Azem Hajdari nderohet me “Urdhrin e Flamurit”, Berisha: Tribun lirie, si ai s’ka të dytë

0
131

Ina Jano

azemiNishani: Azem Hajdari ishte njeriu i duhur, që erdhi në vendin e duhur, në kohën e duhur, me talentin, zotësitë, energjitë, përkushtimin e duhur, për të bërë punën e duhur me rendimentin dhe suksesin e duhur

 

Në 50-vjetorin e lindjes të Azem Hajdarit, Presidenti Nishani ka vendosur që ta nderojë me “Urdhrin e Flamurit”, dekoratën më të lartë që ka shteti shqiptar. Në një ceremoni në mesditën e djeshme, në Presidencë, mes familjarëve, kreu i shtetit i dorëzoi zonjës Hajdari dekoratën. Në ceremoninë solemne të mbajtur në përvjetorin e 50-të të lindjes së Azem Hajdarit, ishin të pranishëm bashkëshortja e tij, Fatmira Hajdari, pjesëtarë të familjes Hajdari, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të tjera. Presidenti, në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, u shpreh se “Azem Hajdari ishte njeriu i duhur, që erdhi në vendin e duhur, në kohën e duhur, me talentin, zotësitë, energjitë, përkushtimin e duhur, për të bërë punën e duhur me rendimentin dhe suksesin e duhur. Azem Hajdari ishte nga ata individë tepër të rrallë që historinë nuk e tregojnë, as nuk e shkruajnë, as nuk e ndryshojnë, por me vullnetin e tyre të jashtëzakonshëm, me sakrificat e tyre sublime, historinë e bëjnë. Azem Hajdari ishte shembulli i rrallë kur një individ i vetëm është në të njëjtën kohë bartës, shprehës dhe ekzekutues i vullneteve të të gjithë të tjerëve. Azem Hajdari ishte gjithashtu rast i dukurisë së çuditshme, kur një njeri i vetëm ndihmon të gjithë të tjerët më tepër se të gjithë të tjerët një njeri të vetëm”. Pas leximit të dekretit presidencial, zonja Fatmira Hajdari, në emër të familjes së saj, e falënderoi Presidentin Nishani që zgjodhi ditën e shënuar të 50-vjetorit të lindjes së Azem Hajdarit për t’i akorduar atij Urdhrin më të lartë të Flamurit Kombëtar. Motivacioni i dekoratës ishte: “Për kontributin e jashtëzakonshëm e të pamohueshëm dhënë gjatë drejtimit të Lëvizjes Studentore Shqiptare ‘90-‘91 në shembjen e sistemit diktatorial; për fitoren e pluralizmit politik dhe të parimeve të lirisë e të demokracisë, si dhe për vetëmohimin si politikan e deputet deri në sakrificën sublime në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të shquara atdhetare, duke mbetur përjetësisht i gdhendur në kujtesën historike të kombit shqiptar”.

 

Sesioni përkujtimor

Në orën 16:00, në sallën “Iliria” në Qytetin Studenti, u zhvillua një sesion përkujtimor me pjesëmarrjen e figurave të njohura të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, por dhe të krerëve të lartë të shtetit. Kryeministri Sali Berisha, i cili përshëndeti këtë sesion, risolli edhe një herë në vëmendje kontributin e Azem Hajdarit, i cili udhëhoqi protestat e studentëve dhe grevën e urisë, që kishte si qëllim vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, në dhjetor 1990. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh: “Idetë dhe pikëpamjet për një Shqipëri demokratike nuk kishin vdekur ndonjëherë në Shqipëri. Ato ishin mbrojtur me çmimin më të lartë nga mijëra gra dhe burra intelektualë dhe njerëz të të gjitha fushave që kishin besim tek liria. Rezultati i kësaj përpjekjeje të madhe ishte Spaçi, Burreli, ishin gulagët e panumërt. Pas rënies së Murit të Berlinit, perdja e hekurt ra dhe në Shqipëri. Intelektualët shprehën haptas pikëpamjet e tyre për një Shqipëri tjetër. Por për shqiptarët më në fund erdhi si një diçka qiellore, si diçka përrallore, Lëvizja Studentore. Kjo lëvizje ishte pa dyshim përballja më e egër që regjimi komunist kishte njohur ndonjëherë”. Më pas, shefi i qeverisë tregoi se si ishte njohur me Azem Hajdarin dhe përshtypja që ai i kishte lënë. “Dy gjëra mbeten në kujtesën time të përjetshme: vendosmëria e jashtëzakonshme për çdo sakrificë dhe të gjithë ata që njoha në Lëvizjen Studentore ishin djem dhe vajza guximtarë, por asnjëri prej tyre Azem nuk ishte! Ajo që bënte përshtypjen më të madhe, ishte autoriteti i tij mbi të gjithë studentët. Vendosmëria e tij absolute ishte garancia e të gjithë atyre që e rrethonin. Kohezioni i Lëvizjes Studentore, në një kohë aq të shkurtër rreth liderit të vet, ishte dëshmi se një tribun i vërtetë lirie udhëhiqte këtë lëvizje. Tek Azemi spikaste forca, vendosmëria dhe guximi i një lideri”, – u shpreh Berisha. “Roli i tij kur Partia Demokratike kaloi në opozitë, ishte i jashtëzakonshëm, ai u martirizua vetëm e vetëm që Partia Demokratike të mos eliminohej dhe të mos zhdukej. Idhulli i tij ishte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tek i cili kishte një besim shumë të madh. Azemi bëri gjithçka të mbështeste lëvizjen çlirimtare në Kosovë, ai ndihej pjesë e kësaj lëvizjeje. Të punoje me Azemin ishte më tepër se kënaqësi”, – nënvizoi shefi i mazhorancës shqiptare në fjalën e tij. “Ne sot nuk kujtojmë, ne sot festojmë ditëlindjen e tribunit të lirisë së shqiptarëve. Ne sot festojmë me një ndjenjë krenarie, sepse idealet e tij janë bërë realitet, festojmë se Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s, se shqiptarët lëvizin të lirë në Evropë, se shqiptarët po bëjnë përpjekjen më të madhe për t’u bashkuar me familjen evropiane, se Kosova sot është e lirë dhe e pavarur, festojmë më të sigurt se kurrë në të ardhmen që Azem Hajdari projektoi për shqiptarët”, – ka përfunduar fjalën e tij Kryeministri Berisha.

Më pas, gjatë ceremonisë, u shprehën edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hajdarit, duke përshirë këtu edhe ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Më pas, Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” shfaqi dokumentarin “Azem Hajdari – Shpirti i lirë”. Ceremonia u përshëndet nga familja Hajdari dhe u mbyll me një poezi recituar nga Mirush Kabashi. Në sheshin “Liria” në Qytetin Studenti, dje u prezantua edhe përmendorja e Azem Hajdarit, në të cilën krerët më të lartë të politikës, vendosën buqeta me lule.

 

 

Selami: Nder të kandidoj për PD-në

Eduard Selami, ish-kryetari i PD-së, është rikthyer njëherë e mirë, duke u afruar sërish me Berishën. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Selami e quajti një nder të veçantë rikthimin e tij në PD, duke theksuar se për të nuk ka rëndësi qarku ku do të kandidojë më 23 qershor. “E quaj një nder të veçantë për të kontribuar në partinë që unë i kam përkitur gjithmonë dhe i përkas. Jam kontaktuar nga zoti Berisha dhe është e mjaftueshme për mua për të shkuar për të dhënë kontributin tim në një fushatë elektorale, e cila për mua është e rëndësishme, e cila do ta përshpejtojë ecjen e Shqipërisë përpara. Për mua do jetë nder të kandidoj kudo. Patjetër që në radhë të parë i takon zonës, nuk diskutohet kjo. Madje, unë do të thosha që nëse nuk banon në një zonë të caktuar, ka njëfarë ndarje, por patjetër që kjo nga zona në Parlament, si të thuash detyrimi i parë është në zonë dhe dalja përpara në votime. Për mua do të jetë nder kudo. Tirana është një arsye më shumë, sepse unë popullit të Tiranës i dedikoj edhe jetën time personale. Nëse nuk do të kishin dalë qytetarët e Tiranës, Lëvizja e Dhjetorit që shembi komunizmin, unë e kam pasur bindje dhe e kam, nuk do të kishte marrë ato përmasa që mori, nuk do të ishte bërë e mundur”, – u shpreh Selami. Në lidhje me akuzat e opozitës në drejtim të PD-së, Selami tha se këto akuza rrëzohen nga realiteti shqiptar. “Opozita këtë detyrë ka. Dhe kuptohet është fushatë dhe zëri do të ngrihet më shumë. Ata që do të japin një përgjigje më të mirë, do të jenë shqiptarët më 23 qershor. PD është një parti që shikon përpara, ka platformë më të mirë, ka një program më të qartë. Probleme ka pasur dhe do të ketë. Gjithmonë ecim përpara, zgjidhim një problem, pastaj del një tjetër. Kritikat bëhen për luftë politike”, – u shpreh ai.

 

Përurohet sot Shkolla Profesionale në Kamëz

Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në mëngjesin e sotëm në përurimin e Shkollës së Mesme Profesionale në Kamëz. Ndërtesa e re është një financim në kuadër të projektit IPA të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro. Ajo është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standardeve evropiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër. Shkolla ofron 9 drejtime kryesore, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Hoteleri-Turizëm; Shërbime Mjete Transporti; Bujqësi; Shërbime Sociale dhe Shëndetësore; Teknologji ushqimore; Ekonomi Biznes; Administrim Zyre; Ekonomi Bujqësore.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency