Info/kult 28 shkurt 2013

0
187

kultShuhet njeriu që inspiroi protestat kundër dashurisë për paranë

Stephane Hessel i Francës ishte njeri me shumë talente. Si spiun i Rezistencës Franceze, ai mbijetoi në kampin e nazistëve në Buchenwald duke përdorur identitetin e një të burgosuri francez që ishte i vdekur. Si diplomat, ai ndihmoi të shkruhet Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara. Dhe në moshën 93-vjeçare, pas një jete të mbarë por relativisht anonime, ai publikoi një broshurë, për të cilën edhe ai vetë kishte pritur se do të ishte pak më shumë sesa një projekt i kotë. Por ndodhi e kundërta. “Time for Outrage” (Koha për zemërim) u shit në miliona kopje gjithandej Evropës, duke e shfrytëzuar pakënaqësinë popullore ndaj kapitalizmit dhe duke e transformuar atë në një intelektual superyll brenda disa javësh. I përkthyer në gjuhën angleze, libri me përmasa të broshurës u bë burim i inspirimit për lëvizjen “Oçupy Wall Street”. Në këtë libër Hessel kërkon nga të rinjtë që të inspirohen nga rezistenca antinaziste, së cilës ai i kishte takuar dikur dhe të ngriheshin kundër asaj që ai e shihte si më të keqen: dashurinë për paranë. Libri, i cili në gjuhën franceze kishte titullin “Indignez-vous”, në vitin 2010 ishte shitur në tetë mijë kopje për vetëm 3 euro, para se të shndërrohej në bestseller. Hessel ndërroi jetë brenda natës në Paris. Ai ishte 95 vjeç. “Jam duke pritur me padurim shijen e vdekjes. Vdekja është diçka që duhet të shijohet dhe unë shpresoj që do ta shijoj timen. Ndërkohë, duke pasur parasysh se kjo nuk ka ndodhur ende dhe unë jam përgjithësisht në gjendje normale, po e shfrytëzoj kohën për të shpërndarë disa mesazhe”, i kishte thënë Hessel radios RTL në vitin 2011. I lindur në Gjermani, Hessel dhe prindërit e tij kishin emigruar në Francë në vitin 1924, ku ishin përfshirë në një lloj jete avangarde, duke u shoqëruar me njerëz të shquar, si Alexander Calder dhe Marcel Duchamp. Hessel kishte fluturuar drejt Londrës për t’iu bashkuar rezistencës së udhëhequr nga Charles de Gaulle në vitin 1941, por ishte kthyer prapë kur u okupua Franca në një mision spiunazhi më 1944, kur edhe u arrestua nga Gestapo dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të nazistëve, në Buchenwald. Një ditë para se të varej ai e ndërroi identitetin e tij me një tjetër të burgosur francez, i cili kishte vdekur. Si diplomat francez, pas Luftës së Dytë Botërore, Hessel iu bashkua panelit, në të cilin ishte përfshirë edhe ish-zonja e parë amerikane, Eleanor Roosevelt, për të shkruar Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

“Hessel na ka lënë një trashëgimi të çmuar të luftës për vlerën e të drejtave njerëzore dhe ndjenjën e tij të patjetërsueshme për liri”, ka thënë kryetari i Parisit, Bertrand Delanoe. Si socialist krenar, Hessel kishte thënë se qëllimi i librit “Time for Outrage”, ishte të bindte ose të inkurajonte të rinjtë se ata mund të ndryshojnë shoqërinë për të mirë – edhe nëse ata e ndiejnë se bota është duke u kontrolluar nga fuqitë dhe interesat financiare. Por, ai nuk e kishte pritur se do të gjente audiencë të madhe në Francë, e aq më pak në vende të tjera. Hessel ka thënë se qëllimisht nuk kishte ofruar zgjidhje. “Unë nuk jam duke ua dhënë domethënien, por po them: “Provoni të gjeni vetë se cila është domethënia”. Kryeministri francez Jean-Marc Ayrault ka thënë se Hessel ka pasur sukses në këtë qëllim. “Në Francë, në Evropë, në gjithë botën, Stephane Hessel ishte shpirti i mishëruar i rezistencës”, ka thënë ai. “Për secilën gjeneratë, për të rinjtë ai ka qenë burim inspirimi, por gjithashtu edhe referencë. Në moshën 95-vjeçare ai mishëroi besimin në të ardhmen e këtij shekulli të ri”, ka shtuar ai.

 

 

Nga Kadareja te poezia e Lleshanakut, si lexohet tradita

Një sipërmarrje jo e lehtë për të krijuar nga një distancë mjaft e shkurtër një vështrim kritik, e për ta ballafaquar këtë me traditën. Një tryezë-debat mbi librin e ri studimor të autorit Enton Bido “Nga tradita te bashkëkohësia” është zhvilluar pranë Qendrës së Artit Sigal në Durrës. Ky botim përfshin studime, kritika letrare dhe disa ese publicistike. Të publikuara përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit në periodikë, apo suplemente kulturorë këto punime trajtojnë vepra të spikatura dhe dukuri të veçanta të letërsisë shqiptare. Objekti i studimit përfshin, traditën moderne të kësaj letërsie (periudha e pavarësisë, deri autorë gjysmës së dytë të shek. XX, si Kadare, apo poetë të sotëm si L. Lleshanaku etj.).

Një nga kapitujt trajton proza si “Vjeshta e Xheladin beut” e Kutelit, “Kumbulla përtej murit” e Koliqit, më tej “Nata me hënë” e Kadaresë, “Fëmijët e natyrës” të L. Lleshanakut etj.

Në kapitullin “In memoriam” përkujtohen poeti me famë Ali Podrimja dhe poeti e përkthyesi i mirënjohur Perikli Jorgoni. Në fund të këtij botimi interesant përfshihet shkrimi për historikun e Bibliotekës Publike të Prishtinës nga Sylejman Pireva. Të ftuar në panel ishin disa nga autorët , veprat e të cilëve ishin shqyrtuar si Viktor Canosinaj (me romanin e fundit: Mallkimi i grave) Bashkim Hoxha (me disa romane) dhe Ruzhdi Gole me “Dihatje në livadhin e mbrëmjes”.

Diskutimi u përqendrua te vlerat e kritikës konstruktive të E. Bidos. Nga paneli u theksua dhe u përkrah theksi sintetik, mprehtësia dhe paanshmëria në librin e tij. Po ashtu u nënvizua edhe nga diskutantë shkrimtarë dhe publicistë si N. Spathari apo G. Kabashi rikthimi i kritikës së mirëfilltë me botime të tilla si vlerë më vete. Studiuesja e re E. Macaj theksoi cilësinë vëzhguese dhe saktësinë e autorit kur pikas problemet në veprat e marra në shqyrtim, por propozon thellimin e mëtejshëm të punës së autorit në trajtime të këtij lloji. Po ashtu Bidos iu drejtuan pyetje mbi krijimtarinë e tij në poezi. e prozë të shkurtër, si edhe ndërtimin e raportit të tij me këto tri gjini letrare. Diskutimi me vetë autorët e veprave të marra në shqyrtim zbuloi aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tyre si p.sh.: Romanet cilësorë dhe origjinalë të Canosinajt për të rritur, dramatizmi në prozën e gjatë të Bashkim Hoxhës, lirizmi modern i Ruzhdi Goles, (njëkohësisht fitues i çmimit kombëtar “Donat Kurti” në letërsinë për fëmijë me vëllimin poetik “Kureshtja për t’u rritur”). Takimi në fjalë trajtoi edhe çështje të tjera me interes bashkëbisedimi të përgjithshëm si: raporti mes gjinive të lëvruara, e shkuara dhe e tashmja e letërsisë shqipe dhe e publicistikës, libri elektronik dhe leximi tradicional, përdorimi i gjuhës standarde dhe shmangia e barbarizmave sot etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency