Akuzat PD, Bulku: Rama bëri xheloz edhe Nastradinin, foli vetëm për zëdhënësen e PD-së

0
154

Florenc Drizari

bulkuDeputetja e PD-së: Rama është i njohur për mungesën e dashurisë ndaj grave dhe i përvuajtur nga mungesa e adhurimit të tyre

Rama: Bulku sapo më kujtoi filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”

 

Partia Demokratike akuzoi dje kryesocialistin Rama, duke thënë se është i paaftë t’u përgjigjet pyetjeve të bëra ndaj tij për zbardhjen e faturave financiare të familjes së tij. Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, nëpërmjet një deklarate për mediat tha se në intervistën e Ramës në “Opinion” ai ka bërë xheloz edhe Nastradinin, duke folur vetëm për zëdhënësen e PD-së gjatë një emisioni televiziv.
“Dje, kryetari i Partisë Socialiste bëri për herë të parë xheloz edhe vetë Nastradinin, kur në emisionin “Opinion”, në më shumë se gjysmën e kohës u mor me zëdhënësen 26-vjeçare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsin. Madje, sipas analizës leksikore të emisionit, Rama përdori 141 herë emrin e Sali Berishës dhe 437 herë emrin e Laura Vorpsit. Teksa është e qartë tashmë për të gjithë shqiptarët, që ti nuk u përgjigjesh dot pyetjeve të tilla, ti je i paaftë t’u përgjigjesh edhe pyetjeve të lehta të zëdhënëses së PD-së se përse ia dhe lejen e pallatit bashkëshortes sate në kundërshtim me ligjin. Përse nuk i bën publike faturat 1-milionëdollarëshe të ndërtimit të pallatit? Përse nuk tregon si e bleve tokën për ndërtimin e vilës luksoze në periferi të Tiranës? I paaftë t’u shpjegosh burrave shqiptarë se si do t’i punësosh 250 mijë gratë e tyre, ti e pate më të lehtë ta zhvendosësh tytën e pushkës nga Kryeministri Sali Berisha tek zonjusha Laura Vorpsi. Këtë zhvendosje shënjestre, nga burrat tek gratë, ti zoti Rama e ke bërë në prag të çdo fushate zgjedhore”, – u shpreh deputetja Bulku. Sipas saj, të njëjtën zhvendosje shënjestre Rama e ka bërë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2003, në përballje programesh me kandidatin e Partisë Demokratike Spartak Ngjela. “U more me Palomën e “Fiks Fare”, e cila gjithashtu të bënte pyetje të lehta, që ti, ashtu si edhe sot, ishe i paaftë t’u përgjigjeshe”, – thuhet në deklaratën e PD-së. Por deputetja e Partisë Demokratike shkoi më tej në deklaratat e saj duke thënë: “Rama është i njohur për mungesën e dashurisë ndaj grave dhe i përvuajtur nga mungesa e adhurimit të tyre, ti ke vërtetuar se ndihesh mirë vetëm mes 99-shave dhe Mjaft-ushëve të tu, që të ndryshuan jo vetëm ngjyrën e kollares, nga të kuqe në manushaqe, por edhe muret e selisë së Partisë Socialiste, madje edhe ato të vilës luksoze që po ndërton në Dajt”. Sipas saj, Partia Demokratike nuk do të kërkojë nga deputetët dhe zëdhënësit të mos e përshëndesin z. Rama, por pavarësisht nga kjo, ata, në shërbim të transparencës së publikut, do të vazhdojnë t’i bëjnë pyetje Edi Ramës, në lidhje me pasurinë e tij për pallatin e bashkëshortes dhe çmimin e tokës së vilës në Dajt, “edhe pse e dinë shumë mirë se edhe në të ardhmen do të jenë shënjestër e pushkës së këtij Nastradini, që më 23 qershor do ta kthejë atë jo vetëm drejt vetvetes, por edhe kundër gjithë Partisë Socialiste”.

 

 

 Rama: Bulku më kujtoi filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”

Pas deklaratave të deputetes së Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryesocialistit Edi Rama. Nga Twitter-i, Rama shkroi se deputetja Bulku i kujtoi filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”. “Bulku sapo më kujtoi filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”. Mos i vini faj ju lutem, karriera në PD = nusërim i sforcuar në TV”, – shkruan Rama. Ndërkaq, këto deklarata dhe reagime mes kryesocialistit Rama dhe PD-së erdhën pas intervistës që ky i fundit dha dy ditë më parë në emisionin “Opinion” në “TV Klan” të gazetarit Blendi Fevziu. Në intervistën e tij, Rama vuri theksin te abuzimi me komunikimin publik që sipas tij, zhvillon PD-ja në sytë e opinionit publik.

 

Bregu, akuza Ramës për taksën progresive: Synon ta kthejë vendin pas, në kohën e Robin Hudit

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kritikoi programin politik të opozitës nga qyteti i Korçës, duke thënë se Rama u paraqet shqiptarëve si alternativën e zhvillimit taksën më të dështuar në botë, atë progresive. Sipas saj, taksa progresive synon ta kthejë vendin pas, në kohën e Robin Hudit. Ajo që sot PS e quan Rilindje, vazhdoi Bregu, nuk është asgjë më shumë sesa përpjekja për të rikthyer komunizmin, që kjo forcë politike e ka në gjak.

Ministrja Bregu, duke i ftuar gratë që të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes politike dhe jo vetëm, ka theksuar se PD është e vetmja forcë politike, që ka respektuar ligjin për barazinë gjinore, ndërkohë që partitë e tjera ose nuk e kanë respektuar, ose e bëjnë thjesht për propagandë elektorale. “Në ndryshim nga PD-ja, – vijoi Bregu, – lideri socialist Rama nuk bën gjë tjetër, veçse sulmon gratë. Është Rama ai që sot u premton grave mundësi për punësim, ndërsa ka qenë po Rama ai që dy vjet më parë nisi fushatën me sulme ndaj tyre, duke iu shmangur në këtë mënyrë debatit me burrat”. Sipas konstatimit të Bregut, Rama nuk do të bëhet kurrë shtetar, sepse ai urren vendin e tij. Ministrja e Integrimit ka vlerësuar arritjet e mazhorancës në këto 8 vite qeverisje, duke kërkuar angazhimin e të gjitha grave për të vazhduar ndryshimin e nisur dhe për të kontribuar që jeta e çdo shqiptari të bëhet më e mirë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency