Reshjet e shiut, përmbytet Xhamia e Plumbit në Shkodër

0
147

xhamiaDallgët shpëtohet një anije të huaj në Vlorë

“Çlirohet” jugu, Vjosa s’përbën më rrezik

 

Përmbytjet në Shkodër vazhdojnë ende, ku përveç pjesës së Nënshkodrës është prekur edhe qyteti. Uji ka vërshuar në disa lagje, duke sjellë probleme për banorët. Shumë familje kanë ngritur orenditë shtëpiake në nivelet më të larta, ndërsa të tjerë nuk kanë pasur mundësi t’i zhvendosin. Mes zonave të prekura është edhe një nga xhamitë më të njohur në qytet. Bëhet fjalë për Xhaminë e Plumbit, e vendosur në periferi të Shkodrës, e cila është përmbytur pjesërisht. Për këtë ngjarje kaq të rëndë ka reaguar dhe Imami i Shkodrës, i cili ka dënuar mosmbështetjen nga Ministria e Kulturës. “Ky është një turp i madh dhe një fatkeqësi e madhe, për Zotin. Ditën e djeshme i kam dërguar një shkresë ministrit të Kulturës, ku i kam kërkuar një ndërhyrje të menjëhershme. Shpresoj që me ardhjen e stinës të pranverës të gjallërojnë edhe vullneti apo dëshira tek Ministria e Kulturës për të ardhur të paktën dhe për ta parë Xhaminë e Plumbit. Bëj një thirrje për të gjithë deputetët e Shkodrës, të paktën të kenë mirësinë një herë në jetën e tyre, të vijnë dhe të bëjnë një vizitë tek Xhamia e Plumbit”, – thotë Imami i Shkodrës Remzi Myrtja. Sipas Imamit, xhamia përmbytet çdo vit, por askush nuk është kujtuar ta mbrojë nga uji një prej xhamive më të njohura në Shkodër, por dhe në Shqipëri.

Vlorë

Një problem në motor dhe moti i keq kanë rrezikuar mbytjen e një anijeje të huaj me vela në portin e Vlorës. Në të gjendeshin dy shtetas gjermanë, të nisur nga Otrantoja në drejtim të qytetit të Durrësit. Pas dallgëve të mëdha dhe rrezikut të mbytjes, ata kanë lajmëruar rojën bregdetare shqiptare dhe atë italiane në Pashaliman, që iu kanë afruar menjëherë ndihmë duke i shoqëruar për në breg. Anija me shtetasit gjermanë gjendet jashtë rrezikut dhe është ankoruar në portin e Vlorës.

Rrëshqitjet

Rrëshqitjet e dherave kanë sjellë bllokimin për disa orë të aksit Kalimash – Morinë në afërsi të pjesë e Rrugës së Kombit. Dherat e gurët janë shkëputur nga pjesët anësore duke i dëmtuar pothuajse tërësisht mbrojtëset e rrugës dhe duke përfunduar në pjesën ku kalonin automjetet. Ky aks është një ndër segmentet më të frekuentuara.

Vjosa pa rrezik

Është qetësuar situata në jugun e vendit. Sipas të dhënave, lumi i Vjosës nuk përbën më rrezik, ndërsa ujërat janë larguar krejtësisht nga fshatrat e Vlorës. Edhe fushat në Fier tashmë janë boshatisur nga uji, ndërsa më problematike janë kanalet, të cilët kanë kohë pa u pastruar.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency