Ina Jano
Nismës së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli i bashkohen mijëra gra dhe vajza për të manifestuar me kërcim ndaj dhunës
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është pushtuar paraditen e djeshme nga mijëra gra dhe vajza të cilat kanë kërcyer kundër dhunës ndaj tyre. Nismës së Kryetares së Kuvendit i janë bashkuar vajza nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërkohë që nuk munguan edhe shoqatat për mbrojtjen e grave të cilat dolën në sheshin përballë Kryeministrisë për të realizuar një manifestim ndryshe në Tiranë. E konceptuar si një revolucion mbarëbotëror kundër dhunës së grave, “One Billion Rising”, nënkupton ngritjen e zërit të miliardave grave në të gjithë botën në ditën e Shën Valentinit kundër gruas. Për herë të parë të rejat e gratë shqiptare u bënë pjesë e aktivitetit më të madh në historinë e lëvizjes kundër dhunës ndaj gruas. Ato iu bashkuan zërit të fuqishëm global që ngrihet për t’i thënë “Jo” dhunës. Duke kërcyer nën tingujt e këngës himn “Break the chain” që në shqip përkthehet “Këputni zinxhirët” dhe nën një koreografi të mirorganizuar të gjitha vajzat e shkollave të mesme të Tiranës kërcyen. Gjithashtu mes tyre e veshur në mënyrë sportive dhe jashtë kostumit zyrtar, zonja Topalli me xhinse dhe bluzë ngjyrë vjollcë, simbol për dhunën kundër gruas ju bashkua aktivitetit duke kërcyer dhe kënduar së bashku më të gjitha vajzat e tjera. Një vend të veçantë në publik, zinin edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, të Partisë Demokratike, të cilat ju bashkuan nismës për të dhënë një mesazh sensibilizues për të gjitha gratë e tjera. Ato kënduan e kërcyen këngët më të bukura dedikuar dashurisë për gruan, “Respect”, “Woman in Love”, “When a Man Love a Woman”, “No Women No Cry”, “You Are Not Alone”, “Liberian Girl”, “I’m Every Woman” etj. Artistet e dashura Ema Andrea, Juliana Pasha, Rosela Gjylbegu, Keisi Tola u bënë pjesë e kësaj nisme, duke u ngritur të gjitha së bashku kundër dhunës ndaj gruas. “Një miliard që ngrihen nisi si një thirrje bazuar në statistikën e tmerrshme se një në tre gra në botë është dhunuar në jetën e saj. Një miliard gra që ngrihen është një revolucion. Një miliard vajza të reja e gra në gjithë botën u ngritën për të treguar fuqinë e tyre, për të thënë: “Mjaft dhunës!””, – tha gjatë fjalës së saj Kryetarja Topalli. Kjo lëvizje është një forcë që po rritet e që përfshin njërëz të shquar, parlamentarë të Parlamentit Evropian e nga e gjithë bota, vajza, nëna e bija. Bota sheh sot fuqinë e të qenit së bashku në mbrojtje të kësaj kauze. Kryetarja e Kuvendit i uroi të gjithëve Ditën e Dashurisë duke mos fshehur emocionet e saj që kaq shumë vajza të reja e gra iu bashkuan ftesës “Një miliard që ngrihen”. “Ju keni lënë shtëpinë, keni lënë rutinën e ditës e keni ardhur këtu. Ju keni lënë punën dhe jeni bashkuar ftesës për tu ngritur. Ju keni lënë shkollat për t’u ngritur e për të kërcyer kundër dhunës. Ju, të gjitha jeni bashkuar për të kënduar, për t’u ngritur e për të kërcyer, këngën himn “të këpusim zinxhirët”. Një miliard gra në botë, apo një ndër tre gra përjetojnë dhunën gjatë jetës së saj. Një miliard gra që dhunohen është një barbari. Një miliard gra që ngrihen është një revolucion. Çdo grua, çdo nënë, çdo e re sot këtu ua kujton të gjithëve forcën që secila prej nesh ka brenda vetes për të bërë ndryshimin. Në emër të dashurisë, Gruaja, e mrekullueshmja, e vërteta, fenomenalja, e pazëvendësueshmja. Ngrihet me pasionin e saj. Ngrihet me dashurinë unike të saj. Dashuria fiton mbi çdo gjë. Ajo do fitojë! Ne do fitojmë!”, – nënvizoi gjatë përshëndetjes së saj të shkurtër zonja Topalli. Lule, tollumbace me zemra kanë shoqëruar rrugët e Tiranës në më të bukurën ditë të dashurisë.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për aktivitetin në Tiranë
Nisma e Kryeparlamentares Topalli duket se ka bërë bujë aq sa mediat kryesore ndërkombëtare kanë shkruar për të. Për herë të parë në Shqipëri, u mbajt aktiviteti “One Billion Rising”. CNN ka postuar një video të xhiruar gjatë aktivitetit, ku vajzat kërcenin nën ritmet e “Break the Chain”, si një formë për të mposhtur dhunën që ekziston ndaj kësaj shtrese. Ky është një aktivitet që mbahet për herë të parë në vend, dhe për këtë shkak edhe kurioziteti është i madh, edhe nga ndërkombëtarët.
Bregu në Londër, merr mbështetje për statusin e Shqipërisë
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu është duke zhvilluar një vizitë në Londër. Zonja Bregu me anë të një statusi në faqen e saj zyrtare në Facebook ka bërë me dije se është takuar me homologun e saj David Lidington. Ndër të tjera ai ka vlerësuar se vendi i tij mbështet zgjerimin e Bashkimit evropian me të gjitha vendet e Balkanit Perëndimor, duke qenë se kjo është një politikë që promovon stabilitet. Duke e konsideruar si nj mik të shqiptarëve, Bregu shkruan në postimin e djeshëm: “Miq, ju përshëndes nga Londra ku kam takuar sot një mik të shqiptarëve, ministrin e Çështjeve Evropiane David Lidignton”.
Ai vlerësoi si mbresëlënës progresin e Shqipërisë;se idealja do të ishte që tre ligjet të ishin votuar përpara Samitit të dhjetorit e se shpresonin shumë që kjo do të ndodhte. Ai u shpreh se Britania e Madhe do të mbetet mbështetëse e procesit të zgjerimit të Evropës me vendet e Ballkanit Perëndimor, si një politikë që promovon stabilitet.
Berisha, takim me Menduh Thaçin: Fushatë zgjedhore konstruktive
Kryeministri Berisha u takua dje me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, zotin Menduh Thaçi. Në qendër të bisedimeve ishte situata në Shqipëri dhe në Maqedoni. Kreu i qeverisë, Berisha, dhe zoti Thaçi u ndalën në përgatitjet që po bëhen në të dyja vendet për zgjedhjet e ardhshme. Berisha e përgëzoi Thaçin për angazhimin për një fushatë zgjedhore të civilizuar në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky i fundit e njohu Kryeministrin me vendosmërinë e tij për një fushatë elektorale të qetë dhe konstruktive. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për problemet e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Kryetari i mazhorancës e përgëzoi zotin Thaçi për qëndrimet e tij dhe të PDSH-së, të cilat janë në interesin më të mirë të shqiptarëve në Maqedoni dhe Maqedonisë në tërësi.
Kryeministri uron me foton e tij dhe të bashkëshortes për Shën Valentin
Në një mënyrë të veçantë dhe origjinale, ka uruar dje kreu i qeverisë të gjithë shqiptarët me rastin e 14 shkurtit, festës së Shën Valentinit. Paraditen e djeshme me anë të një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, kreu i ekzekutivit ka uruar të gjithë për festën e dashurisë, por urimi është shoqëruar edhe më një foto të tijën dhe të bashkëshortes zonjës Liri Berisha duke pirë kafe në një nga qendrat tregtare të kryeqytetit. “Gëzuar Shën Valentinin, ditën e zemrës suaj, zjarri i të cilës sublimohet në më të mirën e njeriut, në mrekullinë e tij që e bën atë të jetë vetvetja!”, – uroi dje numri një i mazhorancës. Por jashtë atmosferës së festës nuk ka qëndruar edhe kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi kanë lëshuar një tullumbace në sheshin “Skënderbej” si simbol të dashurisë. Por ndërkohë edhe liqeni artificial i Tiranës ka qenë një tjetër vend, të cilin çifti Meta kanë zgjedhur ta vizitojnë, me atë rast edhe për të bërë ndonjë foto.