Rrëfehuni para Zotit për krimet

0
281

lutjaEngjëll I. Berisha

Kërkimfalja e ish-gjeneralit serb të ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniç, duke pranuar dënimin prej 15 vjetësh burgim, për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999, dhe siç thotë: “Shpreh keqardhjen time të sinqertë për të gjithë ata që kanë vuajtur nga sjellja për të cilën jam dënuar”, shpreh diçka në vete që duhet ta shënojë historia si fjalë e rrallë e dëgjuar nga krimet serbe ndaj shqiptarëve. Dhe pos kësaj, shprehë edhe diçka politike. Por në fakt, kjo është një ndjenjë njerëzore që i kthehet vetëdija në një moment një personi me përgjegjësi për krime, duke pranuar krimin që kanë bërë strukturat shtetërore, posaçërisht ato policore dhe ushtarake. Derisa ish-gjenerali i një ushtrie të ish-Jugosllavisë, ushtri kjo me nam botëror me siguri nënshkruese e konventave ndërkombëtare të Luftës, e pranon se ka bërë padrejtësi ndaj familjeve, ndaj shqiptarëve në përgjithësi, vërteton faktet tona se masakrat janë kryer në organizim shtetëror, dhe për ironinë më të madhe ndaj popullit shqiptarë, derisa ushtria serbe bënte sigurimin, apo bënte roje, dhe policia taktizonte, lejoheshin paramilitarët në grupe të bënin kërdinë në popull. Ata vrisnin shqiptarë, dhunonin femra në sy të familjes, digjnin njerëz, plaçkitnin dhe shëmtonin çdo gjë shqiptare mbi tokë.
Dhe duhet ta bëjmë me dije që në fillim, se asnjë fjalë ngushëlluese nuk mund ti kthejë në jetë të gjithë ata njerëz që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe sidomos në luftën në të cilën janë shkelur të Drejtat Njerëzore ndaj atyre personave të pambrojtur, me aftësi të kufizuar, me moshë të thyer, me gjini të ndryshme edhe duke dhunuar. U shkel Liria për ta mbrojtur pronën. U shkel e Drejta për tu mbrojtur nga pafajësia. Nuk iu dha e Drejtë askujt të mbrohet as me dëshmitarë, as me fakte as me analizë shkencore e juridike, as me palë mbrojtëse. Shteti i dënoi njerëzit, me vendim politik, me urrejtje skajshmërisht ndaj kombit tjetër. Por është fjalë ngushëlluese dhe duhet ta pranojmë edhe kur vjen nga një dorë e krimit, se të paktën kur i ofrohemi kohës së vdekjes na dalin përpara mëkatet dhe nga frika edhe i rrëfejmë. Kjo e pastron shpirtin. Të gjithë duam të shkojmë të pastër në atë jetë. Por, ky rrëfim më tepër liturgjik,i cili përshkruhet më shumë si frikë e krimit, le të jetë thirrje për të gjithë ata që bënë krime dhe le të shkruhen memoriale duke pranuar fajin, duke lënë porosi të pranojnë Liritë e të Drejtat e Njeriut për çdo këndë në Botë si dhe të respektohet e Drejta e Pronës.
Familjarët me të vrarë e me të zhdukur, nuk kanë besë edhe aq shumë në këso slogane lajmesh, që unë nuk po i karakterizoj si propagandistike, ngase gjatë luftës dhe më parë, është vrarë fjala besë, nëse i përshkruajmë mënyrat e krimit dhe shkeljen e të gjitha parimeve njerëzore. Gjatë hulumtimit të krimeve kemi hasur në aso rastesh, kur shqiptarët nuk e kanë besuar në atë masë se mund të bëjnë aso krimesh serbët që janë hekur si “të moderuar”, edhe pse historia e servon ndryshe këtë mendim.
Edhe kur është gjykuar diktatori dhe kryekrimineli urdhërdhënës i ngjarjeve të luftës Millosheviç, dhe vetë vdekja e tij, për familjarët nuk ka quar aq shumë peshë, ngase, krimi ka qenë aq i madh sa që nuk ngushëlloheshin me dënime gjyqësore. Por, unë dua ta pranojë të drejtë mendimin e Natasha Kandiçi, ish drejtoresha e Fondit për të drejtën humanitare në Beograd, se pranimi i fajit është shumë me rëndësi, pa marrë parasysh se kjo mund të lidhet me të drejtën e Ojdaniçit që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit, të kërkojë lirimin.“Pranimi se është fajtor nga ana e Ojdaniçit, në të gjitha pikat e aktakuzës për të cilat është gjykuar, paraqet pranimin e parë të fajit nga dikush me një gradë të lartë ushtarake. Ai e pranon fajin për pjesëmarrje në krimet,e që synimi ka qenë depërtimi i popullatës shqiptare nga Kosova. Ai i pranon vrasjet masive, djegien e pronës, ka pranuar krime të rënda që janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit. Ojdaniçi ndoshta është motivuar për shumë arsye pragmatike”. Po ashtu dua ta pranojë se kemi nevojë për jetë ndryshe, kemi nevojë të pastrohemi shpirtërisht, kemi nevojë për qetësi fizike se Ballkani nuk ka qetësi derisa ka vetëm pretendime territorial, ka plagjiaturë kulturore, ka mohime të ndërsjella dhe ka grabitje me forcë edhe të ndikimit politik. Gjuha e forcës dhe elementi ideologjik, qoftë fetar apo kulturë tjetër e ka mbajtur Ballkanin gjatë në turbullira, derisa shtetet e Evropës kanë ecur në zhvillim teknologjik e ekonomik. Ne e përjetojmë krimin, ngase dikush në mesin tonë e bën dhe presim edhe disa dekada, e shekuj që dikush të kërkojë falje.
Pranimi i fajësisë dhe aq më larg, duke tërhequr apelin e tij për aktgjykimin e shkallës së pare për mua është interesantë dhe kjo është një thirrje që duhet tua bëjë Ojdaniç edhe shumë serbëve tjerë, tua bëjë rinisë që po rritet me të njëjtën frymë e cila shpesh shihet nëpër media duke shfryrë urrejtje ndaj shqiptarëve. Mendimtari Gustave Le Bon thotë se “Qytetërimi i një populli bazohet në një numër të vogël idesh themelore, dhe ndërsa mendjet e njerëzve të emancipuar e kuptojnë se ato janë të gabuara, për turmat ato mbeten edhe për një kohë shumë të gjatë të vërteta të pakundërshtueshme dhe vazhdojnë të ushtrojnë veprimin e tyre në masat popullore kombëtare”.
Të lexosh me vëmendje të kaluarën e popujve të Ballkanit, dhe ta lexosh historinë e tyre në sasi më të madhe të librave dhe mendimeve të analitikëve, qytetërimi i ballkanasve ndryshon sipas lëvizjeve fetare, por vazhdon lufta në mentalitete. Për këtë publicist Tim Judah në librin “Kosova, Luftë dhe hakmarrje”, thotë se “në Ballkan, por edhe gjetkë, nuk është e vërteta ajo që ka rëndësi, por ajo që njerëzit besojnë se është e vërtetë. Dhe çka njerëzit besojnë, mund të vihet në përdorim të përditshëm”. Ky konsum nga mendjet e errëta strukturale ka bërë që dikur pionier I kësaj historie edhe Ojdaniç të rritet me këtë slogan, ndërsa pasi ta ketë kryer krimin të bëjë pendesë. Liturgjia e kërkon pendesën, e lejon atë dhe e konsideron si shfajësim. Por, pse mos të edukohen gjeneratat që të mos vijë deri te lufta, e që pastaj të pendohemi. Duke i shikuar të gjitha ato krime dhe ato vuajtje që i janë shkaktuar këtij populli, e pjesë e vuajtjes mbetet edhe një pjesë e popullatës që i takon vetë Ojdaniç, duhet tu lihet porosi brezave që fjalën luftë në historinë e tyre ta mësojnë më ndryshe, e jo siç po e mbajnë ende motivin luftë në frymëzime të reja.
Ky pranim i fajësisë, nga një udhëheqës i kalibrit me rëndësi në shtetin i cili ka bërë krime të organizuara, duhet të lexohet në Serbi kështu: – Ishim fajtorë që bëmë luftë në Kosovë dhe ishim fajtorë që bëmë krime ndaj shqiptarëve. Nëse, nuk e pranojnë si faj luftën, duhet të pranojnë fajësinë për krimet ndaj popullatës së pambrojtur.
Unë, kam lexuar në histori se gjenerali Jovan Bjelomarkoviç, gjeneral i ushtrisë serbe në Luftën e Parë Botërore, ka refuzuar të komandojë ushtrinë serbe për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Mitar Rakiç, Jovan Haxhivasileviç etj, kanë kritikuar gjenocidin ndaj shqiptarëve. Këtij grupi i takojnë edhe Kosta Novakoviç e Bogdan Bogdanoviç, humanistja Natasha Kandiç, ish diplomati Milosh Miniç etj. Dhe, sa mirë ta dëgjojmë pendesën edhe nga i dënuari Ojdaniç për këso krimesh, përderisa ky ish gjeneral i bën një shërbim të mirë historisë serbe. Nëse lirohemi vetëm për një çast nga historia në të cilën thirremi shpesh, dhe mendojmë për një jetë më ndryshe, në mes dy popujve fqinjë, le të punojmë për ndryshimin e mentalitetit, për pastërtitë gjuhës së shprehjes dhe për pendesa të reja.
Historia e luftë ndaj Kosovës vetëm përfundon me krimet . Ajo nisë më herët, kur u krijua ajo Ironia humanitare e pastruesve etnikë të hapësirës ballkanike. Fillon rrugëve të Evropës nëpër të cilën ecën karvani i mërgimtarëve në atë hartën e trojeve që pastrohen etnikisht, luftë pa shkrepur plumbi në të. /Bota sot/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency