Lehtësohet tregu, Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për shkëmbimet me përmbajtje aflatoksine

0
155

doganTregjet e Bosnje-Hercegovinës po e rrisin kërkesën për prodhimet shqiptare, si perime, fruta dhe vaji i ullirit

 

Për herë të parë Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kanë nënshkruar një marrëveshje në fushën e veterinarisë. Marrëveshja në fjalë ndërmjet dy qeverive është firmosur nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli dhe nga Mirko Šarović, ministër i Tregtisë me Jashtë dhe Marrëdhënieve Ekonomike. Gjatë takimit që patën në Tiranë dhe bisedimeve të bëra, të dy ministrat vunë në dukje se ishte dëshira e mirë dhe nevoja për të lehtësuar shkëmbimet mes tregjeve dhe prodhuesve të dy vendeve që solli aplikimin dhe miratimin e kësaj marrëveshje. Konkretisht, tashmë do të ketë lehtësi të dukshme dhe të kontrolluara të qarkullimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore, çka parandalon direkt përhapjen e sëmundjeve infektive të kafshëve dhe produkteve shtazore të pasigurta. Ministrat Ruli dhe Šarović u ndalën dhe te zhvillimet e viteve të fundit që janë vënë re në dy vendet tona. Kështu, rritja e shkëmbimeve tregtare ishte një ndër temat kryesore në bisedimet mes ministrave dhe stafeve të tyre.

 

Deklarata

 

“Vendet dhe ekonomitë tona nuk janë më dy planetë që qëndrojnë larg, përkundrazi shkëmbimet tregtare nga viti në vit rriten. Shkëmbimet tregtare me Bosnjën prezantojnë rreth 14% të shkëmbimeve që ne kemi me vendet e CEFTA. Pjesën e luanit të importeve tona nga Bosnje-Hercegovina e kanë produktet e sheqerit. Ndërsa në këto vite kemi eksportuar me sukses fruta, perime dhe sasi të konsiderueshme vaj ulliri. Dy vendet tona, padyshim që kanë një rrugë të vështire, duhet të integrohemi në BE. Duhet të shkëmbejmë më shumë informacion, për potencialet e mundshme tregtare. Padyshim Dhomat e Tregtisë duhet të punojnë më shumë këtu, por dhe ne si ministri duhet të japim kontributin tone. Marrëveshja e sotshme në fushën veterinare është një arritje e madhe. Në këto dy vitet e fundit, unë kam qenë vetë përshpejtues i lidhjes së marrëveshjeve të tilla me të gjitha vendet e CEFTA-s. Shkëmbimi i informacionit mbi shërbimet veterinare, mbi lëvizjet e kafshëve dhe sëmundjeve, funksionimi i sistemit të paralajmërimit në raste epidemish, koordinimi mes autoriteteve përgjegjëse për sigurinë ushqimore, bashkëpunimi ndërmjet laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe komponentë të tjerë janë pjesë e kësaj marrëveshje”, – tha ministri Genc Ruli. Duke marrë si shembull rastin e zhurmës që u bë në gjithë rajonin e Ballkanit për praninë e aflatoksinës në qumësht, ministri Ruli theksoi se janë pikërisht këto marrëveshje që parandalojnë përhapjen e panikut dhe sigurojnë konsumatorët. “Mendoj që po të kishim pasur një bashkëpunim funksional që më parë në këtë drejtim dhe i ashtuquajturi problem i kontaminimit të qumështit të gjithë rajonit tonë me aflatoksinë nuk do ishte përdorur për qëllime të pandershme tregtare sikundër ishte dhe rasti. Ne me një përpjekje të përbashkët dhe të koordinuar mes gjitha vendeve do të kishim garantuar edhe prodhuesit tanë, por edhe konsumatorin për faktin që prodhimet tona janë të sigurta dhe të shëndetshme. E vlerësoj shumë deklaratën e përbashkët të bërë në Beograd nga një pjesë e madhe e ministrave të Bujqësisë në lidhje me këtë problem, pasi ishte një deklaratë që shprehte përgjegjësinë e autoriteteve të këtyre vendeve ndaj prodhuesve dhe konsumatorëve. Besoj që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mes vendeve tona s’do ketë më jehona të tilla. Do ju nxis si ministër që të çojmë më tej procesin e negociatave për të nënshkruar protokollin shtesë të CEFTA-s”, – tha ministri i Bujqësisë.

 

Takimi

 

Gjatë takimit në Tiranë, të dy ministrat vunë theksin në rritjen e shkëmbimeve tregtare, tendencë që konfirmohet në zhvillimet e fundit. Tregjet e Bosnje Hercegovinës po e rrisin kërkesën për prodhimet shqiptare si perime, fruta dhe vaji i ullirit. Kjo është marrëveshja e parë zyrtare që rrit sigurinë ushqimore dhe veterinare, por shumë shpejt do të ketë dhe marrëveshje të ngjashme që do të mundësojnë rritjen e shkëmbimit të informacionit të institucioneve të ndryshme, shkëmbimin e të dhënave online dhe të analizave apo rezultateve të laboratorëve të sigurisë ushqimore.

 

 

 

AKU, kontrolle të rrepta për miellin

 

Pas ndalimit që i është bërë miellit kosovar nga doganat shqiptare Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po kontrolle në pikat doganore. AKU do të bëjë monitorimin e rreptë në pikat kufizuara lidhur me përmbajtjen e aflatoksinës në miell. Midis këtyre masave janë përfshirë dhe shumë biznese në vendin tonë ku disa mësohet se janë gjobitur nga Autoriteti i Ushqimit. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjobat kanë qenë për cilësi të ulët të miellit, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe për kushtet tekniko-teknologjike. Penalizime ka pasur edhe për kushtet e ambalazhimit dhe etiketimit. Bazuar në planin e inspektimit të furrave të bukës, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë periudhës 13 shkurt – 1 mars 2013 kanë kryer 513 inspektime me objekt “Kontrollin mbi kushtet e përgjithshme dhe specifike të higjienës, kushtet tekniko-teknologjike, ambalazhimin dhe etiketimin, standardet e përdorura për prodhimin e bukës”. Këto inspektime janë kryer në 12 qarqe të vendit dhe për çdo shkelje të konstatuar janë vendosur penalizimet apo rekomandimet përkatëse ligjore. Gjatë kontrolleve janë marrë rreth 60 mostra për analizimin e lagështirës, ujit, kripës së jodizuar cilësisë së miellit. Në fillim të muajit Mars ka hyrë në fuqi dhe udhëzimi i fundit i ministri të Bujqësië Genc Ruli për rritjen e kontrollit ushqimor në tregjet e vendit, mallrave të importuar dhe veçanërisht të produkteve që preken nga aflatoksina.

 

 

AKEP do të monitorojë tregun e konkurrencës

 

Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike duhet të bëhet pjesë e mbikëqyrjes së konkurrencës në treg, bashkë me institucione të tjera. Kjo është një ndër pikat e projekt-rezolutës që komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka bërë pas miratimit të raportit vjetor të këtij autoriteti. Në rezolutë kërkohet që AKEP të vendosë për kushtet e konkurrencës në treg mes operatorëve të telefonisë dhe shërbimeve postare. Njëherësh në këtë rezolutë kërkohet garantimi i mbarëvajtjes në tregun e telekomunikacionit, transparencë e shërbimeve, të rritet shtrirja telefonisë fikse. Po kështu edhe kryerja e analizës në treg nga AKEP për cilësinë e shërbimeve dhe një reduktim të tarifave gjatë vitit 2013.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency