Kupa e Mbretit, Barcelona me makthe në kokë

0
156

Përgatiti Altin Vorpsi

 

realiReali do të vizitojë Barcelonën për të luajtur takimin e kthimit të Kupës së Mbretit. Në këtë sfidë Ronaldo me shokë janë më të avantazhuar, pasi si kurrë më parë Barcelona është në krizë identiteti. Disfata me Milanin në Champions ka hapur plagë të thella… jo më kot Roura para këtij takimi ka përdorur “taktikat” e Murinjos, duke ushtruar presion mbi arbitrin.

 

 

“Është një fakt që askush nuk e mohon dot që me (Undiano) Majenkon kemi numrat më të dobët krahasuar me arbitrat e tjerë. Ne e kujtojmë ende mungesën e tij të tolerancës në finalen e Kupës në vitin 2011 (ndëshkoi Di Marian me të kuqe). Por ne i urojmë fat. Shpresojmë që të bëjë një ndeshje të mirë, sepse Barcelona do të mendojë vetëm për Realin”. Kujdes, këto nuk ishin fjalët e Hoze Murinjos. Kësaj here përballë “El Clasico”-s së radhës këtë lloj taktike, që në boks është si një goditje poshtë brezit, polemikat për arbitrat i ka barë Hordi Roura, zv.trajneri i Barcelonës. Në prag të ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, asistenti i Vilanovës është ndalur jo pak te “xhaketat e zeza” të ndeshjes, nën drejtimin e të cilit katalanasit kanë humbur edhe të vetmen ndeshje këtë kampionat (ndëshkoi Pikenë me të kuqe në humbjen 3-2 me Sociedadin). “Ne shpresojmë që vendimet e tij të mos vendosin fatin e ndeshjes. Çdo klasike është e vështirë për t’u drejtuar për shkak të rivalitetit të madh, por ne shpresojmë që ajo të mos dalë përtej limiteve sportive”, – tregoi zëvendësi i Vilanovës.

 

Kundërshtarët

Sa i përket takimit, tekniku pret një sfidë burrërore, pavarësisht se në “Kamp Nou” luhet pas barazimit 1-1 në “Bernabeu”. “Asnjëherë nuk e di se çfarë pret nga Reali. Do të jetë një ndeshje e komplikuar, por ne jemi të përqendruar. Kundër madrilenëve ka qenë gjithnjë e vështirë. Ajo skuadër ka një buxhet stratosferik. Por ne nuk do të ndikohemi nga ky fakt dhe do të bëjmë lojën tonë ofensive”, – tha Roura.

 

Hajmalia

Kur Mesi është në ditë të mirë, atëherë edhe Barcelona është në ditë mirë. “Mesia” është kthyer në një hajmali për skuadrën e vet. Si para çdo klasikeje, pritet shumë prej tij, por sa i gatshëm është Mesi që në këtë sfidë të bëjë diferencën?: “Leo është mirë. Sigurisht që çdokush ka vend për përmirësime, por të vësh në diskutim sezonin e Mesit më duket krejt e pavend. Ai nuk është aspak i lodhur”. Lidhur me taktikën që do të përdorë sot, asistenti nuk bën të ditur asgjë: “I kemi studiuar të gjitha situatat e mundshme. Gjithçka do ta tregojë fusha. Ne jemi të përgatitur për të përdorur disa zgjidhje taktike në varësi të situatës”. Në fund, 45-vjeçari nuk mendon se Barça është favorite që e luan ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou”: “Kemi marrë rezultat pozitiv në Madrid, veçse përpara kemi Realin. Jemi ende në garë për të fituar gjithçka këtë sezon. Me Seviljen bëmë një hap për të harruar disfatën me Milanin. Në klasike nuk ka kurrë favoritë, por ne na pëlqen që ndeshjet e mëdha t’i luajmë në shtëpi. Fituesin do e vendosin detajet e vogla”.

 

Ja pse Huniado është “miku” i Murinjos

Me Majenkon, Barcelona ka statistika më pozitive se Reali në përballjet direkte. Në 6 klasiket që ky arbitër ka drejtuar, katalanasit kanë fituar 3 herë, ndërsa madrilenët vetëm 2 herë. Por me Murinjon në stol, Reali fiton 2 nga 3 klasiket e drejtuara nga 39-vjeçari dhe pikërisht dy të fundit. Reali i Murinjos ka fituar vetëm tri nga 15 ndeshjet e tij ndaj Barcelonës dhe dy prej tyre janë gjykuar nga Majenko. Ai është futur në listën e zezë të katalanasve pas arbitrimit skandaloz në finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2011. Ky gjyqtar ishte në fushë edhe në ndeshjen e parë dhe të fundit që Barcelona ka humbur këtë sezon në kampionat (3-2 kundër Real Sociedadit në janar). Nga 8.68% që ishte përqindja e humbjeve të skuadrës katalanase, përpara se Majenko të përfshihej në listën e arbitrave të La Ligas 5 sezone më parë, ajo ka shkuar në 21.5% ose 3 në 14 ndeshje.

 

 

Murinjo kundërpërgjigjet me ironi

Hoze Mourinjo u shfaq përpara gazetarëve për të analizuar sfidën e kthimit të Kupës së Mbretit kundër Barcelonës dhe 8 ditët e zjarrit për Realin që do të luajë sërish për kampionatin këtë fundjavë në të njëjtin stadium dhe më pas do të vizitojë Mançesterin për takimin e kthimit të Champions League. Portugezi zgjodhi ironinë për të komentuar deklaratën e zv.trajnerit të Barcelonës, Hordi Roura, i cili u shpreh se me arbitrin Undiano Majenko numrat flasin në disfavor të katalanasve: “Unë preferoj të kujtoj leksionet e sportivitetit që na ka dhënë Barcelona në të shkuarën ku i mëshojnë përqendrimit vetëm te loja e futbollit, të mos flitet për arbitrat dhe të mos simulosh për të ndëshkuar me të verdhë kundërshtarin. Pra, filozofia e tyre bazohet thjesht në idenë e futbollit të luajtur brenda fushës, gjë të cilën arrijnë ta bëjnë shumë mirë”.

 

Ndeshja

Shifra dhe kuriozitete

për duelin e 224 në histori

– Barcelona nuk humbet prej 22 ndeshjesh radhazi në “Kamp Nou” në të gjitha kompeticionet. Rekordi i katalanasve është 18 fitore dhe 4 barazime.

– Kryesuesit e La Ligas kanë fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e fundit përballë Realit (1 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje).

– Reali dhe Barcelona përballen për herë të 224-t në historinë e tyre. Madrilenët kryesojnë me 88 fitore ndaj 87 të blaugranave. Sot djemtë e Rourës kanë shansin t’i ekuilibrojnë shifrat.

– Reali nuk është më mbreti i transfertave. Skuadra e Murinjos ka fituar vetëm 3 nga 10 ndeshjet e saj të fundit jashtë fushe në të gjitha kompeticionet (3 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje).

– Kristiano Ronaldo ka shënuar 7 gola në 7 ndeshjet e tij të fundit kundër Barcelonës. Portugezi shënon në 5 ndeshjet e fundit në “Kamp Nou”.

– Një “El Clasico” ka luajtur në Kupën e Mbretit Barcelona në shtëpi dhe ajo ka përfunduar në barazim 2-2.

– Barcelonës i mjafton një barazim pa gola për t’u kualifikuar në finale. Ndërsa Realin e kualifikon çdo barazim me më shumë se dy gola veç fitoreve respektive.

 

 

Zvicër

Gatuzo do të jetë trajneri i ri i Sionit

Xhenaro Gatuzo do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Sionit. Të paktën kjo lihet të kuptohet në komunikatën e lëshuar nga klubi zviceran në përfundim të takimit me Thun, takim që u fitua nga këta të fundit me rezultatin 4-0. Kjo humbje detyroi drejtuesit e skuadrës të largojnë trajnerin Viktor Munjoz dhe të vendosin të ardhmen e skuadrës në duart e vetë futbollistëve. “Humbja ndaj Thun na bëri të vendosim lojtarët përballë përgjegjësisë së tyre. Pra ata do të drejtojnë veten sipas hierarkisë në skuadër, duke nisur nga kapiteni”, – thuhet në deklaratën e Sionit. Pas këtij vendimi të klubit, Gatuzo do të jetë lojtar-trajner të paktën deri në fund të sezonit. Gatuzo që në janar mbushi 35 vjeç la Milanin në muajt e verës për t’iu bashkuar kampionatit zviceran ku mori dhe shiritin e kapitenit.

 

Itali

Napoli “përqafon” Maradonën

Rikthimi i Maradonës në Itali pas shumë vitesh ka ngjallur një entuziazëm të jashtëzakonshëm në qytetin ku ai konsiderohet ende një idhull i gjallë, Napoli. Dy herë kampioni i botës me Argjentinën nuk mund të rikthehej në Itali, ku rrezikonte të arrestohej për evazion fiskal. Ai i detyrohej shtetit italian disa miliona euro dhe rikthimi i tij në vend ndodhi vetëm pas një amnistie fiskale të autoriteteve. Në mbërritjen në Napoli, disa dhjetëra mijëra persona dolën në rrugët e qytetit, për t’i dhënë mirëseardhjen “El Pibe de Oro”-s. Ndonëse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, besohet se Napoli do të përgatisë një ceremoni të veçantë në nder të 53-vjeçarit, në ndeshjen e ardhshme të kampionatit, atë me Juventusin.

 

Pep si 007

Pike, Deko dhe Eto janë përgjuar nga ish-tekniku i Barçës

Pep Guardiola ishte një person i frikësuar pas jetës private të lojtarëve të tij te Barcelona dhe për këtë arsye ka përdorur shpesh shërbimet e një hetuesi privat për të parë si veprojnë ata gjatë periudhës së ditës dhe natës kur nuk ishin në klub. Sipas “El Confidencial”, trajneri i Barcelonës urdhëroi kompaninë e hetuesve privatë “Metodo 3” që të vëzhgonte nga afër jetën e mbrojtësit Zherard Pike, sidomos lidhjen e tij me këngëtaren Shakira, pasi dyshonte se futbollisti ekzagjeronte me jetën e natës që pas kësaj lidhjeje sentimentale. Sipas Ksavier Martorelit, personit të cilit iu besua kjo detyrë mjaft e veçantë, Guardiola ishte i fiksuar që lojtarët e tij të kishin një jetë private sa më të qetë dhe të mos bënin jetë nate. Kjo është arsyeja pse trajneri herë pas here bënte telefonata surprizë në shtëpitë e tyre për të parë nëse gjendeshin aty po kishin dalë. Por Pike nuk ishte rasti i parë kur ai përdorte hetuesit privat, pasi mediat spanjolle kanë zbuluar se para mbrojtësit, nën vëzhgimin e kësaj agjencie kishin përfunduar edhe Ronaldinjo, Deko dhe Eto.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency