Debati për statistikat në Parlament Bode: Shqipëria nuk është në krizë, opozita manipulon shifrat, kërkon falimentimin e bankave

0
104

Florenc Drizari

ridvani“Sot jemi 5 vjet nga fillimi i krizës globale, ja ku jemi. Shqipëria vijon të veprojë në një terren pozitiv rritjeje”

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro dhe 53 kundër projektligjin e ndryshuar për statistikat zyrtare, ndërkohë që shqyrtimi i këtij drafti në sallën e Parlamentit u shoqërua me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se ndryshimet që i janë bërë projektligjit, janë në plotësim të objektivave të vendosur në programin e ri statistikor dhe synojnë një sërë përmirësimesh, siç është rritja e cilësisë dhe e transparencës statistikore. Por deputetët e opozitës akuzuan përfaqësuesit e mazhorancës për kontroll politik ndaj INSTAT-it, gjë që, sipas tyre, ka çuar në humbjen e besimit ndaj këtij institucioni.

RIDVAN BODE

Debati që u zhvillua mes deputetëve të pozitës dhe opozitës për ligjin e ndryshuar të statistikave kaloi edhe në debat politik mbi programet politike të dy forcave kryesore në vend. Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se Shqipëria e ka përballuar me sukses krizën ekonomike globale dhe për këtë iu referuar edhe statistikave të publikuara nga disa institucione ndërkombëtare si EUROSTAT-it. “Kriza financiare është e tejkaluar dhe bankat shqiptare ishin solide siç thamë ne. Se asnjë centim paratë publike nuk u përdorën për të investuar në sistemin tonë financiarë ndaj vështirësive që pati ky sistem në Shqipëri. Opozita deklaroi krizë të thellë ekonomike. Nxori rastin e Greqisë si gogol, të shihni ju pas dy muajsh, tre muajsh që Shqipëria të bëhet më keq etj., etj. Sot jemi 5 vjet nga fillimi i krizës globale, ja ku jemi. Shqipëria vijon të veprojë në një terren pozitiv rritjeje, çka përbën rastin unikal në rajonin tonë, në Evropë. Këtë nuk e themi ne, këtë e thonë institucionet ndërkombëtare”, – deklaroi kreu i financave të shtetit. Ndërkaq, sipas ministrit Bode, opozita vijon të shkaktojë panik për sistemin financiarë në vend, duke manipuluar shifra me organizata të krijuara prej saj. “Fabrikon në zyrat e saj përmes një sërë OJQ-sh të themeluara nga opozita të dhëna dhe statistika, raporte dhe publikime të cilat nuk reflektojnë aspak realitetin. Bazon të gjithë angazhimin e saj politik se për të bërë një alternative as që bëhet fjalë. Thjesht në të tilla raporte të sajuara në zyrat e PS-së dhe nuk pranon realitetin i cili është ndryshe nga sa pretendon opozita. Kjo opozitës për fat të keq të vendit kërkon një Shqipëri me banka të falimentuara dhe ka dalë jo një herë, por disa herë përgjatë krizës financiare me thirrjet për falimentimin e bankave dhe me hapjen e panikut në publik për sistemin tonë financiarë”, – deklaroi një ditë më parë ministri i Financave Ridvan Bode nga foltorja e Kuvendit.

TAULANT BALLA

Në ndryshim me deklaratat e përfaqësuesve të mazhorancës, deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për përdorim politik të institucionit të statistikave. Sipas deputetit socialist Taulant Balla brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, PS do të rikthejë pavarësinë institucionale të INSTAT duket e vënë nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë. “Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qytetarëve dhe faktorëve ekonomikë. Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo masë do të jetë pjesë e planit tonë të 100 ditëve të para”, – u shpreh deputeti Balla.

 

 

 

KQZ shqyrton raportet e dy auditëve, përplasje shifrash mes PD-së dhe PS-së

KQZ e nis me debate shqyrtimin e dy raporteve të auditëve të PD-së dhe PS-së për shifrat e nxjerra nga zyrat e gjendjes civile. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme shqyrtoi, “Raportet e ndërmjetëm të auditëve teknicien për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së dhe procesin e hartimit të listave”. Dy auditët teknicienë, Genti Malko dhe Dashamir Çali, raportuan para Komisionit Qendor të Zgjedhjeve lidhur me verifikimet e bëra në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Raporti i auditit Dashamir Çali i referohej periudhës deri në 3 janar të vitit 2013 ndërsa raporti i auditit Genti Malko i referohej periudhës deri në 3 shkurt të vitit 2013. Auditët që monitorojnë pastrimin e listave të zgjedhësve në ministrinë e Brendshme kanë replikuar ndërmjet tyre dhe me anëtarët e KQZ-së mbi vërtetësinë e shifrave që kishin paraqitur në 2 raporte krejtësisht të ndryshme. Dashamir Cali, auditi i propozuar nga PS tha se nga kontrollet janë faktuar parregullsi të rënda në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, ndërsa në lista përveç të vdekurve figurojnë edhe individë që kanë dorëzuar shtetësinë. Sipas tij janë vërtetuar mbi 5 mijë raste dublimesh. Por sipas kolegut të tij demokrat dhe anëtarëve të KQZ-së, përveçse ka përdorur të dhëna të vjetra, Cali ka tejkaluar ligjin me disa prej kontrolleve të tij. “Janë regjistruar 542.681 zgjedhës pa adresë. Nuk janë në ekstraktin përbërëse zgjedhore 239.859 zgjedhës, të cilët kanë qenë në listën përfundimtare të vitit 2011. Është një regjistër kombëtar komplet i pabesueshëm”, tha Dashamir Cali, audit i PS. “Ju jeni audit, teknicien, konkluzionet nuk i bëni ju? Krahasimin me 2011 përse i keni bërë dhe me çfarë nocioni? Sepse ne për detyrë kemi fotografimin”, tha Lefteri Lleshi, kryetare e KQZ-së. Në raporte zgjedhësit e dyshuar si të dubluar, sipas auditit të PD, Genti Malko rezultojnë të jenë 43 186, ndërsa kolegun e tij të PS-së, kjo shifër është 65 702 persona. Në mbledhje u diskutua gjatë për aksesin e kufizuar të auditit të PS në regjistër kundrejt atij të PD-së, arsye e cila solli ekzaminimin e listave të ndryshëm.

 

Votimi në Kuvend, 122 deputetë të pranishëm


Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”
121 vota Pro
0 Kundër
2 Abstenime, Pandeli Majko dhe Arben Isaraj

Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e sektorit të gazit natyrorë.
124 vota Pro
0 Kundër
0 Abstenim

Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për statistikat zyrtare “të ndryshuar”.

71 vota pro
53 Kundër
0 Abstenim

Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në legjislacionin në fuqi për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

72 vota Pro
51 Kundër
0 Abstenim

Miratimi i projektligjeve të mbetura pa u votuar në seancë e javësh së shkuar parlamentare:

Projektligji “Për ratifikimin e Protokollit Opsional të Konventës për të drejtat e fëmijës, “Për procedurën e Komunikimit”.
122 vota Pro
0 Kundër
0 Abstenim

Projektligji për prodhimin, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsive të ullirit

123 vota Pro
0 Kundër
1 Abstenim, Pandeli Majko

Projektvendimi për miratimin e Programit të Statistikave Zyrtare për periudhën 2012-2016

72 vota Pro
53 Kundër
0 Abstenim

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency