Basha: PD do të fitojë më 23 qershor

0
174

bashaQeveria ka realizuar premtimet, megjithëse është gjendur nën dy trysni, atë të krizës ekonomike botërore dhe të gjendjes politike

Kryebashkiaku Lulzim Basha në një intervistë në emisionin “Debat” të televizionit “Channel One” është shprehur se Partia Demokratike do të jetë forca fituese në zgjedhjet e 23 qershorit. Nisur nga bilanci dhe arritjet gjatë e qeverisjes së mazhorancës së djathtë, kreu i bashkisë, Basha, deklaroi se PD gjatë këtyre 8 viteve ka një bilanc rekordesh përballë një mungese alternative të partisë tjetër, e cila në vitet e qeverisjes është parë shumë mirë nga qytetarët.

Deklarata

“Qytetarët kanë shumë arsye për të vazhduar me PD-në, së pari në këto 8 vite ka ndryshim më shumë se 100 vite të marra së bashku. Është i dukshëm përmirësimi i infrastrukturës. Nuk ka alternativë, dimë të dëgjojmë zërin e qytetarëve, në këtë pikëpamje ne jemi shumë realistë. Këto 8 vite janë vitet e futjes së Shqipërisë në NATO, me fundin e një izolimi përmes lëvizjes së lirë të qytetarëve. Votuesit shqiptarë bëjnë krahasime se çfarë ka ndodhur deri më tani, si dhe krahasojnë alternativën tjetër. Unë personalisht besoj se shqiptarët do ta bëjnë këtë bilanc. Partia Demokratike dhe aleatët shkojnë kokëlartë, pasi shkojnë në zgjedhje me rekorde”, – tha kreu i bashkisë, Basha.

Projektet

Sakaq, kreu i bashkisë foli edhe për projektet e Bashkisë së Tiranës, duke nisur që me projektin për zgjatimin e bulevardit “Zogu i Parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Basha tha se pas miratimit të grantit të dhënë nga qeveria e Katarit hapet rruga për nisjen e fazës së parë të punimeve, ku shumë shpejt do të ketë zhvendosje të shtyllave të tensionit dhe hekurudhës. Sakaq, në të gjithë qytetin kanë nisur punimet për rehabilitimin dhe shtrimin e një sërë rrugësh.

 

Punësimi

Bashkia, ndihmë në kualifikim dhe sipërmarrje për 353 të rinj

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bankës Botërore, u ka mundësuar 353 të rinjve të kryeqytetit të marrin një profesion dhe të hapin një biznes të ri. Pasi kanë përfunduar kurset profesionale, shumë të rinj kanë arritur të gjejnë menjëherë një punë apo të vetëpunësohen si rrobaqepës, elektricistë, pastiçierë, këpucarë etj. 142 të rinj janë trajnuar se si të fillojnë një biznes të ri, 30 të rinj me planet më të mira të biznesit kanë përfituar një grant prej 2500 dollarësh. Në një aktivitet të veçantë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ndërsa u ka shpërndarë certifikatat dhe çeqet e grantit të përfituar këtyre të rinjve, ka dëgjuar edhe eksperiencat e disave prej tyre, që sot kanë bërë ëndrrën realitet.

 

Basha

Premio për kampionët e Evropës dhe Shqipërisë në peshëngritje dhe volejboll

Ashtu siç e ka bërë tashmë traditë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të shpërblejë edhe kësaj here kampionët e klubit “Tirana”. Në një takim me kampionët e peshëngritjes Romela Begaj e Daniel Godelli dhe ekipin e volejbollit të femrave, z. Basha u ka premtuar premio të veçanta për rezultatet e arritura me fanellën e kombëtares dhe me atë të klubit “Tirana”. Dy peshëngritësit e klubit “Tirana”, Romela Begaj dhe Daniel Godelli, në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë, morën nga tri medalje secili. Peshëngritësja Romela Bega do të përfitojë kësaj here premion e dytë nga kryebashkiaku Basha, pas asaj si nënkampione Evrope, kohë në të cilën bashkia rikonstruktoi tërësisht dhe palestrën ku stërvitet Romela dhe përfaqësuesja e Shqipërisë në peshëngritje. Premio të veçantë do të marrë edhe ekipi i volejbollit të femrave, e cila u shpall kampione e Shqipërisë një ditë më parë. Kreu i bashkisë, Lulzim Basha, i ka garantuar se vëmendja dhe mbështetja ndaj sportit do të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në kurorëzime kampionësh. Ekipi i peshëngritjes i ka dhuruar kryebashkiakut Basha fanellën e kombëtares shqiptare, e cila u përfaqësua me dinjitet në kampionatin evropian të peshëngritjes.

 

Bashki

Dorëhiqet Petrit Vasili si nënkryetar i bashkisë

Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike. Një ndër largimet nga postet zyrtare pas aleancës PS-LSI, ka qenë ditën e djeshme edhe ajo e z Petrit Vasili, i cili ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Mësohet se Vasili ka informuar kreun e bashkisë, z. Lulzim Basha, përmes një letre ku theksohet: “Angazhimi im elektoral ka qenë edhe motivacioni për marrjen e këtij vendimi”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency