Premtimi, Berisha: Mandati ynë i tretë hap 250 mijë vende pune

0
134

Gëzim Saliu

beroÇelet Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Izrael, Berisha: Kemi potenciale të mëdha, ftojmë investitorët

 

Në katër vitet e ardhshme, qeveria do të hapë 250 mijë vende të reja pune. Ky ka qenë premtimi i dhënë dje nga Kryeministri i vendit, Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar me pedagogë dhe studentë të Ekonomikut, ku diskutoi lidhur me klimën e biznesit dhe punësimin në vend. Duke bërë me dije se në katër vitet që vijnë punësimi i shqiptarëve do të pasohet me lirinë ekonomike, kreu i mazhorancës qeverisëse theksoi se integrimi hap mijëra vende pune të reja. “Këto katër vite do të jenë vitet e uljes më të madhe të papunësisë, ku qeveria e ardhshme do të krijojë 250 mijë vende të reja pune në të gjitha fushat e jetës. I gjithë projekti i punësimit është dyfishimi i investimeve të huaja. Do bëjmë gjithçka për nxitjen e punësimit në industri. Ne jemi të bindur se nëpërmjet reformës së thellë të krahut të punës ne do të bëjmë që rritja jonë ekonomike të ketë një potencial më të madh punësimi. Integrimi evropian përbën në vetvete një faktor shumë të rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve, jo vetëm për faktin që ky integrim kupton qindra milionë euro më shumë nga Komisioni Evropian për projekte të shumta por se ky integrim është një pasaportë tjetër e shkëlqyer pas integrimit në NATO, një garanci më e madhe për investimet private në Shqipëri. Ne do të bëjmë gjithçka që ky proces të eci pandalshëm”, tha Berisha. Po ashtu në bashkëbisedim, kreu i qeverisë bëri të ditur se potencialet e Shqipërisë janë shumë të mëdha, duke theksuar: “Një nga fushat më të rëndësishme mbetet turizmi, i cili do të jetë përparësi madhore, sepse zonat prej nga vijnë shumica e parave kërkojnë projekte të gatshme dhe nuk do ngurrojmë t’i realizojmë ato”.

 

Përurimi

Ndërkohë, i pranishëm në ceremoninë e përurimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Izrael, Kryeministri i vendit pohoi se Shqipëria nga ana e saj ofron potenciale të mëdha dhe reale për biznesin e Izraelit në fusha të shumta, ndër të cilat veçoi turizmin, teknologjinë e lartë, agrobiznesin dhe fusha të tjera. Në këtë kontekst, kreu i mazhorancës pohoi se vendi ofron një potencial të madh në fushën e energjisë, ku një nga kompanitë e njohura Izraelite është e gatshme të fillojë në një nga veprat e rëndësishme në këtë fushë në alpet e veriut. “Qeveria ime është një qeveri, e cila po bën gjithçka për klimën më miqësore ndaj biznesit. Reformat e saj bënë të mundur që Shqipëria të ruajë rritjen ekonomike dhe në kohën e recensionit më të madh, të ekonomisë së vendeve të zhvilluara në 80 vitet e fundit. Reformat e mbrojtën ekonominë shqiptare, nga pasojat shumë të rënda të këtij recensioni në vendet për rreth. Shqipëria sot ndodhet në një stad, në të cilin ajo synon ti japë një shtytje tjetër të re, të madhe, rritjes ekonomike, për këtë qëllim në revolucionin tonë fiskal ne vendosëm të heqim taksat mbi të gjitha llojet e makinerive, që përdoret për prodhim në të gjitha llojet e biznesit. Ne kemi hequr çdo tarifë doganore për të gjitha mallrat që përdoren në industrinë e fasonit. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë një rrogë nën 300 dollarë. Ne do të heqim çdo lloj detyrimi tatimor për të rinjtë e punësuar për tre vitet e para. Ne po vendosim procedurat dixhitale më të avancuara para së gjithash dhe mbi të gjitha, në shërbim të biznesit dhe të qytetarëve”, – tha Berisha. Më tej, Kryeministri theksoi se me krijimin e Dhomës së tregtisë mes Shqipërisë dhe Izraelit, do, do të firmosim të gjitha marrëveshjet e domosdoshme në mënyrë që biznesi i të dy vendeve të ketë garancitë më të mëdha ligjore. “Izraeli është një superfuqi e vërtet në fushën e teknologjisë së lartë. Kompanitë e këtij vendi, firmat e këtij vendi qëndrojnë në krye, janë lider në disa nga drejtimet më kryesore të kësaj fushë. Shqipëria është thellësisht e interesuar të shndërrohet në një vend në një superfuqi rajonale të ICT, Shqipëria llogarit në realizmin e kësaj nisme bashkëpunimin më të ngushëm me Izraelin”, – përfundoi fjalën e tij kreu i mazhorancës qeverisëse Sali Berisha.

 

 

PS: Dështimi më i madh i qeverisë ka qenë punësimi

Partia Socialiste deklaron se dështimi i Kryeministrit me punësimin është një ndër arsyet madhore pse s’duhet votuar për të. Kryetar i Grupit të Punës për Punësimin Arbian Mazniku theksoi dje se nga. 160 mijë vende pune që u premtuan nga qeveria në programin qeverisës të 2009-ës, sot janë më shumë se 51.592 shqiptarë që kanë humbur vendin e punës. “Kjo, jo sipas të dhënave tona, por sipas të dhënave të vetë INSAT-it, zullumi është aq i madh sa nuk e kanë mbuluar dot me shifra. Qeveria ka një fond për nxitjen e punësimit. Por, për Sali Berishën, Shqipëria nuk kishte nevojë për nxitje punësimi, pasi e ka ulur këtë fond në mënyrë të rregullt çdo vit. E ka ulur jo vetëm si një përqindje e buxhetit të Ministrisë së Punës, por edhe në vlerë nominale. Ky program në vitin e fundit të raportuar, ka punësuar 719 veta. 719 shqiptarë prej ushtrisë me 1 milion të papunë. Vetëm 1 çdo 1390 të papunë. Sali Berisha nuk duhet votuar më, sepse përtej çdo dyshimi dështoi në punësimin e shqiptarëve”, – pohoi Mazniku.

 

Berisha – Vianna: Bashkëpunim frytdhënës mes Shqipërisë dhe Brazilit

Kryeministri Berisha priti dje në një takim zëvendësministrin për Çështjet e Bashkëpunimit, Kulturës dhe Promovimit të Tregtisë në Ministrinë e Jashtme të Brazilit, ambasadorin Hadil da Rocha Vianna. Kreu i qeverisë vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Brazilit dhe i shprehu atij interesin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ti intensifikuar dhe zgjeruar ato, më tej, në të ardhmen. Nga ana e tij Ambasadori Hadil da Rocha Vianna i përcolli Kryeministrit përshëndetjet e presidentes së Brazilit, zonjës Dilma Rousseff, si dhe nje mesazh te saj, në të cilin theksohet dëshira e Brazilit për të intensifikuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin frytdhënës e të suksesshëm me Shqipërinë, si në kuadrin dypalësh ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Në takim u ripohua angazhimi i të dy vendeve e popujve për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të organizmave ndërkombëtare, në interesin më të mirë të të dy vendeve, si dhe bashkëpunimit dhe promovimit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare në arenën ndërkombëtare.

 

Mediu më të rinjtë: Duhet revolucion tek e djathta

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar se e djathta shqiptare ka nevojë për një revolucion. Në një takim me anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Republikane, Mediu theksoi se PR është një prej forcave politike që mbështetet më së shumti tek të rinjtë. “E djathta ka nevojë për revolucion dhe atë duhet ta bëj rinia. Ky revolucion duhet të fillojë nga koncepti i ri i lirisë, marrjes së fatit në dorë duke u bërë vendimmarrës të jetës suaj dhe mbarë Shqipërisë. E djathta ka nevojë për një revolucion, të tregojë qartë vlerat e ideve të saj, si shërbyese e lirisë së çdo individi, si një e drejtë që buron nga Zoti dhe jo qeveria”, – u shpreh Mediu. Në fund të fjalës së tij, kryetari i republikanëve vuri theksin dhe tek rëndësia që rinia shqiptare duhet t’i kushtoi edukimit dhe familjes, të cilat përbëjnë themelin e jetës dhe të shoqërisë.

 

Sot, përurimi i Papës së ri, Berisha e Topalli në ceremoni

Liderë botërorë kanë nisur që dje të arrijnë në Romë për përurimin e Papës së ri, Franceskos, ceremoni e cila pritet të mbahet ditën e sotme në Vatikan. Shqipëria do të përfaqësohet në këtë ngjarje të rëndësishme nga Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë, Kosova do të përfaqësohet nga Kryeministri Hashim Thaçi. Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka arritur të dielën vonë, ashtu si edhe Presidentja e Argjentinës, Cristina Kirchner. Në përurimin e sotëm pritet të marrin pjesë edhe personalitete të tjera, përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, dhe kreun e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Papa Françesko I është zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë më 13 mars, duke pasuar Benediktin XVI. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje muajin e kaluar për shkak të problemeve me shëndetin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency