Deklarata e Penianit vijnë kur Koreja e Jugut përkujton 3-vjetorin e tragjedisë së luftanijes “Ceonan”, mbytja e të cilës shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve
“Nga ky moment, Komanda Supreme e Ushtrisë Popullore të Koresë do të vendoset në pozicionin ushtarak numër 1. Njësitë tokësore të artilerisë dhe njësitë e lëshimit të raketave do të vënë në shënjestër të gjithë objektivët armiqësorë, në të gjitha bazat ushtarake në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Havai dhe Guam”. Kjo ishte deklarata e bërë dje nga Koreja e Veriut që ditën e djeshme frikësoi opinionin botëror. Koreja e Veriut nuk heq dorë nga kërcënimet. Udhëheqja në Penian kërcënoi me sulm SHBA-në, si dhe bazat e saj ushtarake në Paqësor. Ushtria është vënë në gatishmëri të plotë. Koreja e Veriut, sipas të dhënave të veta, ka vënë në gatishmëri të plotë luftarake të gjitha njësitë e artilerisë. Mediat shtetërore njoftuan, se me urdhër të komandës supreme ekziston “gatishmëri luftarake” e nivelit të lartë për artilerinë, duke përfshirë edhe njësitë e raketave strategjike. Njësitë duhet të jenë të përgatitura për sulme në territorin e SHBA-së, Havait dhe Guamit, si dhe bazat e tjera ushtarake amerikane në Paqësor. Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur kohët e fundit në mënyrë të ndjeshme, qëkurse Peniani me ashpërsimin e sanksioneve të OKB-së pas testit të tretë nëntokësor bërthamor shfuqizoi paktin e mossulmimit me Korenë e Jugut. Më parë Koreja e Veriut kishte kërcënuar Shtetet e Bashkuara me një sulm bërthamor. SHBA-ja dhe Koreja e Jugut ranë dakord të premten (22.3.2013) për rritjen e bashkëpunimit ushtarak.
SHBA angazhohet të mbështesë ushtarakisht Korenë e Jugut
Forcat e armatosura të SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë zhvilluar një plan të përbashkët veprimi në rastet e provokimeve ushtarake nga Koreja e Veriut. Ai lejon një “reagim direkt dhe të vendosur ndaj çdo provokimi koreanoverior”. Plani u zhvillua pas sulmit koreanoverior në ishullin Yonpyong, që i përket Koresë së Jugut, në nëntor 2010 dhe është nënshkruar të premten e kaluar (22.3.2013) , bënë të ditur forcat ushtarake amerikane në Korenë e Jugut. Detajet e planit mbeten të paqarta, po ashtu e paqartë mbetet, se çfarë kuptohet me “provokim”. Ushtarakët në Korenë e Jugut megjithatë bënë të qartë, që SHBA-ja do t’i mbështesë aleatët e saj edhe në raste provokimesh të vogla dhe jo vetëm në rastin e shpërthimit të një lufte. SHBA-ja ka të dislokuar në Korenë e Jugut 28.500 ushtarë.
BE bllokon naftën që vjen nga Irani
Embargoja e naftës nuk do të fusë në vështirësi vetëm Iranin, por edhe vetë evropianët, të paktën disa vende
Bashkimi Evropian ka bllokuar importet e naftës nga Irani dhe ka ngritur një seri sanksionesh të ashpra. Arsyeja lidhet “shqetësimet serioze për programin atomik iranian”, bënë të ditur ministrat e jashtëm të BE-së të hënën në Bruksel. Marrëveshjet ekzistuese mund të përmbushen deri më 1 korrik. Ky është një lëshim për vende si Greqia, Italia dhe Spanja të cilat plotësojnë një pjesë të madhe të nevojave me naftë nga Irani. Me vendimin për ngritjen e embargos së naftës, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë ashpërsuar qartë sanksionet kundër qeverisë në Teheran. Embargo e naftës duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik. Brenda tre muajve BE nuk do të importojë më produkte petrokimike nga Irani. Investime të reja evropiane në industrinë iraniane të naftës ndalohen. Edhe kontot e Bankës Qendrore iraniane do të bllokohen, bizneset e saj do të lejohen vetëm me përjashtime të vogla dhe nën kontroll të fortë. Edhe tregtia me arin dhe gurët e çmuar do të paralizohet. Arsyeja për këtë trajtim të ashpër është frika e evropianëve, se Irani është duke punuar në fshehtësi për prodhimin e një bombe atomike, siç e tha në Bruksel edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. “Një armatim atomik nuk do të sillte rrezik vetëm për rajonin, por për gjithë botën. Prandaj është e drejtë që Bashkimi Evropian të marrë tani vendime për të tharë burimet financiare të programit atomik iranian.”Sanksionet e deritanishme nuk i bënë ndonjë përshtypje Teheranit. Por kësaj herë do të jetë ndryshe, mendon ministri i Jashtëm danez dhe kryetari i radhës së Këshillit të BE-së, Villy Soevndal: “Unë jam i sigurt se sanksionet do të kenë ndikim dhe udhëheqja iraniane do të futet në vështirësi”.
Embargoja e naftës
Por embargoja e naftës nuk do të fusë në vështirësi vetëm Iranin, por edhe vetë evropianët, të paktën disa vende. Greqia, gati e thyer nga borxhet merr një pjesë relativisht të madhe të naftës së papërpunuar, gati një të katërtën e saj, nga Irani. Prandaj kërkoi edhe fillimin më vonë të embargos. Në një formë më të butë kjo vlen edhe për Italinë dhe Spanjën. BE do të mendojë edhe për gjëra të tilla, premtoi reprezantuesja e politikës së Jashtme, Catherine Ashton: “Është e rëndësishme që ne ta dimë si ndikojnë sanksionet në vende të veçanta, jo vetëm në atë vend ndaj të cilit ngrihen sanksionet, por edhe për vendet që ngrenë sanksionet. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë. Dhe natyrisht ne do të flasim me vende të tjera që kanë naftë, për të siguruar që furnizimi me naftë të mos rrezikohet”.
Për Greqinë, BE do të testojë deri në muajin maj nëse mund të gjendet një furnizues tjetër, që të përdoret në vend të Iranit. Përveç Italisë, që është “një rast special”. Italia lejohet të marr edhe pas 1 korrikut naftë iraniane, sepse Irani paguan me të borxhet e vjetra.
BE ka synuar me sanksionet e tij deri tani programin atomik iranian. Por që prej ditës së sotme, (23.1.) ai përpiqet që të prekë në përgjithësi ekonominë iraniane. Sa i përket embargos së naftës, BE ka në dorë një mjet të fuqishëm, sepse BE merr vetëm 6 për qind të naftës nga Irani. Por nga ana tjetër, BE është krah Kinës një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Iranit, dhe prodhimi më i rëndësishëm i eksportit për Iranin është nafta.