Të përndjekurit dhe të burgosurit politikë, thirrje spektrit të djathtë: Bashkohuni për fitoren

0
155

Gëzim Saliu

perndjekuritShoqata e të Përndjekurve dhe e të Burgosurve: E majta denigruese, ne votë për të djathtën

 

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dhe ajo e të Burgosurve Politikë të Shqipërisë deklarojnë se e majta shqiptare ka denigruar dhe po mbështetet vetëm në propagandë elektorale lidhur me premtimet e saj për këtë shtresë. “U bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë koalicion të madh të forcave të djathta, në të mirë të kombit dhe të atdheut”, – thuhej në deklaratë.

 

Reagimi

Sipas këtyre shoqatave, e djathta shqiptare është e vetmja alternativë për mbrojtjen e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Në këtë kontekst ata bënë thirrje për bashkimin e FRD-së së kryesuar nga Bamir Topi me PD-në. “Ne, përfaqësuesit e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Kulakë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Musine Kokalari”, Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Osman Kazazi” të mbledhur sot, më datën 10 prill 2013, pasi shqyrtuam situatën politike në të cilën po kalon vendi ynë, dolëm me përfundimet e mëposhtme: 1. Në kuadrin e fushatës elektorale, që sapo ka filluar, duke ndier rrezikun e propagandës denigruese të forcave të majta, u bëjmë thirrje partive të koalicionit të forcave të djathta të udhëhequra nga Partia Demokratike dhe drejtuesve të Partisë Fryma e Re Demokratike, të hedhin pas krahëve mosmarrëveshjet e deri tanishme dhe të bashkohen në një koalicion të vetëm, për një fitore të bujshme të së djathtës shqiptare, në shërbim të demokracisë dhe integrimit evropian të vendit. 2. U bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë koalicion të madh të forcave të djathta, në të mirë të kombit dhe të atdheut”, thuhej në deklaratë, e cila është nënshkruar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqata e të Burgosurve politike, Shoqata e të Përndjekurve Politikë Kulakë të Shqipërisë, Shoqata e Të Përndjekurve Politikë “Musine Kokalari” dhe Shoqata Mbarëkombëtare e të Përndjekurve. Ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha akuzoi kryesocialistin lidhur me premtimet e tij për ish-të përndjekurit, duke theksuar se alternative e së majtës kthen vendin pas në kohë. Ai bëri të ditur se skema e re e qeverisë do të zgjerojë grupin e ish-të përndjekurve. Sipas Berishës, për moshën mbi 75 vjeç dëmshpërblimi do të kryhet brenda vitit. Ndërkohë që opozita ka akuzuar mazhorancën se nuk ka zgjidhur çështjen e ish-të përndjekurve. Kryetarja e grupit të punës për të përndjekurit politikë në PS, ka bërë të ditur pak kohë më parë se çfarë parashikon programi i socialistëve lidhur me këtë shtresë. “Programi i Partisë Socialiste për ish të përndjekurit politikë i hartuar përgjatë një viti në këshillim intensive me grupet e interesit shtrihet në tre rrafshe kryesore, atë ekonomik, moral dhe social. Skema jonë e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zbatojë një shpërblim prioritar në varësi të moshës ku: Në vitin e parë të qeverisjes socialiste do të dëmshpërblehen të gjithë ish të burgosurit, gra mbi 70 vjeç, burra mbi 75 vjeç. Brenda 2 viteve në vijim, do të dëmshpërblehet pjesa tjetër e ish të burgosurve politikë. Ndërsa në dy vitet e tjera, do të vijojë dëmshpërblimi i trashëgimtarëve të të pushkatuarve dhe ish të burgosurve politikë”.

 

 

Nënshkruesit e deklaratës

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë – Simon  Mirakaj

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë – Besim Ndregjoni

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Shqipërisë – Tanush Kaso

Shoqata e Të Përndjekurve Politikë “Musine Kokalari” – Agim Musta

Shoqata e të Përndjekurve Politikë Kulakë të Shqipërisë – Vllas Arapi

Shoqata Mbarëkombëtare e të Përndjekurve – Adem Hallçi

 

 

Elbasan, Rama: Janë humbur 51 mijë vende pune

Partia Socialiste ka zhvilluar ditën e djeshme në Elbasan një tryezë për ekonominë, ku gjatë fjalës së tij kreu socialist Edi Rama e ka vënë theksin tek papunësia, faktori që sipas tij po rëndon çdo ditë e më shumë ekonominë shqiptare. “Gjatë tre viteve të fundit janë humbur 51 mijë vende pune, ndërkohë që në rang vendi ka rreth 1 milionë të papunë”, – deklaroi Rama. Ndër të tjera, kreu i opozitës ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, i cili sipas tij në këto vite ka qenë i ulët, edhe pse potenciali për ta realizuar është i madh. “Afrimi i legjislacionit tregtar me Kosovën është i mundshëm dhe do të na japë mundësi që të shikojmë atë që nuk kemi parë. Na jep mundësinë ta konceptojmë hapësirën midis dy vendeve si një mundësi mirëqenieje dypalëshe. Bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk quhet fakt kur kemi një qeveri dhe një mbret të përbashkët, por është një vision për një shkrirje të hapësirës së përbashkët për shkëmbime tregtare, kulturore dhe shpirtërore. Ky është mendimi i komunitetit evropian”, – pohoi Rama. Në këtë takim nga radhët e PS kanë marrë pjesë edhe deputetët Arben Ahmetaj, sekretari për programin Ilir Beqja dhe deputetja Mimi Kodheli.

 

Topi: Koalicionet e pamoralshme nuk e përfshijnë FRD-në

Kreu i FRD-së Bamir Topi ka dënuar sërish dje aleancat e pamoralshme politike.
Sipas tij, jo vetëm dy partitë më të mëdha në vend, por edhe forcat e tjera politike, janë hedhur në tender për realizime të koalicionit të çastit, duke garantuar se FRD do t’i mbetet parimeve. “Ne asnjëherë nuk do të ndikohemi për të rregulluar pozicionin e politikanëve tanë në parlament duke shkuar në aleanca të cilat së pari nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve”, – tha Topi. Gjatë prezantimit të programit të Frymës së Re Demokratike për Rininë, Bamir Topi nxiti gjeneratën re të bëhet pjesë aktive e ndryshimit të politikës aktuale për të ndryshuar mentalitetin e saj. “Brenda kësaj kaste politikanësh ende ka inertësi të dukshme të mentalitetit komunist”, – u shpreh ai. Më tej Topi tha se Fryma e Re Demokratike është parti që mbështet ndërtimin e shtetit për qytetarët dhe jo pushtet vetëm për të rregulluar karrierat politike të njerëzve të saj, filozofi që për fat të keq tha ai, përfaqësojnë partitë e vjetra.

 

Milo prezanton Osmanin në Durrës: Mbetemi në opozitë

Kryetari i PDS, Paskal Milo, ka prezantuar dje kandidatin e kësaj partie për Qarkun e Durrësit. Për PDS në Durrës do të kandidojë Partizan Osmani. Milo është shprehur i sigurt se së në Durrës PDS do të mund të marrë një deputet. Lidhur me koalicionin e LSI dhe PS Milo është shprehur se në koalicionin opozitar ka vend edhe për parti të tjera. Sa i takon pozicionimit të PDS në koalicion me opozitën Milo ka deklaruar: “Do të mbetemi në kampin opozitar që mbart vlerat më të mira”.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency