Zgjedhjet, Rama mban shpresë tek LSI-ja, aleatët: Po e përfshive, ikim nga koalicioni

0
123

Gëzim Saliu

ramammmKrahas aleatëve, Braçe dhe Majko mbeten kritikët kryesorë të koalicionit me LSI-në

 

Përfshirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin e majtë për zgjedhjet e 23 qershorit kundërshtohet ashpër nga aleatët e PS-së si edhe nga një pjesë e mirë e deputetëve të kësaj force politike. Në kohën kur thirrjet e kryesocialistit Rama ndaj LSI-së për t’u bashkuar me PS-në në zgjedhjet e përgjithshme janë rritur ndjeshëm, duket se edhe kundërshtitë janë shtuar në të njëjtën gjatësi vale. Aleati tradicional i PS-së, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, shprehet kategorikisht kundër bashkëpunimit me LSI-në, të cilën e cilëson si forcën politike që ka shkaktuar humbjen e së majtës për 8 vite. Po ashtu, në anën e kundërshtuesve të këtij koalicioni përfshihet edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili shpeshherë në reagimet e tij në rrjetin social “Facebook” e ka cilësuar LSI-në si një parti të korruptuar që ka ndarë pushtetin me PD-në. Në këtë linjë kriticizmi nuk mbetet pas edhe anëtari i kryesisë së PS-së, ish-kryeministri i vendit, Pandeli Majko.

 

Pro dhe kundër

Kreu socialist Rama pavarësisht se ka shprehur sigurinë e një rezultati pozitiv të PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit, nuk ka nguruar të ripërsërisë ftesat ndaj LSI-së në konferencën e fundit në rrjetin social “Twitter”. Duke tërhequr ofertën e bërë pak më parë ndaj FRD-së, Rama bëri të ditur se përfshirja e LSI-së në koalicionin e majtë do të përbëjë një riorganizim strategjik përtej momentit e individëve. “S’bëhet fjalë për diçka mes dy njerëzve, po për një investim strategjik që synon rikompaktësimin e gjithë forcave me vota majtas”, – u shpreh Rama. Këtij qëndrimi të kryesocialistit, të mbështetur edhe nga kryetari i grupit parlamentar Ruçi dhe një pjesë e mirë e deputetëve të selisë rozë, i janë kundërvënë disa prej anëtarëve të kryesisë socialiste si edhe një pjesë e aleatëve të koalicionit opozitar. Kështu deputeti socialist Erion Braçe ka akuzuar publikisht, madje në formë të përsëritur, LSI-në si një parti që po favorizon korrupsionin. Po ashtu, anëtari tjetër i kryesisë socialiste, Pandeli Majko ka shprehur kriticizmin e tij lidhur me një aleancë të mundshme mes PS-së dhe LSI-së, duke pohuar se forca më e madhe opozitare do të vihej në pozitë aspak komode me të tillë aleancë. “Të mos harrojmë një gjë nuk është komoditet për PS të hyjë me LSI në zgjedhje. E kam fjalën që nëse do kishim në krah LSI, do të investonim në këtë koalicion 8 vjetët e opozicionit, sepse do humbte vija ndarëse me atë që ka ndodhur në pushtetin e PD, si ndryshim me atë që mendon opozita. Unë mendoj, ne do të investonim goxha nga vetja në një koalicion me LSI që do na vinte në pozitë aspak komode”, – do të shprehej në një intervistë televizive pak kohë më parë deputeti socialist Majko. Pjesë e këtyre kundërshtive ndaj një bashkëpunimi të tillë janë edhe aleatët e PS-së, ku kryesisht kreu i PSD-së Skënder Gjinushi është shprehur kategorikisht kundër. “Në raport me LSI-në vlerësojmë se ajo është bashkëfajtore me PD për korrupsionin rekord, për 21 Janarin, për krizën ekonomike, për dështimin e integrimit. Ajo e PD-së bën që Shqipëria për herë të parë të jetë e fundit në rajon ne procesin e integrimit dhe e para në nivelin papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Të majtës i duhen votat e të majtëve të mashtruar nga LSI-ja në emër të anti-Nanos apo anti-Ramës dhe jo lidershipi mashtrues”, – ka deklaruar Gjinushi pas ftesës së kreut socialist Rama ndaj LSI-së. Nga ana tjetër Paskal Milo ka bërë të ditur se mbetet pro hapjes se koalicionit, por duke shprehur rezervat e tij se afrimi i këtyre partive në koalicionin e majtë mund të bëhet vetëm për interesa të pushtetit.

 

 

Qëndrimet

Edi Rama

“S’bëhet fjalë për diçka mes dy njerëzve, po për një investim strategjik që synon rikompaktësimin e gjithë forcave me vota majtas”

Ben Blushi

“Varet nëse ata do dalin nga qeveria para zgjedhjeve. S’kam arsye të vë në dyshim interesat e tyre, por pikë së pari, nëse do të jesh në opozitë, duhet… kjo është A-ja e politikës. S’mund të jesh në qeveri dhe opozitë… LSI duhet të dalë nga qeveria dhe të bashkohen me ne, nëse duan një koalicion parazgjedhor me ne.”

Pandeli Majko

“Të mos harrojmë një gjë nuk është komoditet për PS të hyjë me LSI në zgjedhje. E kam fjalën që nëse do kishim në krah LSI, do të investonim në këtë koalicion 8 vjetët e opozicionit, sepse do humbte vija ndarëse me atë që ka ndodhur në pushtetin e PD, si ndryshim me atë që mendon opozita. Unë mendoj, ne do të investonim goxha nga vetja në një koalicion me LSI që do na vinte në pozitë aspak komode”

Skënder Gjinushi

“Në raport me LSI-në vlerësojmë se ajo është bashkëfajtore me PD për korrupsionin rekord, për 21 janarin, për krizën ekonomike, për dështimin e integrimit. Ajo e PD-së bën që Shqipëria për herë të parë të jetë e fundit në rajon ne procesin e integrimit dhe e para në nivelin papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Të majtës i duhen votat e të majtëve të mashtruar nga LSI në emër të anti-Nanos apo anti-Ramës dhe jo lidershipi mashtrues”

 

 

Aleancat, sfida e PD-së dhe PS-së

Çështja e koalicionit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare ka marrë një hov të ri me nisjen e 2013-ës. Në fillim të vitit, ishte kreu socialist Edi Rama, i cili në një konferencë në Twitter, ftoi LSI-së FRD-në dhe AK-në për t’u bashkuar me koalicionin opozitar. Partia e drejtuar prej ish-Presidentit Topi refuzoi hapur ftesën e kryesocialistit, duke pohuar se në zgjedhjet e 23 qershorit nuk do të përfshihet në koalicion me asnjë nga dy forcat e mëdha. Ndërkohë edhe LSI-ja nëpërmjet reagimeve të përfaqësuesve të lartë të saj, kundërshtoi një bashkëpunim me PS-në, duke nënvizuar nga ana tjetër se për çështjen e koalicionit do të vendosin forumet në kohën e përshtatshme. “Janë forumet që vendosin nëse duhet të bëjmë koalicione të tjera. Por unë e kam të pamundur të bëj koalicion me parti që nuk voton ligjet themelore dhe na lënë jashtë BE-së”, – do të shprehej deputeti i LSI-së Nasip Naço, duke shtuar se forca ku ai bën pjesë do ti qëndrojë marrëveshjes së 2009-ës me PD-në. Këtë qëndrim ka shprehu në vijimësi edhe kreu i LSI-së Meta, duke theksuar se vendimi për koalicionin e ardhshëm zgjedhor të LSI-së do të merret nga konventa në 16 prill. Por edhe qëndrimi i kryesocialistit ka ndryshuar nga ai i fillimvitit, ku në konferencën e fundit për shtyp, Rama tërhoqi ftesën ndaj FRD-së dhe la të hapur derën për AK-në dhe LSI-në. Sipas kryesocialistit Topi ka si mision të tij reformimin e PD-së dhe se në zgjedhjet e 23 qershorit do të paraqitet si një lojtar i ri. Ndërkohë nga ana tjetër, koalicioni i djathtë, i fuqizuar edhe më shumë me PDK-në, ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me LSI-në, ku edhe kjo e fundit ka bërë të ditur se koalicioni aktual qeverisës ka qenë më i suksesshmi në të gjithë historinë e demokracisë shqiptare.

 

Rama: Skema e financimit të kujdesit shëndetësor, e padrejtë

Gjatë një takimi studentor për shëndetësinë, kreu i PS-së, Edi Rama, e ka cilësuar si të padrejtë skemën aktuale të sigurimeve shëndetësore. “Skema e financimit të kujdesit shëndetësor përmes sigurimeve shëndetësore është një sistem i padrejtë, sepse bazohet kryesisht në xhepin e individit dhe rëndon mbi këtë individ. Për shkak se në Shqipëri ka një nivel të lartë të papunësh atëherë kujdesi shëndetësor për ta ofrohet vetëm duke futur dorën në xhepin e tyre. Paguajnë nga xhepi tarifa disa herë më të larta se vite më parë. Sistemi është i padrejtë dhe për ata që paguajnë kontribute, sepse nuk marrin përkujdesin e nevojshëm, për aq sa paguajnë”, – u shpreh Rama. Më tej, kryesocialisti tha se që në vitin 2009 PS kishte në programin e saj një paketë përkujdesi për gratë shtatzëna, i cili qëndron ende në programin e PS-së. “Në vitin 2009 tarifat u rritën, ne duam ta bëjmë falas ekon për shtatzëninë. Parashikojmë një paketë mbështetje për nënat e reja shtatzënë, duke futur përfitimin nga barrëlindja edhe në rast papunësie, pikërisht në atë vit tarifa për një eko u rrit. Sistemi shëndetësor sot nuk ka lidhje me Evropën që duam të shkojmë, prandaj duhet t’i japim fund sistemit të ngritur mbi sigurimet shëndetësore, duam një sistem të ri që të jetë shteti që të blejë shërbimin, ku përmes një institucioni që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, ta ofrojë për të gjithë qytetarët”, – theksoi kreu socialist Rama.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency