Sonja Caka
Gjykata: I pandehuri Elton Saraseli nuk pranoi t’i dorëzonte pronarit të shoqërisë paratë e xhiros, për mallin e shitur në Pogradec. Maksimumi për këtë vepër penale parashikon dënimin deri në 10 vjet
Gjashtë muaj burg është dënuar menaxheri i një kompanie për vjedhjen e xhiros së shitjeve të bëra në një nga qytetet e vendit. Pas shitjeve të kryera në qytetin e Pogradecit, menaxheri i pandehur nuk u duk më në kompaninë ku ushtronte detyrën, duke bërë që kreu i saj të vihej në lëvizje dhe pas disa tentativave të dështuara për ta kontaktuar, t’i drejtohet organit të akuzës në kryeqytet për hetime të mëtejshme. I akuzuar dhe i marrë i pandehur për këtë vjedhje është i pandehuri Elton Saraseli, i cili në përfundim të gjykimit është dënuar vetëm me 4 muaj burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ndërkohë që çështja ishte kthyer për gjykim pas vendimit të po kësaj gjykatë për rivendosje në afat. I pandehuri ishte dënuar më parë në mungesë dhe kërkoi rizhvillimin e gjyqit me pretendimin se nuk kishte marrë dijeni më parë për këtë proces.
Ngjarja
Sipas gjykatës, Elton Saraseli ka qenë me detyrën e shpërndaresit në shoqërinë “Cosmos viroi”, i cili tregton artikuj të ndryshëm nëpër rrethe. Për këtë detyrë është lidhur dhe kontrata e punës. Për të realizuar detyrën e tij, i është dhënë në përdorim të pandehurit një mjet tip furgon me targa TR 3715 R, me qëllim që të udhëtonte në çdo rreth për të shitur produktet e firmës. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 14 janar të vitit 2009, ky i pandehur ka tërhequr me nënshkrimin e tij një sasi malli nga magazinat e shoqërisë dhe është nisur për në Pogradec, i shoqëruar nga punonjësi tjetër i shoqërisë Jani Haxhiraj. Ata janë kthyer të nesërmen, dhe i pandehuri Elton Saraseli ka dorëzuar mjetin, por nuk ka dorëzuar paratë e xhiros ditore. Nga ana e drejtuesit të shoqërisë, duke konstatuar se megjithëse kishin kaluar disa ditë dhe i pandehuri nuk e ka dorëzuar këtë shumë, ka tentuar të lidhet me të nëpërmjet telefonit dhe Saraseli ka përcjellë justifikime të ndryshme, deri sa arriti një moment që, i pandehuri ka deklaruar se nuk do ta kthejë këtë shumë. I gjendur përballë kësaj situate, drejtuesi i shoqërisë Edmond Mahmutaj, i’u drejtua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me një kallëzim penal kundër të pandehurit Elton Saraseli, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes se kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Në kallëzimin e tij, si dhe në dëshminë e dhënë para Gjykatës, shtetasi Edmond Mahmutaj shpjegoi se punonjësi i tij Elton Saraseli është larguar nga puna, duke vjedhur lekët e xhiros së mallit të shitur. Sipas gjykatës, përsa i përket cilësimit ligjor të fakteve të parashtruara më sipër, Gjykata vëren se, neni 135 i Kodit Penal parashikon se “Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.” Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata e dënuar të pandehurin vetëm me 4 muaj burg, me argumentin e shuma e vjedhur e xhiros ditore nuk ishte shumë e madhe.
Vendimi
Gjykata vëren gjatë arsyetimit të vendimit se në rastin konkret, siç rezultoi nga shqyrtimi gjyqësor, i pandehuri Elton Saraseli duke shfrytëzuar cilësitë e tij si manaxher i firmës për furnizimin me produkte të kësaj firme, ka realizuar vjedhjen e një shume të konsiderueshme lekësh për mallin që shpërndante në këtë zonë sipas faturave përkatëse në këtë shoqëri. Gjithashtu, në vendimin e saj Gjykata vëren se, referuar mekanizmit të ngjarjes është fakt se të pandehurit Elton Saraseli i është krijuar mendimi se, si manaxher i firmës dhe besimit që kishin distributorët tek ai për mallin që shpërndante, i jepnin dhe lekët e mallit për t’i dorëzuar në shoqëri dhe që i pandehuri duke menduar se nuk do të kishte dyshime te ai është realizuar vjedhja e lekëve të mallit që shpërndante nëpër distributorë.
Akuza
Për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” të parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal
Gjyqi
Vrasja e Kërrabës, më 18 mars fillon gjyqi i Nazime Vishës
Gjyqi i Nazime Vishës, e akuzuar për vrasjen me paramendim të Fiqiri Muçës është caktuar për t’u zhvilluar më 18 mars. Do të jetë gjyqtari Gerd Hoxha kryesues i trupit gjykues që do të shqyrtojë këtë çështje. Dy javë më parë, prokurori i çështjes Blerim Tominaj ka dërguar në gjyq kërkesën për gjykim për këtë të pandehur, e akuzuar për vrasjen e ndodhur në gusht në Kërrabë, ku 18-vjeçarja vrau të dashurin e saj Fiqri Muça. Sipas organit të akuzës, më datë 13 gusht 2012, rreth orës 00:30 Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit, për të përfunduar pranë banesës së Nazime Vishës, të cilën e ka lajmëruar se do të shkonte ta merrte. Rreth kësaj ore, pasi ka trokitur në banesën e saj, personi nën hetim Nazime Visha, duke patur dijeni se do të shkonte për ta marrë, duke patur parasysh rrethanat e reja të krijuara ka marrë një armë automatike, të cilën e mbante pa leje dhe pretendonte se e ka gjetur në një tunel pranë fshatit të saj, dhe me të ka qëlluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj viktimës, i cili duke parë situatën është larguar me vrap, por është ndjekur nga Nazime Visha e cila ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Fiqiri Muça është gjetur në një të përpjetë ku ka gjetur dhe vdekjen. Sipas ekspertizës së kryer ka mbi pesë goditje të cilat kanë qenë në pjesët vitale të trupit duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj, Nazime Visha pretendon se ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen e ndodhur, dhe sipas akuzës, aty ka pritur derisa kanë mbërritur shërbimet policore dhe e kanë arrestuar. Duhet theksuar se nga kqyrja e vendit të ngjarjes, atë mbrëmje dhe të nesërmen janë sekuestruar 29 gëzhoja, një palë syze, telefona celularë, arma automatike e sende të tjera, të cilat janë dërguar për ekspertim në institutin e policisë shkencore, por ende nuk kemi marrë përfundime. Në lidhje me momentin për të cilin po flasim duhet sqaruar dhe momenti i deklarimit të shoferit të taksisë Myrvet Bardhi. Ai ka deklaruar se: “Në momentin që ka dëgjuar krisma ka parë të ndjekin viktimën Fiqiri Muça jo vetëm Nazime Visha, por edhe xhaxhai e gjyshja e saj”.
Vendimi
I ngatërron nga frika e hakmarrjes, rrihet keqazi me policët
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 6 muaj burg të pandehurin Ermal Balla, pasi ka kundërshtuar dhe dhunuar punonjësit e policisë. Para hetuesve, i pandehuri Balla është justifikuar se nuk e ka mësuar menjëherë se djemtë që po e vëzhgonin dhe më pas i kërkuan të ndalojë ishin policë, pasi i ka menduar të afërm të personit që kishte vrarë. Sipas gjykatës, rezulton se katër efektivët e policisë me të cilët është përleshur Balla ishin në detyrë, civilë kur i kanë kërkuar të pandehurit të ndalojë, madje duke iu prezantuar edhe si policë. I pandehuri Ermal nuk ka ndaluar por, është kthyer dhe ka goditur menjëherë me grusht në fytyrë specialistin e policisë Eduart Struga dhe më pas është larguar menjëherë me vrap. Në këto kushte, punonjësit e policisë Klodian Kondi e Ergys Gjoni kanë ndërhyrë për ta ndalur të pandehurin por, ky i fundit ka reaguar duke goditur me grusht në qafë Klodianin dhe në kokë Ergysin. Për shkak të agresivitetit të të pandehurit, punonjësit e policisë kanë ushtruar forcë, duke e ulur në tokë dhe më pas e kanë prangosur të pandehurin. Në vijim punonjësit e policisë kanë bërë edhe shoqërimin në ambjentet e policisë të të pandehurit Ermal Balla. Para hetuesve, Balla ka shpjeguar se, ai ka qenë i dënuar për veprën penale të “vrasjes” me armë zjarri të shtetasit Zyber Balla, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 278/2 i Kodit Penal dhe katër djemtë që i kanë kërkuar të ndalojë i ka kujtuar të afërm të viktimës.