Shtyhen aplikimet për formularët A1 dhe A1Z, kandidatët e viteve të kaluara, kategoritë që e plotësojnë

0
131

formulari31 mars, përfundon aplikimi për A1-shin, 15 prill, fillon për A1Z

Rritet interesi i maturantëve për të studiuar jashtë shtetit

 

Të gjithë maturantët që nuk kanë arritur të plotësojnë formularin A1, do të kenë kohë deri në datën 31 mars për të aplikuar. Sipas të dhënave, numri i kandidatëve që nuk e kanë plotësuar ende formularin, është i vogël, por Ministria e Arsimit do t’u japë shansin të gjithëve për të qenë pjesë e universiteteve publike. Arsyeja kryesore për shtyrjen e aplikimit ka qenë mungesa e internetit në shkolla. Deri tani formularin A1 e kanë plotësuar rreth 34 mijë maturantë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, shprehet se janë rreth 100 maturantë që ende nuk kanë aplikuar online. “Janë afro 34 mijë që kanë arritur të plotësojnë formularin A1, të pjesëmarrjes së tyre në provimet e maturës shtetërore 2013. Mbeten ndoshta mbi 100 që nuk kanë arritur ta plotësojnë dhe këtë javë ata do të kenë të mundur plotësisht ta përfundojnë plotësimin e formularit A1″, – shprehet drejtori i AKP-së.

Formulari A1Z

Ndërkohë që mijëra maturantë kanë aplikuar për të dhënë provimet me zgjedhje, shumë kandidatë të tjerë po presin të plotësojnë formularin A1Z. Këtë vit shansin për të plotësuar A1Z do ta kenë edhe kandidatët që kanë dhënë provime me zgjedhje një vit më parë, me kushtin që të kenë një provim të mbartur. Për kandidatët e viteve të kaluara aplikimi do të nisë në datën 15 prill dhe do të përfundojë në datën 25 prill. Dokumentet që duhet të dorëzojnë këta kandidatë janë diploma e shkollës së mesme (pavarësisht nga viti që është marrë) dhe një kartë identiteti. Sipas Ministrisë së Arsimit, kandidatët që kanë marrë nota kaluese në provimet me zgjedhje të dhëna në vitet e kaluara, nuk do të kenë mundësi të rizgjedhin lëndët, por mund të aplikojnë me të njëjtat nota nëpërmjet formularit A2 që do të plotësohet gjatë muajit korrik. “Plotësimi i formularit A1Z do të nisë në datën 15 prill dhe numri i tyre në krahasim me aplikantët e formularit A1 është më i ulët, gati 5-6 herë. Maturantët që plotësojnë formularin A1Z janë maturantët që nuk janë të ulur në bangat e shkollës së vitit akademik, por që vijnë nga vitet e kaluara, ose maturantët që vijnë nga jashtë shtetit”, – thekson Harizaj.

Studimet jashtë

Shumë maturantë gjatë plotësimit të formularit A1 kanë përmendur se mund t’i vazhdojnë studimet e larta jashtë shtetit. Sipas të dhënave, interesi për të studiuar jashtë është gjithmonë në rritje, duke parë edhe mundësitë nëpërmjet bursave që ofrohen nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së. Pavarësisht se kanë dëshirë të studiojnë jashtë shtetit, përsëri maturantët kanë plotësuar A1-shin, pasi përgjigjet e studimeve jashtë vijnë gjatë muajve të verës.

 

 

Kush mund të plotësojë formularin A1Z

1. Kandidatët që nuk janë kalues në provimet me zgjedhje ose nuk i kanë dhënë ato do ti japin nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z

2. Kandidatët që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje do ta japin atë dhe japin vetëm një provim tjetër

3. Kandidatët që gjatë Maturës Shtetërore kanë zgjedhur 3 provime

-Kur kanë mbetur në një provim mund të zgjedhin një lëndë tjetër

-Kur kanë mbetur në dy provime, përsëri do të zgjedhin vetëm një lëndë tjetër me zgjedhje

Kur kanë mbetur në të tri provimet me zgjedhje do të mund të zgjedhin të dyja lëndët me zgjedhje sipas preferencës së tyre

4. Kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2006 do t’u njihen vetëm dy provimet e detyruara dhe do të japin provimet me zgjedhje

 

 

 

 

Bilanci tregtar me rekord historik: 51% e importit mbulohet nga eksportet

Ervin Kaduku

 

Edhe në muajt e parë të vitit 2013 ekonomia shqiptare po nxitet kryesisht nga eksportet. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave se edhe gjatë muajit Shkurt eksportet u rritën 4.4% me bazë vjetore dhe prekën vlerën e 15.9 miliardë lekëve. Në total, për dy muajt e parë të vitit, u eksportuan mallra në vlerën e 34 miliardë lekëve, me një rritje 18.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me gjithë shqetësimin për ndikimin e krizës në kërkesën e jashtme për produkte shqiptare, eksportet vazhdojnë të rriten. Ndërsa eksportet vazhdojnë të ruajnë performancë pozitive, importet vijojnë rënien e nisur që vitin e kaluar. Për muajin Shkurt, importet ranë me 11% krahasuar me Shkurtin e vitit 2012. Në total për dy muajt e parë të vitit, importet kishin vlerën e 67 miliardë lekëve, me një rënie prej afro 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e vazhdueshme e importeve duket një tregues i dobësimit të kërkesës së brendshme në vend dhe e hezitimit të konsumatorëve për të shpenzuar. Rënia e konsumit është ndër simptomat kryesore të ndikimit të krizës në ekonomi. Megjithatë, efekti pozitiv i rënies së importeve është përmirësimi i ndjeshëm i bilancit tregtar të vendit. Deficit tregtar për dy muajt e parë të vitit kishte vlerën e 33.2 miliardë lekëve, me një rënie prej 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet gjatë këtij viti ka arritur në nivelet më të larta historike. Mesatarisht për dy muajt e parë të vitit, mbulimi i importeve nga eksportet ishte në masën 50.6%. Kjo nënkupton një raport të eksporteve me importet afërsisht një me dy, ndërkohë që deri para tre vjetësh raporti ishte një me katër.

 

Lëkundjet

Tërmet 4.4 ballë në Tiranë, ndihet nga banorët

Një tërmet ka lëkundur ditën e djeshme rajonin verilindor të Shqipërisë. Tërmeti ka qenë i madhësisë 4.4 ballë dhe është ndier nga mijëra banorë. Sipas të dhënave sizmike, bëhet e ditur se epiqendra ka qenë 2 km nga Kurbneshi dhe 56 km nga Tirana, me një thellësi prej 10 km. Lëkundjet janë ndjerë rreth orës 08.20 të së hënës. Të dhënat bëjnë të ditur se nuk ka dëme materiale apo në njerëz. Vetëm 20 minuta më vonë është ndjerë dhe një tjetër tërmet në zonë, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane dhe Mesdhetare. Tërmeti i dytë ka pasur epiqendrën 6 km larg Kurbneshit me një intensitet prej 2.5 ballë dhe thellësi 5 km. Kohët e fundit Shqipëria është tronditur jo pak herë nga tërmetet që quhen “të vogla”. Tirana dhe Durrësi kanë qenë epiqendra kryesore e dridhjeve të tokës por asnjëherë nuk ka pasur tërmetet që të kenë qenë të rrezikshëm për vendin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency