Ekonomi Paratë publike për skuadrat e futbollit, hetuesit holandezë trembin Evropën

0
148

Përgatiti Altin Vorpsi

 

parateMes vitit 2010 dhe 2011 në Holandë kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Me qëllim për të nxjerrë skuadrat vendase nga kriza ekonomike, bashkitë e disa qyteteve kanë preferuar që t’i ndihmojnë nëpërmjet mënyrave jo shumë “ortodokse”

 

 

Këtë javë Mishel Platini ka marrë një lajm të keq. Në Holandë ka nisur një hetim për pesë skuadra (mes tyre ndodhet ehe PSV Eindhoveni) që mund të kenë parregullsi në bilance. Kësaj here thuhet se situata është më e rëndë, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me thyerjen e disa rregullave të Financial Fair Play. Skuadrat holandeze akuzohen se kanë marrë ndihma nën dorë nga administrata vendore. Kështu, duke qenë se në këtë histori janë përfshirë institucione shtetërore dhe duke qenë se janë dhënë para publike, ky hetim nuk është nisur nga UEFA, por nga Komisioni Evropian.

 

Gjithçka fshehurazi

Në syrin e ciklonit, përveç PSV Eindhovenit (aktualisht e para në Eredivisie, Kategoria Superiore e Holandës), kanë përfunduar edhe skuadra si Vilem II e Nek Nijmegen (edhe këto militojnë në Eredivisie), Den Bosh e MVV Mastrisht (skuadra të kategorisë së dytë). Hamendësohet se shkeljet janë bërë në 2010 dhe në 2011. Gjatë kësaj periudhe këto skuadra kanë marrë disa milionë euro nga bashkitë përkatëse. Të gjitha këto shuma janë dhënë pa njoftuar ekzekutivin e BE-së.

 

Më i rëndësishmi

Investimin më të rëndësishëm e ka bërë Bashkia e Eindhovenit. Kjo e fundit i ka blerë skuadrës së PSV-së disa terrene për një shumë që shkon tek 50 milionë eurot. Deri këtu asgjë nuk është e çuditshme, por habia nis kur po kjo bashki ia jep me koncesion këtij klubi terrenet që i kushtuan aq shumë.

 

Të tjerët

Bashkia e Den Boshit dhe e Mastrishtit kanë hequr dorë respektivisht nga kredi që kapnin vlera të rëndësishme (1,65 dhe 1,7 milionë euro). Ndërsa Bashkia e Nijmegenit mori përsipër që të shlyente borxhin e skuadrës së Nekut edhe pse flitej për një shifër të madhe që kalonte 2 milionë eurot. Në fund Bashkia e Tilburgut ka ulur vlerën e qerasë të stadiumit duke i hënë kështu mundësi Vilem II që të kursejë rreth 2,5 milionë euro.

 

Kundër normave Antitrust

Në atë kohë të tërë këto klube ndodheshin në krizë ekonomike dhe Bashkitë mendohet se kanë ndërhyrë për t’i ndihmuar në rrugë joligjore. Kështu organet shtetërore kanë “mashtruar” edhe rregullat strikte të Financial Fair Play. Por mbi të gjitha ato kanë dalë kundër rregullave të Bashkimit Evropian: transaksionet e kryera mund të konsiderohen si ndihma të mirëfillta nga shteti holandez; kështu ‘’tulipanët’’ akuzohen se kanë dhunuar normat evropiane Antitrust.

 

“Duhet t’ia dalin vetë”

“Personalisht mendoj se shoqëritë futbollistike duhet që t’ia dalin vetë dhe të mos kërkojnë ndihmën e faktorëve të jashtëm në momente krize ekonomike. Por edhe nëse këto ndihma bëhen, të paktën duhet të jepen sipas disa rregullave”, – komentoi Huakin Almunia, zëvendëspresident i Komisionit që është garant për konkurrencën. Komisarët për momentin nuk zhbalancohen dhe nuk japin as kohë dhe as përfundime sa i përket hetimeve. Nëse do të vërtetohet se këto pesë skuadra kanë marrë ndihmë nga shteti holandez, atëherë këto pesë shoqëri futbollistike duhet të rikthejnë çdo cent që kanë marrë dhe madje duhet të përgatiten për sanksione.

 

Jo vetëm në Holandë

Por ka edhe më shumë. Komisioni i BE-së, i kontaktuar nga disa media italiane, ka bërë me dije nëpërmjet një zëdhënësi se hetimet mund të nisin edhe në disa vende të tjera të kontinentit të vjetër: “Jemi vënë në dijeni nga disa qytetarë dhe kompani të disa vendeve të Evropës që disa skuadra kanë përfituar në mënyrë të paligjshme para publike. Për momentin nuk mund të zbulojmë asgjë. Në disa raste këto letra kanë qenë të pabaza ndërkohë që në raste të tjera kemi nisur hetimet e para”.

 

 

Përfitimet e Adidasit bien nga zhvleftësimi i Reebokut

Një zhvleftësim që i është bërë markës “Reebok” i ka shkaktuar një rënie përfitimi markës sportive vitin e shkuar. Por shitjet kanë kapur shifra rekord falë Lodrave Olimpike të Londrës dhe Kampionatit Evropian të Futbollit. Fitimi neto i markës “Adidas” pësoi rënie në 2012 më 14,2% (nga 683 në 526 milionë dollarë)si rezultat i këtij zhvleftësimi të markës “Reebok”. Dëmi në të ardhura lidhet me parashikimet për rritje të Reebokut në Amerikën e Veriut, atë Latine dhe Brazil ka deklaruar Adidas dhe e ka shtyrë kompaninë drejt linjës së kuqe në tremestrin e katërt duke u shndërruar në një humbje neto prej 272 milionë eurosh. Nëse nuk marrim parasysh humbjet e tremestrit të katërt, fitimi neto u rrit me 29 %( 791 milionë euro) ka llogaritur Adidas. Prandaj edhe shefi ekzekutiv Herbert Hainer e përshkroi 2012 gjithsesi si një vit të suksesshëm për grupin, shitjet e të cilit u rritën me 11,7 % ose 14, 8 bilionë euro. “Produktet tona dhe markat tona janë jo vetëm ato që bien më shumë në sy në eventet më të rëndësishme sportive të vitit, por edhe se po rrisin pjesën e tyre në treg sa vjen e më shumë”, – ka shtuat Hainer.

 

Valencia ndërron “pronarë”

Skuadra e Valencias nuk do të shtetëzohet. Qeveria rajonale e Generalitat Valencianës nuk arriti që të merrte drejtin e klubit që prej kohësh po vuan shumë nga ana financiare. Tani pronare e “lakuriqëve të natës” është instituti i kredive Bankia. Një gjë të tillë e vendosi Gjykata e Valencias që anuloi kalimin e një shumë të madhe parash (81 milionë euro) që qeveria vendore e Valencias vendosi t’ia kalonte skuadrës që në 2009-ën. Gjykata e konsideroi si të jashtëligjshëm një vendim të tillë. Kështu, Generalitat nuk ka asnjë detyrim ndaj Valencias ndërkohë që Bankia bëhet aksionerja kryesore e “lakuriqëve të natës”. Kujtojmë se Bankia ka gisht edhe superblerjet e Realit të Madridit. Florentino Perez që të blinte Kakanë (65 milionë euro) dhe Kristiano Ronaldon (94 milionë euro) iu drejtua pikërisht kësaj banke. Pas krizës financiare Bankia është vënë në shënjestër të BE-së, pasi është simboli i dështimit i sistemit të kreditimuit në Gadishullin Iberik. Bankia mbylli 2012 me një humbje të madhe që shkon tek 19,2 miliardi eurot. Në dhjetor, BE i dha një bonus prej 18 miliardë eurosh. Brukseli akordoi këtë shumë të madhe për t’i hapur rrugë ristrukturimit të këtij institucioni.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency