe teposje. Nga shumë analistë serioze të huaj mendohej se Shqipëria do ishte viktimë e lehtë, një viktimë e rënies së theksuar të performancës ekonomike të këtyre dy gjigantëve të rajonit tonë. Vetë Tim Judah, një analist i njohur britanik është shprehur “E mendoja Shqipërinë një viktimë të përsosur të sindromës së vëllezërve siamezë, për shkak të afërsisë së saj gjeografike me Greqinë dhe ndërlidhjes së saj me ekonomitë e Italisë dhe “të sëmurës” së Evropës”. Mendohej, jo pa arsye, se Shqipëria, me atë bazë aq të vogël dhe delikate zhvillimi ekonomik, do të rrokullisej. Kjo nuk ka ndodhur. Kriza e vendeve fqinjë ka pasur pasqyrim në ekonominë shqiptare, por nuk ka arritur ta gjunjëzojë ekonominë tonë. Në vitet më të vështira të krizës ekonomia shqiptare nuk ra në koncesion. Kjo është një arritje e madhe, që ndoshta ne, në morinë e halleve tona të përditshme, nuk e shikojmë të plotë. Por ajo duhet theksuar e provuar. Në programin e Aleancës për punësim dhe mirëqenie, që ka moralin e sigurimit të kësaj arritjeje, rritja e prodhimit vendas dhe punësimit do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë së ardhshme për katër vitet e ardhshme. Dhe punësimi përkthehet menjëherë në mirëqenie për familjet shqiptare. Pas suksesit të politikave ekonomike dhe fiskale në katër vitet e fundit, në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ruajtjen e rritjes ekonomike, mbajtjen nën kontroll të borxhit publik dhe inflacionit, heqja e taksave mbi çdo gjë që shërben për të rritur prodhimin dhe në funksion të tij nuk është masë parazgjedhore, por reformë që do të gjenerojë rritje ekonomike për këtë vit dhe sidomos vitet e ardhshme. Që ekonomia shqiptare të vijojë të rritet dhe shqiptarët të punësohen në vendin e tyre, janë jetike ndërhyrjet në dy drejtime themelore. Së pari, të nxitjes së prodhimit nëpërmjet heqjes së çdo takse e tarife për gjithçka i shërben atij direkt. Së dyti, ndërhyrja në drejtim të krahut të punës. Ndërhyrja e disa javëve më parë duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 për qind për pagat deri në 30 mijë lekë të reja dhe duke marrë përsipër përballimin e të gjitha taksave për tre vjet për punësimin e të rinjve janë reforma shumë të rëndësishme të krahut të punës, me ndikim të madh në punësim. Vlerësimet e ndërkombëtarëve i japin të drejtë filozofisë dhe frymës së ndërhyrjeve në ekonomi të kësaj Aleance. Kështu, Bordi i Drejtorëve të FMN-së është shprehur jo më larg se një muaj më parë se: Shqipëria arriti me sukses të shmangë rënien ekonomike gjatë këtyre viteve të krizës”. Nëse ekonomia shqiptare arriti të ruajë rritjen ekonomike, të mos bjerë në recesion, të kontrollojë borxhin dhe inflacionin, si dhe të ruajë stabilitetin makroekonomik, kjo nuk është pak. Vendimet e paketës së fundit fiskale dhe platforma e Aleancës për punësim dhe mirëqenie janë mirëpritur nga biznesi dhe fermerët shqiptarë. Ka ardhur koha që mishi, qumështi, peshku apo midhja shqiptare, të kthehen në produkte të gatshme për eksport. Në katër vitet e fundit sfidues për shkak të pasojave të krizës, përgjithësisht eksportet e qëndrueshme shqiptare,  siç janë ato agro-industriale dhe të fasoneve janë rritur vit për vit,  me ritme të tilla rritëse mbi 10 për qind. Nëse duam të kemi këto ritme dhe për vitet në vijim, duhet t’i besojmë programit të Aleancës, që garanton vijimësinë e një qeverisjeje të suksesshme në ekonomi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency