AK, e vetme në zgjedhje: Jo në koalicion me parti greke. PS: Shqiponja doli sorrë

0
158

Gëzim Saliu

akSpahiu: Me PS-në mund të bëjmë koalicion paszgjedhor, kur grekët të mos kenë asnjë deputet në Kuvend

 

Aleanca Kuq e Zi ka vendosur të konkurrojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, ka bërë të ditur dje në limitet e kohës për regjistrimin e koalicioneve partiake paraelektorale vendimin e marrë, duke theksuar se forca që ai drejton nuk mund të përfshihej në koalicionin e majtë, ku bën pjesë PBDNJ-ja e Vangjel Dules. “Këto ditë nuk kemi reshtur nga negociatat për t’u bërë pjesë e një fronti tërësisht opozitar, jo mbi doktrina politike. Personalisht, larg çdo paragjykimi kam kontaktuar çdo lider politik të spektrit opozitar. Me bindje të plotë kemi punuar me qëllimin e vetëm për domosdoshmërinë e një rotacioni politik, ku të gjithë kundërshtarët e këtij regjimi të mblidheshin, të bashkoheshin në një kauzë, sjelljen e një filozofie të re që do ndryshonte Shqipërinë. Shqiptarët kërkojnë shpresë, jo ndryshim xhaketash në pushtet. Me këtë qëllim propozuam dje disa kërkesa që lidhen me një ndryshim thelbësor të standardeve dhe të ardhmes së Shqipërisë. Në kauzën e AK-së është realizimi i aspiratës për bashkim kombëtar. Për hir të prezencës së një partie greke ne nuk mund të tradhtojmë kauzën e bashkimit kombëtar, se është një kauzë e cila nuk mund të tradhtohet”, – deklaroi Spahiu. Ky vendim është komentuar me jo pak kritika nga Partia Socialiste, ku deputeti i forcës më të madhe opozitare Saimir Tahiri ka deklaruar në rrjetin social FB se me këtë akt AK-ja bëri të ditur se është një sorrë. “Shqiponja Kuq e Zi doli një Sorrë… Kush nuk rreshtohet kundër Saliut sot, është (në heshtje), pro Saliut… Dhe në qoftë se goja të nxjerr vrer kundër Saliut, llogarit po i bën pro Saliut. KAQ! (për të mos thënë më shumë, se ka shumë për të thënë)…”.

 

Vendimi

Duke nënvizuar se AK synon të maksimalizojë votat për rrëzimin e mazhorancës aktuale, Spahiu tha se forca që ai drejton nuk mund të tradhtonte kauzën e saj për bashkimin kombëtar. “Shqipëria ka sot vetëm një kundërshtar, ky është shtetasi Berisha. Ne duam të maksimalizojmë votat për rrëzimin e Berishës. Por nëse AK do të tradhtonte kauzën e vet, kjo nuk do të ishte e drejtë, pasi shqiptarët nuk do ta konsideronin më një aleancë kuq e zi, por një aleancë të kuqe, bardheblu. Për këto arsye kemi vendosur që aleanca kuq e zi të mos garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, por të ketë aleancë popullin shqiptar dhe të gjithë kuqezinjtë”, – pohoi ai. Më tej, duke zbardhur detaje nga diskutimet me kryesocialistin Rama, kryetari i AK-së tha se gjatë negociatave me PS-në nuk ishte arritur marrëveshja për disa nga pikat, me të cilat Aleanca Kuq e Zi kishte kushtëzuar përfshirjen e saj në koalicionet parazgjedhore. “Kërkuam konsensus dhe koalicion për mbrojtjen e votës së lirë nga kasapi i votës së lirë, i cili ka masakruar çdo votë të shqiptarëve. Viktimë e kësaj vote të vjedhur ka qenë edhe zoti Rama, ia vodhën votat në sytë e ndërkombëtarëve se ishte fitues i kryeqytetit. Nuk mundet bardheblutë apo të kuqtë të numërojnë votat kuqezi. Për këtë arsye ne nuk mundëm të gjenim hapësira në ato tryeza ku numërohen votat. Kërkuam me bindje se kishte ardhur koha të hiqen barrierat me Kosovën. Kërkuam të kemi një Shqipëri evropiane, ashtu siç është emri dhe slogani i atij koalicioni, por dhe këtë nuk e gjetëm”, – u shpreh Spahiu. Nga ana tjetër, kreu i AK-së la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të majtën pas 23 qershorit, duke shtuar se në këtë kohë partia greke nuk do të ketë asnjë deputet në Parlament. “Ndoshta sot ka disa të zhgënjyer, që kanë pretenduar të ishim në një kamp apo në një kamp tjetër, kini besim se edhe bashkëpunimi do të vijë. Ne do pranojmë në çdo rast bashkëpunim me të gjitha partitë shqiptare, por do të vijë në datën 24, kur partia greke të mos jetë më në Parlament me asnjë deputet. Kemi 100 herë më shumë mbështetës dhe vota se grekët e Dules dhe ne do të prodhojmë një numër të konsiderueshëm deputetësh, duke shkuar atje me një kauzë, me një verdikt, me një program, duke nxjerrë njëherë e përgjithmonë PD-në nga skena politike, e cila ka thyer rregullat e Kushtetutës dhe të politikës”, – përfundoi deklaratën e tij kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

 

Regjistrohet në KQZ koalicioni i majtë

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, dorëzoi dje në KQZ dokumentin e nevojshëm për regjistrimin e koalicionin parazgjedhor “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Në një deklaratë për mediat, Gjonçaj bëri të ditur se pjesë e koalicionit opozitar janë 40 parti politike. “Koalicioni ka në përbërje 40 parti politike, të cilat do të garojnë së bashku për të bërë të mundur rilindjen shqiptare”, – deklaroi ai.

“Aleanca për Shqipërinë Evropiane”

Partia Socialiste e Shqipërisë, Edi Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Partia e Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule

Partisë Aleanca Popullore, Artur Dojaka

Partinë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati

Partia Demokracia Sociale, Paskal Milo

Partia Socialdemokrate, Skënder Gjinushi

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj

Partia Socialiste e Moderuar, Gjergj Koja

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, Marko Dajti

Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, Valentin Mustaka

Partia Ambientaliste, Nasi Buzheku

Partia Ardhmëria Shqiptare, Emin Subashi

Partia Bashkimi Republikan Shqiptar, Zane Llazi

Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet, Halim Seitaj

Partia e Çështjeve Shqiptare, Bujar Shurdhi

Partia e Gjelbër, Edlir Petanaj

Partia e Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafaj

Partia Reformatore Demokratike, Skënder Halili

Partia e Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri

Partia G99, Ervin Mete

Partia Komuniste Shqiptare, Qemal Cicollari

Partia Komuniste 8 Nëntori, Preng Çuni

Partia Kristian-Demokrate, Dhimitër Muslia

Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim, Nikolin Staka

Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, Astrit Kosturi

Partia Mendimi i Djathtë Liberal, Mustafa Liçi

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Ymer Kurti

Partia e Prosperitetit Demokratik, Yzeir Fetahu

Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara, Afrim Jeshili

Partia Rruga e Lirisë, Kurt Kola

Partia Shqiptare “Atdheu”, Kreshnik Osmani

Partia Social-Punëtore e Shqipërisë, Ramadan Ndreka

Partia Toleranca e Re e Shqipërisë, Avdi Keçi

 

 

 

Firmos edhe Gjinushi, PSD bëhet pjesë e koalicionit të PS-së

PSD-ja e Skënder Gjinushit ka firmosur dje marrëveshjen e bashkëpunimit paraelektoral me Partinë Socialiste. Marrëveshja është nënshkruar pa praninë e medias, në afatin e fundit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, mes sekretarit për koalicionet në PS Ndre Legisi dhe kryetarit të PSD-së Skënder Gjinushi. “Kam qenë dhe do mbetem aleat i PS-së”, – ka pohuar Gjinushi. Më parë kreu i PSD-së është shprehur jo pak kritik ndaj PS-së, kryesisht për aleancën me LSI-në si edhe ndaj kundërshtisë së shfaqur nga kryesocialisti Rama për të përfshirë emrin e tij në listën e kandidatëve të deputetëve të PS-së. Në marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar dje, PSD ka marrë garancinë për mbrojtjen e votës si edhe premtimin për një post ministror, premtim ky që mbetet në varësi të numrit të votave që do të marrë forca e drejtuar prej Gjinushit në 23 qershor.

 

Marrëveshje me PS-në, Milo: Rama më ka premtuar post ministror

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Parkal Milo, ka bërë dje të ditur se pjesë e marrëveshjes me kreun socialist Edi Rama është edhe premtimi për një post ministror pas zgjedhjeve të 23 qershorit. “Me Ramën kam nënshkruar marrëveshje para dhe paszgjedhore. Pranova ofertën pasi Rama më premtoi post ministror pas fitores”, – tha Milo në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Më tej, Milo deklaroi se PSD i ka propozuar PS 3 kushte për koalicionin, duke shtuar se ai nuk do të garojë në listat e PS, por se do të kryesojë listën e PDS në Qarkun e Tiranës. “Propozimet tona i kishim parashtruar që në muajin janar për marrëveshjen para dhe paszgjedhore. Kishim 3 propozime kryesore. E para që të gjendej një formulë bashkëpunimi jo e thënë drejtpërsëdrejti. E dyta, të kishte një bashkëpunim në çështjen e mbrojtjes së votës. E treta të mos kishte frymë negativiste gjatë zhvillimit të fushatës. Pra të mos ketë një frymë të tillë që të luftojmë njëri-tjetrin, siç u bë në vitin 2009”, – deklaroi kreu i PSD-së. Milo zbardhi edhe disa detaje nga diskutimet me kreun socialist Rama, ku theksoi se një propozim nga PS ishte edhe ai për shkrirjen e partisë dhe përfshirjen e emrit të tij në listën e kandidatëve të forcës më të madhe opozitare. “Ka pasur një kusht nga PS për pjesëmarrjen tonë në listat zgjedhore të PS që pas 24 qershorit ne të deklaronim shkrirjen e partive tona politike. Sigurisht që ne nuk u krijuam për t’u shkrirë në një ditë të bukur vere, jemi një parti e qendrës së majtë, me baza të qëndrueshme, me elektorat stabël, nuk mundet që me një të rënë të lapsit të eliminohet një parti, qoftë edhe për interesat personale të një kryetari. Një gjë të tillë nuk e pranova, prandaj u vonua kjo marrëveshje”, – tha Milo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency