Ambasadori italian Gaiani: Miratoni tri ligjet, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara

0
125

Florenc Drizari

massimoAmbasadori Massimo Gaiani: Të kryhen hapat e nevojshëm për integrimin

 

Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe miratimi i tri ligjeve të integrimit është thelbësor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo ka qenë deklarata e ambasadorit Italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, i cili i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të gjejnë dialogun për reformat e rëndësishme që do ta ndihmonin vendit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ambasadori i Italisë në Tiranë zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Berat dhe sipas zyrës së shtypit të Ambasadës Italiane, ai u takua me autoritetet më të larta të qytetit, prefektin Bujar Hoxhaj, kryetarin e Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj dhe kryetarin e Bashkisë, Fadil Nasufi. Nga Berati ai ka bërë thirrje për miratimin e tri ligjeve të integrimit, ndërsa ka theksuar se edhe zgjedhjet duhet të mbahen në një frymë bashkëpunimi.

MASSIMO GAIANI

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara për sa i përket procesit të integrimit evropian, që është një proces i ndërlikuar dhe kërkon shumë angazhim, por gjithsesi mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim dhe një pjesë e këtyre angazhimeve është edhe miratimi i tri ligjeve. Italia mbështet dhe shpreson që edhe këto hapa të fundit të kryhen sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndërkohë për sa u përket zgjedhjeve kërkojmë që ata të zhvillohen në një frymë të qetë bashkëpunimi dhe gjithçka të shkojë mirë, pasi koha nuk premton. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamenti i ri do fillojë punë që të aprovojë edhe miratimin e ligjeve, si dhe të kryhen hapat e nevojshëm për integrimin”, – tha ai.

NGËRÇI PËR TRI LIGJET

Por edhe pse përfaqësues të lartë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë kanë bërë thirrje të shpeshta ndaj klasës politike shqiptare që të gjëje konsensusin për miratimin e tri ligjeve, si ai për Gjykatën e Lartë, drafti për nëpunësin civil dhe rregulloren e Parlamentit, ende liderët në vend nuk ndajnë të njëjtin mendim për miratimin e tyre. Përfaqësuesit e mazhorancës që në muajin shtator të vitit të kaluar vazhdojnë ti kërkojnë votat opozitës për miratimin e projektligjeve, duke vënë theksin se ato janë kushte themelore për marrjen e statusit, ndërkohë që lidershipi i majtë ka argumentuar se draftet nuk janë ende gati për t’u hedhur në votim. Një pikë tjetër që opozita ka hezituar në miratimin e projektligjeve ka qenë edhe kushti për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në Këshillin e Qarkut të Fierit. Edhe pse deklaratat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtare kanë vënë theksin në gjetjen e një konsensusi për miratimin e reformave kyçe që do ta ndihmonin Shqipërinë në marrjen e statusit, votimi i tri ligjeve pritet të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kjo tezë është mbështetur nga të dyja palët të cilat janë shprehur se shqiptarët do ta vendosin fatin e axhendës Evropiane pas zgjedhjeve parlamentare.


 

Kryetari i LSI-së, takim me ambasadorët e Bashkimit Evropian

Pas takimit që zhvilloi një ditë më parë me ambasadorë të Bashkimit Evropian, kreu i LSI-së, Ilir Meta, rezervoi një përgjigje edhe për ftesën që Rama u bëri gjithë partive politike për koalicion kundër mazhorancës në zgjedhjet e 23 qershorit. Interesimit të medias se a do ta mirëpresë ftesën me kushte të Ramës për t’u bërë pjesë e një koalicioni, z. Meta u shpreh: “Mendoj të mos merremi me këto kushte, të merremi me tre kushtet e Bashkimit Evropian. Kjo është përgjegjshmëria më e madhe që mund të tregojmë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj gjithë përkrahësve tanë”. Ndërkaq, çështjet e integrimit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare ishin në fokus të takimit që kreu i LSI-së Meta zhvilli me ambasadorët e Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë. “Ishte një takim interesant me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë. Kemi diskutuar për zhvillimet më të fundit politike, por edhe për ato të ardhshmet, për çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian, natyrisht edhe për të gjitha sfidat për të pasur një proces zgjedhor maksimalisht transparent dhe të pranueshëm nga të gjithë. Natyrisht që ka qenë një bisedë mjaft interaktive, edhe me pyetje-përgjigje për çështje të ndryshme politike, ekonomike. Angazhimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të qartë. Prioritet kryesor mbetet avancimi i integrimit evropian, përpara zgjedhjeve por edhe pas tyre dhe njëkohësisht një proces maksimalisht transparent dhe i ndershëm zgjedhor, si një kontribut tjetër për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian por edhe hapjen e ardhshme të negociatave”, – tha Meta.

 

Aleancat politike për 23 qershorin, PBDNJ mbledh sot Aktivin Kombëtar

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pritet të mbledhë të shtunën Aktivin Kombëtar, ku do të diskutohet për strategjitë dhe aleancat politike të zgjedhjeve parlamentare 2013. Aktivi do të nisë punimet në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve. Kohët e fundit, PBDNJ ka qenë në qendër të vëmendjes sa i përket aleancave politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm pak kohë më parë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar zyrtarisht largimin nga kampi opozitar. Ndërkohë, javët e fundit është folur gjithnjë e më shumë për krijimin e një poli të tretë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency