Dënohet me burg “sekseri” i gjykatës, mori 2.4 milionë lekë

0
353

Elton Qyno

Zbardhet skema e mashtrimit që Vladimir Dumi u bënte qytetarëve për t’i ndihmuar në gjykatë dhe prokurori

 

gjykataNjë “sekser” që mashtronte qytetarët, se do t’i ndihmonte për t’u mbyllur problemet që kishin në prokurori dhe gjykata, është dënuar me 1.4 vite burg. Vladimir Dumi, në pamundësi për të gjetur punë dhe për të mbajtur familjen e tij në Tiranë, ka vendosur të mashtrojë qytetarët, ku disa prej të cilëve ka arritur t’u marrë shumë financiare, në këmbim se do të ndërhynte në prokurori dhe gjykatë, për t’u pushuar çështjen apo në mënyrë që t’u ulte masën e dënimit. Mirëpo nga të gjitha ato që premtonte asnjë nuk realizonte, për shkak se sapo merrte lekët, ai largohej, duke iu shmangur takimeve, madje në disa raste udhëtonte jashtë shtetit, si në Greqi. Nga shumë raste të dyshuara, prokuroria dhe gjykata e Tiranës kanë mundur të faktojë vetëm një rast, ku Vladimir Dumi ka marrë 2.4 milionë lekë, me qëllim uljen e dënimit ose pushimin e akuzës së “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ngritur ndaj shtetasit Dardan Koçi. Këto para janë marrë borxh nga familjarët e Koçit, të cilët kanë shpresuar shumë tek aftësitë e sekserit që kishin gjetur. Mirëpo sapo ka marrë lekët, Vladimir Dumi ka filluar t’i shmanget takimeve, veprime këto që u bënë akoma më të shpejta në momentin kur Dardan Koçi u shpall fajtor nga gjykata me 6 vite burg.

Mashtrimi

I pandehuri në fillim të vitit 2011 nëpërmjet një shoku të tij, shtetasit Lubjan Berisha, është njohur me shtetasin, të dëmtuarin Marlind Ymeri. I dëmtuari Marlind, pasi është takuar me të pandehurin në lokal “Fresku”, që ndodhet afër prokurorisë, ka biseduar dhe e ka pyetur atë se mund ta ndihmonte me anë të një avokati në lidhje me zgjidhjen e çështjes së shtetasit Dardan Koçi, i cili ishte vëllai i të fejuarës së Marlindit, i cili në atë kohë ishte akuzuar nga organi i akuzës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe se po hetohej me masë sigurimi “Arrest në burg”. I pandehuri Vladimir Dumi ka pranuar që ta ndihmonte duke i thënë se kishte njohje me persona të ndryshëm të cilët punonin në prokurori. Pas disa kohësh shtetasi Dardan Koçi ka dalë në gjyq dhe me vendimin nr. 300 akti dhe nr. 943 vendimi, datë 13.6.2012, ai është deklaruar fajtor 6 vjet burgim. Vladimir Dumi, meqenëse nuk ka mundur ta ndihmojë dot në këtë fazë të gjykimit, i ka premtuar se do ta ndihmonte në Gjykatën e Apelit Tiranë kundrejt një shpërblimi. I pandehuri për këtë qëllim i ka kërkuar të dëmtuarit Marlin Ymeri një shumë prej 240.000 lekësh, për të biseduar me gjyqtarin e çështjes për t’i ulur masën e dënimit Dardan Koçit. I dëmtuari Marlind Ymeri, duke ditur gjendjen shëndetësore të babait të Dardanit, si dhe duke menduar se me të vërtetë i pandehuri Vladimir kishte njohje në gjykatë dhe mund të bënte të bënte të mundur uljen e masës së dënimit për kunatin e tij ka vendosur që t’ia japë këtë shumë lekësh, të cilat i kishte marrë borxh tek shtetasi Antonio Shtufi.

Zbulimi i mashtrimit

I pandehuri pasi ka marrë këto para vazhdimisht ka komunikuar me të dëmtuarin dhe me nënën e shtetasit Dardan Koçi, shtetasen Irma Koçi, duke u premtuar atyre se po merrej me këtë çështje dhe se do ta zgjidhte shumë shpejt atë. Me kalimin e kohës shtetasja Irma Koçi ka filluar të dyshojë në sjelljen e të pandehurit dhe ka vajtur vetë tek Gjykata e Apelit Tiranë. Ka kontrolluar tek vendi ku shpallen datat e gjyqit dhe ka konstatuar se data e gjyqit të djalit të saj Dardan ndryshe nga sa premtonte i pandehuri nuk kishte dhe nuk ishte caktuar dita e gjyqit. Në këto kushte shtetasja Irma Koçi dhe Marlind Ymeri kanë tentuar që të takojnë të pandehurin, por nuk e kanë takuar atë për shkak se ai i shmangej takimeve dhe në çdo rast premtonte se do të realizonte uljen e masës së dënimit dhe në rast të kundërt do tu kthente shumën e marrë. Më pas i pandehuri ka shkuar në Greqi duke iu shmangur premtimeve që kishte bërë.

 

Ngjarja në Kukës
Bora e dendur, dy persona rrezikuan të binin në greminë

Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit, po shkaktojnë probleme në qarkullimin e automjeteve. Mbrëmjen e djeshme një automjet është bllokuar në afërsi të një gremine në Kukës dhe nuk mund të lëvizte më tej për shkak të trashësisë së dëborës. Lajmi u bë i ditur nga vetë drejtuesi i mjetit, i cili bëri apel për ndihmë pasi e shikonte të pamundur vazhdimin e udhëtimit. Mësohet se automjeti i bllokuar ishte një fuoristradë me targa FR 54 52 D, me të cilën udhëtonin 2 persona. Pas publikimit të lajmit, dy borëpastruese u nisën për në vendin e ngjarjes për tu ardhur në ndihmë personave të bllokuar. Deri në orën 22:00 të mbrëmjes ende nuk ishte realizuar nxjerrja nga situata e vështirë e tyre për shkak, të trashësisë së madhe të dëborës, e cila krijonte vështirësi edhe për borëpastruesen. Ndërkohë që në ndihmë kanë shkuar dhe banorë të zonës.

Droga në Pogradec

Bllokohen 27 kg drogë, katër në pranga

Një sasi prej 27 kilogramësh lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestrua nga policia e Pogradecit, ndërsa janë arrestuar 4 persona dhe dy të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Lënda narkotike ishte fshehur në bagazhin e dy mjeteve të cilët janë ndaluar nga specialistët e antidrogës në hyrje të qytetit të Pogradecit. Nga kontrolli i uniformave blu është zbuluar sasia në fjalë e cila ishte ndarë në pako me nga 9 kg. Policia ka arrestuar në flagrancë Blerim Rondon, Aleks Salaj, Denis Koçiun dhe Aripeo Kananin dhe ndiqen në gjendje të lirë dy motrat me iniciale F. M. dhe E. Q. Burime të policisë bëjnë me dije se së lënda narkotike vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion shtetin grek. Të katër personat ishin drejtuar në doganën e Kapshticës, ku gjatë ditës së djeshme kishin planifikuar të kalonin lëndën narkotike përtej kufirit.

Në Tepelenë

14-vjeçari i jep fund jetës, vetëvaret me litar

Një 14-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në banesën e tij në fshatin Toç të Tepelenës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se 14-vjeçari me iniciale M. K. është gjetur i pajetë në katin e dytë të banesës nga prindërit e tij, të cilët kishin disa orë që e kërkonin. Ende nuk dihen shkaqet që e shtynë adoleshentin drejt aktit ekstrem, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Dyshimet e para flasin për një zënkë mes dy prindërve dhe minorenit, gjë e cila mund të ketë ndikuar në ndërmarrjen e aktit ekstrem të vetëvrasjes. Ndërkohë që shumë persona janë marrë në pyetje për sa i përket ndonjë konflikti mes rrethit shoqëror të viktimës apo diçka më tepër në ambientet e shkallës.

 

Efektivi i policisë Isa Bregu, asnjë lëndim në trup

Ishin të dehur, kryeplaku qëllon me armë
mbi policin e kufirit, teksa pinin alkool

Kryeplaku i fshatit Dërsnik në Korçë është konfliktuar me një polic të pikës kufitare të Kapshticës, duke qëlluar në drejtim të tij. Ngjarja është shënuar në qendër të qytetit të Korçës, pak metra larg komisariatit të këtij qyteti, por pa shkaktuar të lënduar. Mësohet se kryeplaku i fshatit Dërsnik dhe polici kufitar Isa Bregu, kanë debatuar fillimisht në një lokal dhe pas daljes prej andej janë konfrontuar fizikisht. Më pas kryeplaku ka qëlluar në drejtim të policit kufitar me pistoletë, por fatmirësisht pa e lënduar atë. Policia e Korçës bën të dituar se po punohet për ndalimin e të dy personave të përfshirë në konflikt. Ndërkohë, nga marrja në pyetje të personave që kanë qenë të pranishëm në lokal, është mësuar se dy protagonistët e ngjarjes kanë qenë së bashku duke konsumuar alkool, kur papritur mes tyre ka lindur një konflikt, ku fillimisht janë përplasur fizikisht dhe më pas njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të punonjësit të policisë kufitare. Kanë qenë disa të shtëna radhazi, ku sipas dëshmitarëve, disa janë bërë në ajër dhe një e vetme ka qenë në drejtim të personit, por që fatmirësisht plumbi nuk ka prekur efektivin e policisë. Në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja pistolete, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme policia e Korçës ka kryer disa kontrolle banesash me qëllim ndalimin e dy personave. Uniformat blu kanë marrë kontakte me familjarët, me qëllim negocimin e dorëzimit të tyre përpara organeve të rendit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency