Në kuadër të objektivitetit Rama!

0
213
Nga Elona Caslli
Rama, meqënëse përmes mesazhit tënd, na servire një hartim mediokriteti që në thelb kishte mosarsyetimin dhe na ftove të kishim një vëzhgim objektiv, mbi vrasjen e djalit 25 vjeç, e kam të pashmangshme mos të shkruaj dy fjalë.
Në kuadër të vëzhgimit objektiv mbi ngjarjen Rama, duhen renditur sa vijon;
Në familjen e të ndjerit Klodjan Rasha nuk të kanë pranuar. Thjesht nuk të kanë nxjerrë jashtë. Nuk nxirret kush jashtë në mort.
A e di pse?!
Sepse nëse do të kishin pranuar në atë familje, do të ekzistonte e filmuar vizita jote sikundër edhe fjala e babait të viktimës.
Ti që gjatë tërmetit, i përballe shqiptarët me pamje horrori ku fimoheshin varrimet ” live”, nuk do ta lije të shpëtonte filmimin kur hyje krejt i “”” pranuar”””” në shtëpinë e viktimës dhe mbi të gjitha nuk do lije pa filmuar fjalët, që sipas teje ka thënë i ati i viktimës.
Ke bërë ” porno me varfërinë” duke i diskretituar njerëzit në nevojë duke i shfaqur me zë e me figurë teksa u jepje një qese ushqime.
Ke bërë ” porno me viktimat e tërmetit” duke shfaqur varrimin e tyre ” live” dhe pjesëmarrjen tënde në këto varrime duke treguar madje dhe çastin kur hapej gropa e varrit në video.
Ke bërë ” porno me ato pak shtëpi të rindërtuara nga tërmeti” duke i nxjerrë njerëzit para kamerave që të falenderonin Partinë se pa Partinë do të kishin vdekur.
Me pak fjalë, nuk ke kursyer asgjë dhe askënd në poshtërimin tënd.
Fakti që nuk ekziston një filmim i vizitës sate në atë shtëpi dhe asnjë foto, tregon qartazi sa i “”””” mirëpritur”””””””” ke qenë atje.
Nuk besoj se ka qenë Elisa që ka refuzuar filmimin për arsye etike dhe për respekt të dhimbjes së familjarëve, pasi kjo e fundit njihet që u bën video live familjarëve të një vajze të përdhunuar dhe së fundmi deklaron se këto ngjarje ndodhin kudo dhe madje bëhen edhe filma. Mora shembullin e Elisës meqënëse të shoqëronte.E para kjo.
E dyta, jo për nga rëndësia por për nga renditja, në hartimin tënd mediokër përpiqesh ta trajtosh policin vrasës si një përjashtim nga rregulli.
Ndërkohë, polici vrasës nuk është i vetëm në krimin e tij.
Lind pyetja; Pse nuk është i vetëm?!
Nuk është i vetëm, pasi ekziston një institucion dhe strukturat përgjëgjëse brenda tij, që e kanë futur këtë individ në radhët e policisë.
Një individ duhet të përmbushë disa kritere, para se t’i besohet një pistoletë dhe ekziston një komision vlerësues që shqyrton nëse ky individ i përmbysh kriteret ose jo.
Pra, shteti ka dështuar që në çastin që e ka pranuar këtë individ në radhët e policisë.
E treta, polici vrasës nuk është i vetëm në krimin e tij, pasi nga Policia e Shtetit janë dhënë variante të ndryshme të ngjarjes.
Në fillim u tha se Klodjani ishte i armatosur dhe madje “”” krejt rastësisht””” u gjet edhe një pistoletë në vendngjarje.
Lind pyetja- Kush e vendosi pistoletën në vendngjarje?! Kush sajoi lajmin se i riu ishte i armatosur?!
E pra, kemi një mekanizëm të plotë në Policinë e Shtetit që bashkëvepron me policin vrasës për të mbuluar krimin.
Dhe në fund kemi deklaratën më absurde që thotë- Ishte aq errësirë sa polici nuk mund ta dallonte se ku po e qëllonte të riun, por ishte aq dritë sa polici dalloi se ai po e qëllonte.
E katërta- Përmend tragjedinë e 21 janarit, ku u vranë katër vetë. Po kaloj unë në anën e argumentit tënd dhe po fantazoj dhe po them se u vranë 40 vetë.
Po pastaj?! Çfarë do të thotë kjo?!
Se duhet të vriten edhe 39 veta të tjerë që të kemi një barazim kufomash dhe pastaj mund të fillojë dënimi i një krimi.
Pushteti nuk është garë kufomash, por garë përgjegjësie.
Fakti që pushteti ka prodhuar kufoma në të shkuarën, nuk përligj faktin se nuk duhet dënuar prodhimi i tyre në të tashmen.
Rama ke tetë vite në krye të qeverisë. Pse nuk e vure drejtësinë në vend për viktimat e 21 janarit?! Këtu fillon dhe mbaron argumenti dhe e vërteta njëkohësisht.
E pesta- U shprehe se njerëzia kishte kryer akte vulgare, pasi kishte djegur pemën e Krishtlindjes.
Njerëzia nuk dogji pemën e Krishtlindjes. Njerëzia i vuri flakën propagandës sate e cila synon që prej tetë vitesh, të na servirë një realitet ndryshe nga ç’është.
Propaganda jote dhe pema e Krishtlindjes janë dy gjëra më vete.
E gjashta- Një burrë shteti nuk pret 3 ditë për të shkarkuar ministrin dhe nuk fshihet as pas një vizite në shtëpinë e të ndjerit.
Një burrë shteti nuk bën as hartime mediokriteti dhe pranon haptazi dështimin e tij.
Një burrë shteti nuk shfaqet pranë figurës së Ismail Qemalit për të rehabilituar dështimin e tij.
E shtata, dhe më e rëndësishmja është që ti e administron pushtetin sikundër polici vrasës e administroi pistoletën.
Je thjesht dhe vetëm i papërgjegjshëm, Rama.
Post Scriptum- Në fakt, asgjë nuk kërkon sforcime më të mëdha të menduari sesa argumentimi që synon të justifikojë jomendimin.
Milan Kundera.
Elona Caslli
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here