Refleksione Kur Mustafa Kruja rrëfente mbretin në vogjlije e në rini

0
145

zoguIlirjan Gjika

Të anatemuar për një gjysëm shekulli shumë prej emrave të shquar të historisë shqiptare nuk e panë dritën e botimit gjatë viteve të ekzistencës së shtetit komunist. Po kështu, edhe në Shqipërinë postkomuniste, atyre ju desh përsëri një gjysëm shekulli për “t’u zbuluar nga pluhuri i harresës”. Më së fundmi vepra e tyre tashmë ka dalë në qarkullim edhe në tregun e botimeve, ku kontribut ka patur nga pothuajse të gjitha shtëpitë botuese. Pikërisht këto vepra përbëjnë lëndën kryesore të “rindërtimit” të Historisë së Shqipërisë të gjysmës së parë të shekullit XX-të. Këtë gjë mund ta themi pa frikë për vepra dhe emra të tillë të kulturës sonë si Eqrem Bej Vlora, Lumo Skëndo, Mehdi Frashëri, Tajar Zavalani, Kostë Çekrezi, etj.

Ndërkohë që një emër me autoritet në fushën e historisë është edhe ai i Mustafa Krujës, pjesëmarrës aktiv në disa nga zhvillimet më të rëndësishme të ngjarjeve të historisë së Shqipërisë, duke nisur që nga periudha e shpalljes se pavarësisë e deri në vitët e Luftës së Dytë Botërore.

Përveç atyre pak veprave të publikuara dikur dhe shkrimeve të vjetra publicistike, të botuara në gazetat dhe revistat e kohës, tashmë fenomeni i publikimit të veprës së plotë të tij, po na e sjell gjithmonë më të plotë jo vetëm figurën e Mustafa Krujës, por edhe kontributet e tij patriotike dhe intelektuale.

I tillë është edhe libri “Kujtime Vogjlije e Rinije”, botuar në Tiranë në vitin 2007. Libri është një pasqyrë e gjallë e Shqipërisë së fillim shekullit të XX-të dhe i disa prej personazheve kryesore të “skenës së mëvonshme politike” të saj. Midis tyre me një gjuhë të rrjedhshme dhe me një gegerishte letrare të kulluar dhe plot kolorit dhe shprehje, Mustafa Kruja, na jep një dëshmi shumë autentike edhe për një nga njerëzit më të shquar të historisë shqiptare të shekullit XX, Ahmet Zogut. Midis tyre ai shkruan.

…Tash pra, në të gjashtëtit rend të gjymnazit, gjithë mendimi i im ishte ngulum në Stamboll e në Shkollët Civile Mbretnore…..Vendosa të shkoj e t’a baj në stamboll rendin e fundëm të gjymnazit e t’i kaloj atje edhe pushimet e asaj vere për të mujtun me u vumë në të përpjekun me gjind qi mund të m’udhzojshin në përgatitjet për konkursin e ardhshëm. Këtë mendim nuk m’a kundrështuen sa Baba as Pasha ( Esat pashë Toptani ). Madje ky m’a pëlqeu fort. Në fund të verës 1906 qi, si gjithmonë, kalova në shtëpinë t’eme, u ngreta  e vojta ke Pasha për t’a përshëndetum e për të marrë kshillet e tia para se të nisesha për Stamboll. Ky më porosity me hëmë në kolegjët Nymyne-I Terakkij qi e drejtonte nji i ungji i së shoqes, Teëfik Danish beu, për të cilin më dha edhe nji letër . e u nisa për Stamboll ( Mustafa Merlika Kruja. Kujtime Voglije e Rinije. Tiranë 2007. Fq 140 ).

…Shqiptarë s’mbaj mend në kam gjetun n’atë kolegjë. Në gjymnazet e tjera të stambollit kishte plot, por unë s’dilshem  asnji herë përjashta. Mbas pak ditsh  na erdh nji djalë i vogël, flokverdhë, mjaft i hijshëm, veshun elegant, pastër e mirë, arristokratisht i mbyllët ( po aty, fq 142 ) . M’a suell një shërbtuer i kolegjës në baçë tek po shëtitshem me shokë:

-Qe, tha, nji djalë shqiptar; më çoi Z. Drejtori me t’a paraqitun e porositun qi t’a kesh kujdes ti.

Djali më përshëndeti me një temena e un i dhash dorën me dashuni. U dava shokësh e mbeta tue bisedue me të.

-Nga je, or djal’i mirë?

-Prej Matje.

-Prej Matje? Oh, sa mirë! Edhe un jam prej Kruje, pra jemi shokë. Si e ke emrin?

-Ahmet-Muhtar.

-Mue më thonë Mustafa-Asim; i bir’i kujt je ti?

-I bir’i xhemal Pashe Zogollit, e ti?

-Un i Metës së Fajës së Merlikës, i nip’i Xhiut të Fajës. Sa vjeç je?

-12 vjeç.

-Në të parin rend?

-Në të parin filluer.

-Un jam në të shtatëtin gjymnazit, sivjet mbaroj, sivjet mbaroj.

Gjithë ksaj vjete pra jemi bashkë, për çdo nevojë qi të kesh eja ke unë si ke një vëlla.

Shoqni nuk mund të bajshim njani me tjetrin, ndryshimi i moshës ndërmjet nesh ishte tepër i madh. Por u shihshim për ditë në baçë e u përshëndetshim. E pyetshem shpesh në se kishte ndonji nevojë për mue. S’kishte kurrë. Studjonte mirë. Ma të shumën i pëlqente vetmija. S’u zdate me kurrkend ( po aty, fq 143 ).

2

Ndërkohë që një tjetër e dhënë interesante për emrin e Ahmet Zogut na e jep Banka E Shqipërisë. Në vitin 2002 me rastin e 77 vjetorit të krijimit të Bankës Kombëtare Shqiptare, Banka e Shqipërisë publikoi Katalogun e Monedhës Kombëtare Shqiptare, me titull ‘’Monedha dhe Kartëmonedha Shqiptare nga Lashtësia Deri 2002’’. Midis parave të kohëve të ndryshme të publikuara në të, në faqet 215, 216, 219 dhe220, na jepet disa monedha të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipërisë në vitet 1926-1927. Monedhat janë franga ari të prerjeve të ndryshme, por ajo që na intrigon është emri i stampuar në to. Çuditërisht në këto monedha është stampuar emri i presidenti të atëhershëm të republikës, Ahmet Zogu. Pra, numizmatika na jep një tjetër formë të emrit të përdorur nga Ahmet Zogu.

Të çuditshme por të vërteta. Dy dëshmi të patrajtuara më parë. Njëra nga kujtimet historike dhe tjetra nga “thesari” i bankës. Sidoqoftë refleksionet nuk do te ndalen këtu. Të tjerë studjues mund të na sjellin dëshmi të tjera edhe më interesante jo vetëm për jetën e Mbretit Zog, por edhe për personazhe të tjerë. E tillë është historia.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency