Berisha: Sot heqim TVSH-në për importet, Rama qesharak dhe pa program

0
145

Ina Jano

berisha....Kreu i qeverisë përuroi segmentin Ruzhdie – Margelliç në Qarkun e Fierit. Investimet totale në këtë rreth, 620 milionë euro

Kryeministri, banorëve të Ruzhdies : Ata që ju quajtën eskimezë, nuk janë shqiptarë

 

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave do të hiqet TVSH-ja për të gjitha importet dhe gjithçka tjetër që fermerët blejnë në tregun shqiptar për të rritur prodhimin bujqësor. Por ndërkohë, nga përurimi i rrugës në Fier, lideri i qeverisë ka sulmuar edhe shefin e opozitës, Edi Rama. Ai është shprehur se kryesocialisti është duke u shndërruar në qesharak, madje për më tepër selia rozë nuk ka as program. “Ju e keni dëgjuar atë shokun se çdo ditë bën atë “ëh” që bënte ai tek Knjazi i Malit të Zi. E dini ju atë historinë, – ma vodhën programin thotë, – është bërë qesharak. Po në fund të fundit ai të thotë ç’të dojë, ne do të hartojmë një program të shkëlqyer dhe me një vendosmëri të madhe, ta bëjmë atë realitet në interesin më të mirë të secilit prej nesh, të secilit prej jush, të banorëve të Ruzhdies, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë”, – u shpreh kreu i ekzekutivit përpara të gjithë qytetarëve të mbledhur.

Duke u ndalur në zgjedhjet që do të mbahen në 23 qershor, lideri i mazhorancës garantoi të gjithë fierakët dhe qytetarët shqiptarë se investimet do të vijojnë edhe në mandatin e ardhshëm. Ndërsa parashtroi të gjitha arritjet e katërvjeçarit që është duke u përmbyllur, Kryeministri Berisha pohoi se janë pikërisht premtimet e mbajtura, me të cilat Partia Demokratike do të kërkojë nga qytetarët një mandat tjetër. “Duhet të bëjmë gjithçka për të bindur çdo banor të kësaj komune, çdo fermer, çdo qytetar, që së bashku të ecim përpara. Ne jemi ndryshimi, rruga që ndërtuam është ndryshimi, shkolla që po ndërtojmë është ndryshimi, pemëtoret e reja janë ndryshimi, kanalet vaditëse janë ndryshimi, pensionet që kemi dyfishuar janë ndryshimi, Shqipëria në NATO është ndryshimi, lëvizja e lirë në Evropë është ndryshimi, por ne votat i kërkojmë të kapim të ardhmen e re që na pret përpara, votat i kërkojmë që 4 vitet që vijnë të harrojmë sukseset që kemi pasur 4 vitet që shkuan, të ecim drejt një mëkëmbje, begatisë, drejt zhvillimit, Shqipërisë evropiane, Shqipërisë, vend i zhvilluar. Ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve të përkushtuar për votën e lirë, shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me projektin më të shkëlqyer që Shqipëri ka njohur në tërë historinë e saj”, – vijoi Kryeministri nga Ruzhdia. Ky i fundit tha se të gjithë qytetarët janë ata të cilët i japin votën kësaj qeverie, për të drejtuar vendin, ndërsa të gjithë ata që e quajnë votuesin si eskimezë nuk janë shqiptarë. Duke u shprehur se PD vlerëson të gjithë mundin dhe djersën e harxhuar nga do qytetar shqiptar, Berisha tha: “Në një kohë kur të tjerët silleshin nëpër televizorë se “Berisha fiton me votat e eskimezëve, unë shprehja krenarinë për ju, krenarinë për çdo votues shqiptar. Ata të cilët konsideronin fshatarët shqiptarë eskimezë, ata s’kanë asgjë shqiptare në gjakun e tyre, sepse ata vlerësimin për ju e kanë në varësi nga besimi apo mosbesimi që shprehni. Ndërsa ne vlerësimin për ju e kemi nga djersa e ballit tuaj, puna e shkëlqyer që bëni, atdhetarizmi juaj, familjet tuaja, mbrothësimi që ju i bëni atyre me punën dhe djersën tuaj”.

Investimet

Lideri i qeverisë deklaroi se investimet në të gjithë Shqipërinë do të vijojnë me ritme të larta, për të barazuar zonat rurale me qytetin në çdo drejtim. Segmenti rrugor Ruzhdie – Margelliç në Qarkun e Fierit është një investim me vlerë 120 milionë lekë, i cili lidh Komunën Ruzhdie me Bashkinë e Patosit. Rruga ka gjatësi 3.7 km dhe gjerësi 5 metra, dikur një pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave, është shndërruar tashmë, në një infrastrukturë moderne e bashkëkohore, nga e cila përfitojnë 5 mijë banorë dhe 6 fshatra. Kjo zonë e mirënjohur për prodhimet bujqësore, ullishtat, vreshtarinë, blegtorinë, si dhe prodhimin e vajit të ullirit, do të përfitojë nga rruga e re, lehtësi të mëdha për transportin e këtyre prodhimeve drejt tregjeve të Patosit, Fierit dhe Lushnjës. Në Komunën e Ruzhdies janë ndërtuar deri tani mbi 10 km rrugë, po ndërtohet shkolla 9-vjeçare dhe se shpejti fillon ndërtimi i ujësjellësit te tre fshatrave, Ruzhdie, Siqet e Gjinoqar. Ndërsa në qarkun e Fierit gjatë viteve të fundit janë investuar mbi 620 milionë euro në ndërtimin e 75 ujësjellësve e kanalizimeve, 91 shkollave dhe 64 qendrave shëndetësore. Për sa i përket infrastrukturës rrugore janë ndërtuar mbi 500 km rrugë kombëtare dhe rurale me një vlerë prej 280 milionë euro. Nga këto 220 milionë euro janë investuar në ndërtimin e 235 km autostrada e rrugë kombëtare ndërsa 28 milion euro janë investuar në mbi 195 km rrugë rurale. Se shpejti fillon ndërtimi i by-pass-it të Fierit 21 km me vlerë 38 milionë euro. Në sistemin e energjisë elektrike dhe hidrokarbureve janë investuar 284 milionë euro, ndërsa në bujqësi janë investuar 7.5 milion euro. Janë mbjellë sipërfaqe 1390 ha: në të cilat 1200 ha me ullinj ose 350 000 rrënjë ullinj dhe me dru frutor 240 ha (pemë frutore e vreshta). Janë subvencionuar 4400 krerë bagëti dhe kane përfituar 2350 fermerë ne te gjitha skemat subvencionuese. Gjithashtu, janë realizuar 3.5 milionë euro investime në kanale vaditëse e kulluese.

 

 

Investimet në Fier

Shërbime – 620 milionë euro                   

75 ujësjellës

91 shkolla

64 qendra shëndetësore

 

Infrastrukturë – 248 milionë euro

235 km autostrada/rrugë kombëtare

195 km rrugë rurale

Së shpejti nis ndërtimi i by-pass-it

 

Energji dhe hidrokarbure – 284 milionë euro

Bujqësi – 7.5 milionë euro

Kanale vaditëse dhe kulluese – 3.5 milionë euro

 

 

Berisha: Program kombëtar për sektorin e peshkimit

Kryeministri Berisha deklaroi se zhvillimi i peshkimit dhe industrisë së detit do të jetë qëllimi i projektit kombëtar më të ri, që do të lançohet së shpejti. Kreu i qeverisë, duke iu drejtuar konferencës ndërkombëtare “Industria e detit dhe perspektiva e saj”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe ku ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani, nënvizoi se ky sektor aktualisht është nën potencialet e tij të zhvillimit, ndaj është e rëndësishme “një ndërhyrje e fuqishme transformuese”. “Unë jam këtu për t’ju garantuar se njëlloj siç ndërmorëm programet e mëdha kombëtare të zhvillimit, do të ndërmarrim programin kombëtar të peshkimit e peshkëzimit”, – shpreh Kryeministri. Pjesë e programit për zhvillimin e këtij sektori është edhe mbështetja për industrinë e përpunimit dhe fuqizimit të flotiljes së peshkimit për të cilën lideri i mazhorancës garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të krijuar lehtësitë e nevojshme, për investimet në industrinë e peshkimit. “Ky sektor ka një rëndësi të madhe në ekonomi ndërsa realiteti tregon se është një sektor gjysmë i harruar. Kjo është një industri cila fatkeqësisht nuk punon me lëndë të parë të vendit por të importurara. Ky është realiteti. Dhe ky realitet kërkon një ndërhyrje të fuqishme transformuese dhe unë jam këtu për të garantuar njëlloj siç morën programet e mëdha kombëtar të zhvillimit do të marrin programin e peshkimit. Duhet të lançojmë një program kombëtar i cili të përdorë të gjithë metodat, mundësitë dhe stimujt për ta spostuar këtë ekonomi në nivele shumë më të larta se këto që ekzistojnë sot”, – tha Berisha. Sipas tij, një temë e tillë sot merr një rëndësi të veçantë, kur kriza ka pllakosur vendet e zhvilluara, bëhet e qartë se beteja më themelore, është beteja mes rritjes ekonomike dhe recesionit. “Në detyrimin e vendeve të bëjnë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, ju garantoj nëse hedhim vështirim te potencialet e vendit dhe realitetit, ne kemi potencial edhe për dhjetë herë më shumë”, – tha ai. Shefi i mazhorancës theksoi se vendi ynë ka potenciale të mëdha për zhvillimin e këtij sektori dhe kthimin e tij në një sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

 

 

15-vjetori i masakrës së Prekazit, Berisha: Kruja e dytë për shqiptarët

15-vjetori i masakrës së Prekazit u përkujtua dje edhe në Tiranë. Në ceremoninë e organizuar nga bashkia e kryeqytetit pranë bustit të Adem Jasharit, mori pjesë edhe Kryeministri Berisha. Pas vendosjes së kurorës me lule pranë bustit të Adem Jasharit, lideri i qeverisë u shpreh se në këtë ditë mbarë kombi shqiptar përulet me nderimin me të thelle para komandantit legjendar Adem Jashari, i cili me burrërinë, trimërinë dhe guximin mbinjerëzor, e shndërroi Prekazin në Krujën e dytë për shqiptarët. Në këtë ditë përkujtimore, Berisha u shpreh se bashkë me figurën e Adem Jasharit, nderohen dhe mijëra e mijëra, vajza dhe djem, burrë dhe gra të Kosovës, të cilët bënë luftën më të vështirë, më të pabarabartë, por dhe më heroike, me të cilën çliruan Kosovën, me të cilën i dhanë fund sundimit barbar të Millosheviçit dhe vendosën Kosovën në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian.

“Shqiptarët festuan 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë me kokën lart, me ndjenjën e krenarisë së ligjshme, gjë e cila pa veprën, pa heroizmin, pa sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë familjes së tij do të ishte e pamundur. Kosova festoi 5- vjetorin e pavarësisë së saj, në themel të së cilës qëndron sakrifica e burrit, që ra për tu bërë i pavdekshëm, komandantit dhe krye heroit të kombit shqiptar, që pasuroi aq shumë altarin e lirisë së kombit tonë. Sot, nderimi është për ata mijëra e mijëra vajza dhe djem, burra dhe gra të Kosovës, të cilët bënë luftën më të vështirë, më të pabarabartë, por dhe më heroike, me të cilën çliruan Kosovën, me të cilën i dhanë fund sundimit barbar të Millosheviçit dhe vendosën Kosovën në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian. Aspirata këto, të cilat qytetarët e Kosovës vendosmërisht po punojnë që ti realizojnë”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency