Përplasja me Ramën, Preç Zogaj: Motivimi me një vend pune në shtet nuk është rroba ime

0
188

ramaKoordinatori i “Opozitës së Bashkuar” shpreh pakënaqësinë ndaj formës se si PS ka menduar të ndajë pushtetin me aleatët

 

Koordinatori i “Opozitës së Bashkuar”, Preç Zogaj, pranon se mungesa në tryezën e thirrur nga kreu socialist Rama me krerët e partive aleate ishte e kushtëzuar nga përplasja e qëndrimeve lidhur me mënyrën se si duhet të funksionojë koalicioni i majtë. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Zogaj nuk ngurron ta cilësojë formulën e ndarjes së pushtetit mes PS-së, si forcë e parë të koalicionit dhe aleatëve të saj si krejtësisht të kundërt me qëndrimin e tij. “Tryeza e djeshme ishte për njohjen me planizimin e votave që duhet të marrë çdo parti aleate. Unë jam një individ dhe kam marrë pjesë si një individ në tryezë për katër vite. Unë kam një mendim ndryshe për motivet që duhet të frymëzojnë njerëzit për të marrë pushtetin, daljen nga kriza, zhvillimin, ndryshimin etj. Motivimi me një vend pune në shtet ta them hapur nuk është rroba ime. Nuk kam si të dal kundër vetes në këtë pike”, – u shpreh Zogaj. Nga ana tjetër koordinatori i tryezave të koalicionit të majtë pohoi se ka qenë në kontakte me kryetarin e PS-së. “Me Ramën kam pasur një komunikim shumë të hapur për zhvillimet, për prurjet për projektin që unë kam paraqitur në këtë forcë politike. Duke parë ecurinë e këtij projekti duhej të riverifikoj arsyet e mbetura të qëndrimit tim në tryezën e tij”, – u shpreh Preç Zogaj.

 

Aleatët

Ndryshe nga koordinatori i opozitës, aleatët e PS-së e cilësojnë platformën e bashkëpunimit të prezantuar nga kryesocialisti Ramë si të mirëformatuar. “Marrëdhënie të ndershme mes të gjithë aleatëve në përputhje dhe në përmbushje të një misioni historik për rrotacionin qeverisës. Mendoj se është një marrëveshje motivuese”, – tha kreu i PSV 91 Petro Koçi. Po ashtu, edhe kreu i PDS-së, Paskal Milo, e ka mirëpritur draft e propozuar nga PS-ja, duke theksuar pas tryezës së dy ditë më parë se çështjet e debatueshme do të zgjidhen në marrëveshjen dypalëshe. “Ishte projekt i redaktuar mirë dhe ishin reflektuar mirë të gjitha mendimet e partive opozitare, mbi bazën e të cilit ne do shkojmë në zgjedhjet e ardhshme. Pas disa ditësh pasi të reflektohen dhe disa mendime që u shfaqën sot ne do shkojmë drejt nënshkrimit të kësaj platforme që do udhëheqë koalicioni opozitar në këto zgjedhje. Aty janë mjaft çështje, por pasi të nënshkruhet kjo marrëveshje bashkëpunimi para dhe pas zgjedhore do ketë një etape tjetër që është nënshkrimi i marrëveshjes mes çdo partie të koalicionit dhe PS, ku do përcaktohet roli i çdo partie dhe pjesëmarrja në qeverisjen e ardhshme”, – tha Milo. Në tryezën e dy ditëve më parë, palët u orientuan kryesisht tek formula e bashkëpunimit mes PS-së, si forcë e parë e koalicionit të majtë dhe aleatëve të saj. Kreu socialist ka paraqitur para 34 krerëve të partive aleate një projekt platformë për bashkëpunimin elektoral dhe post elektoral. Kjo draft-marrëveshje parashikon formulën sipas së cilës shifra minimale për kontribut në qeverisjen në rang qarku shkon nga marrja e 500 votave deri në 1000, ndërsa për pushtetin qendror dhe atë lokal lista fillon nga 5000 vota deri në 10.000 vota. Në këtë formë, një parti aleate e PS-së duhet të marrë mbi 10 mijë vota në rang qarku që të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në nivel qendror, pra që kjo parti të ketë mundësinë e marrjes së një posti ministror apo zv.ministri.

 

Jo skemës së Ramës, LSI: Kushtet e PS-së për koalicion, pazare për vende pune

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të pranojë një koalicion me Partinë Socialiste me kushtet që kryesocialisti Edi Rama u ka vendosur aleatëve. Reagimi ka ardhur nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, vetëm një ditë pas takimit të Ramës me krerët e partive të vogla, pjesëmarrëse në koalicionin e majtë. Ai ka deklaruar kundërshtinë e tij ndaj skemës së bashkëpunimit mes aleatëve dhe PS-së. “LSI nuk ishte as nga fillimi dhe as nga fundi i kësaj liste, që do të thotë që, LSI nuk bazon koalicionet e saj në bazë të numrave. Aty ishin vendosur disa shifra që nëse merr 3 mijë vota apo 5 mijë vota do të jesh drejtor, ministër, nuk bëhet fjalë për LSI-në të flitet me këtë gjuhë. Nëse Partia Socialiste do të na llogariste për shkak të numrave të na jepte ndonjë vend pune, unë nuk do të pranoja asnjëherë të isha në koalicion me PS-në”, – tha Naço. Sipas deputetit të LSI-së, shpërndarja e pushtetit, sipas formulës së kryesocialistit Rama, nuk përdoret as brenda një partie. “Nëse PS apo PD apo parti të tjera na pranon për shkak të ideve dhe reformave që japim, sigurisht që jemi të hapur për të bërë koalicione të mundshme para apo pas zgjedhjeve. Në asnjë rast personalisht nuk do të pranoja që për një vend pune, po mora kaq vota unë do të jem në rolin e drejtorit apo zëvendësministrit. Këto llogari nuk bëhen as brenda forcave politike, pra brenda strukturave të partisë, pasi një përfaqësim kërkon përveç votave, kërkon edhe për shkak të profesionit, integritetit që ka për të përfaqësuar një vend pune”, – theksoi Naço.

 

 

Topi: Rama të mos mërzitet për kritikat, ka bërë dhjetëra gafa

Fryma e Re Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhje si formacion politik në të gjitha qarqet e Shqipërisë, duke përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Kështu ka deklaruar dje kreu i kësaj force politike Bamir Topi, gjatë një takimi me krerët e FRD-së në rrethe. “Dikush do thotë se ju e keni vendosur, jo ne nuk mund të vendosim asgjë brenda zyrave dhe me një rreth të ngushtë personash. E kemi vendosur për mosbërjen aleancë me dy partitë e vjetra, për çdo aleancë tjetër do jetë komunikim i brendshëm dhe kolegjialitet i plotë dhe jo vetëm i një individi. FRD për zgjedhjet e 23 qershorit do të marrë pjesë si formacion i plotë politik në të gjitha qarqet e Shqipërisë”, deklaroi Topi. Nga ana tjetër, kreu i FRD-së nuk la pa komentuar edhe kundërvëniet me kryesocialistin Rama duke theksuar: “Ai mërzitet sa herë unë e marr si objekt diskutimi. Nuk ka përse mërzitet. Është kryetari i opozitës institucionale. Nëse ka bërë dhjetëra gafa, duke i dhënë oksigjen dhe duke ëndërruar të njëjtën gjë si Berisha, ëndrra rreth karriges, pushtetit të pakufishëm, minimalisht të mbrojë votën e qytetarëve shqiptarë”.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency