Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

0
221

Flora Xhemani Baba

 

krujaËshtë e habitshme se si sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht, qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos pluhurosin rrugët e Krujës për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. Është mëkat i madh, në fakt, masakrimi total i peizazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi Urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushë-Krujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu – i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë. Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin albanët, pleuratët, enkeljetë, adrianët, labeatët e arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë, shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.

Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.

 

Tek portat e Krujës

Makina medoemos duhet të qëndrojë poshtë, e sido që të përpiqemi t’i afrohemi rrezes së kalasë mbi rrota, nuk shkojmë dot më larg sesa tek parkimi me pagesë tek sheshi i vogël i mbushur me lokale e me lule kacavjerrëse. Kalldrëmin e bukur do ta përshkojmë në këmbë, duke kullotur sytë në tezgat e shumta përgjatë të dy anëve të rrugës, të cilat vazhdojnë nëpër tunel, e dalin në oborrin e jashtëm, ose më mirë të themi në sheshin e mbushur dingas me njerëz, tezga, suvenire, restorante, shkrepje aparatesh, vizitorë që pozojnë pa fund ballë fasadës së Muzeut Historik, e gjithçka tjetër që përbën gjallërinë e nevojshme të një qendre turistike. Restorante të shumtë kanë mbushur këtë shesh përqark dhe brenda ambienteve të kalasë, e kjo është një gjë e trishtueshme po të mendosh se shumicën e njerëzve mund t’i ketë sjellë këtu kuzhina e mrekullueshme e Lulit, në restorantin e tij Alba, apo gatimet me famë të restorant Bardhit e kështu me radhë. Por ana e mirë e kësaj dukurie që rëndom po përhapet në sitet kulturore shqiptare është se këto restorante e hotele, përpiqen të mos shkatërrojnë peizazhin ose dukjen e arkitekturës, duke ruajtur shumë prej elementeve të ndërtesave ekzistuese, qeramikë, gur, dru, hekur i rrahur etj. Oborri i Albës ku hyjmë të pimë një kafe, ndërkohë që na pret krahëhapur i zoti i shtëpisë, nuk ka ndonjë ndryshim nga kalldrëmi i jashtëm i sheshit e gjithashtu veshja e mureve me tullë, tavolinat e zbukuruara me mbulesa të punuara me dorë po nga artizanet e Krujës, e ruajnë më së miri dukjen shqiptare. Gama e shijeve në kuzhinën e restorantit ndahet çuditshëm mes preferencave të shqiptarëve për pica e dëshirës së të huajve për tavë dheu, kabuni, apo mish të pjekur në hell. Kjo është një gjë që ndodh gjithmonë, thotë Luli. Të huajt kërkojnë kuzhinë shqiptare dhe më pyesin vazhdimisht për vende ku duan të shkojnë të shohin diçka. Fundja ata për këtë kanë ardhur. Nëse nuk janë pjesë e një grupi, duan që t’i çosh në Sarisalltik, nganjëherë edhe deri në Qafështamë ose kërkojnë informacione për Muzeun Etnografik, duan të dinë se çfarë mund të blejnë poshtë tek pazari që të jetë me vlerë.

 

Një shëtitje në Pazarin e Vjetër

Në fakt, tek shihnim të dy anët e mbushura të Pazarit të Vjetër, plot me objekte të pluhurta, gjyma, xhezve, mullinj kafeje, djepa fëmijësh, tepsi bakri, për të mos folur për monedhat e bizhutë e shumta prej bakri e argjendi, syri na shkonte tek gratë brenda dyqaneve që thurnin në tezgjah qilima, çanta e tapete të vegjël prej leshi dhe tek veshjet e mrekullueshme popullore me motive të panumërta zbukuruar me ar dhe argjend. Është e trishtueshme të mendosh se kinezëritë e shumta që mbushin sot dyqanet e suvenireve nëpër qytetet turistike apo edhe në kryeqytet, mund ta mbysin një ditë edhe Krujën dhe punën e palodhur të këtyre grave që çdo gjë e nxjerrin nga duart e që pashmangshmërisht do të kushtojë shumë më shumë sesa stemat me shqiponjë apo suveniret prej pleksiglasi që dalin në seri prej fabrikave turke apo kineze me simbolet shqiptare përsipër.

Por shëtitja përgjatë Pazarit, na qetëson hëpërhë, teksa shohim produktet që edhe kur janë të reja e nuk vijnë prej shekujve, prodhohen ende në kthinat e këtyre dyqaneve shekullorë që kanë ndërruar vetëm artizanët, njerëz të ulur mbi punën e tyre, duke prodhuar qeleshe, filigran, duke gdhendur dru apo duke thurur çorape.

 

Muzeu dhe Skënderbeu

Muzeu i Krujës është vazhdimisht plot, jo vetëm me grupe turistësh por edhe me individë, e nganjëherë edhe me nxënës shkollash. Ky qytet, i cili pavarësisht vuajtjeve ambientale, vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje, mund të jetë një nga qytetet turistike më të vizituar në Shqipëri, jo thjesht për faktin se ndodhet pranë kryeqytetit (vetëm 32 km larg), por edhe sepse ka aftësinë të të zhvendosë në kohë, e të bën të ndihesh banor i një epoke tjetër.

Kjo është ndoshta edhe arsyeja më e madhe që ne ndërmorëm kohët e fundit një projekt të rëndësishëm për këtë qytet, realizimin e një guide turistike, që kishte kohë që i duhej dhe i mungonte Krujës. Stafi i palodhur i Muzeut “Gjergj Kastrioti” na ndihmoi shumë në këtë drejtim, fillimisht duke na inkurajuar që ta çonim përpara këtë nismë, sepse qindra turistë që vinin në Krujë, kishin dëshirë të merrnin me vete më shumë sesa kartolinat apo suveniret, ata donin të merrnin me vete historinë e saj të shkruar. Dhe kur u rikthyem në Krujë me pasaportën e saj turistike në dorë, nuk mund të përshkruhej gëzimi i drejtorit të Muzeut Historik dhe djemve ciceronë, që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me turistët guidëkërkues. Tashmë mund të ishim të kënaqur se ia kishim shlyer një “borxh” Krujës.

 

Duke jetuar në mes të metropolit apo kudo qoftë, nuk mund të lësh pa vizituar një qytet, i cili në një rreze prej pak kilometrash, të bën të jetosh dy periudha të ndryshme kohe, Antikitetin e herët që flet përmes gurëve të mëdhenj të Albanopolisit dhe Mesjetën, e cila për shqiptarët ka falur jo pak lavdi e histori, sidomos në vitet e arta kur jetoi Skënderbeu – Gjergj Kastrioti.

 

Krujë, mars 2013

 

Info

Largësia e Tiranës nga Kruja është 32 km

Nëse udhëtoni me mjete publike, furgonët për në Krujë nisen në fund të rrugës “Mine Peza”. Rruga për në Krujë kalon nga kryqëzimi i Kamzës, Ura e Tapizës, merr djathtas për në Fushë-Krujë, pasi keni lënë autostradën Tiranë-Lezhë dhe pasi jeni futur në zonën e Fushë-Krujës, vazhdoni në dalje drejt lindjes. Pak para se t’i ngjiteni malit, në të djathtë ndodhet qyteti ilir i Albanopolisit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency