Mandatet sipas 2009-ës, AK sulmon OSBE-në: Misioni ka dështuar

0
144

Gëzim Saliu

kreshnikuSpahiu: OSBE heshti për masakrën kushtetuese për mandatet

 

Aleanca Kuq e Zi e cilëson si të dështuar misionin e OSBE-së në vend. Kreu i AKZ-së, Kreshnik Spahiu, ka lëshuar akuza të forta dje ndaj misionit ndërkombëtar, duke iu referuar ndarjes së mandateve nga Kuvendi, ku, sipas tij, OSBE nuk duhej të heshte për këtë çështje. “OSBE hesht për masakrën Kushtetuese që koalicioni i tradhtarëve i bëri votës së lirë me çështjen e mandateve. Ky mision duhej të ishte i pari që duhej të reagonte për pabarazinë e votës që koalicioni i tradhtarëve i vendosi shqiptarëve. Shqiptarët janë zhgënjyer nga mos-përmbushja e misionit të OSBE-ODIHR. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga dështimi i OSBE-së në misionin e saj”, – tha Spahiu nga qyteti i Vlorës, ku zhvilloi tubimin e radhës politik të forcës politike që drejton. Po ashtu kreu i AKZ-së nuk ngurroi të akuzonte koalicionin e djathtë, ku përfshiu LSI-në dhe PDIU-në, si një koalicion që me shpërndarjen e mandateve sipas skemës së zgjedhjeve të 2009-ës bëri një atentat ndaj zgjedhjeve të lira. “Koalicioni i tradhtarëve ka frikë nga vota e qytetarëve. PD, LSI dhe PDIU bënë një atentat ndaj zgjedhjeve të lira”, – u shpreh Spahiu.

 

Akuzat

Akuzat e djeshme të kreut të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, ndaj prezencës së OSBE-së në vend si edhe ndaj kreut të saj, Eugen Wollfarth, nuk janë të parat. Vetëm pak kohë më parë, duke marrë shkas nga deklarata e ambasadorit të OSBE-së, i cili kishte pohuar numërimi elektronik i votave për zgjedhjet e vitit 2013 nuk mund të realizohet, Spahiu theksoi se Wollfarth ka dështuar plotësisht në punën e tij. “Ambasadori i OSBE-së që drejton misionin më të madh në Evropë, me zyra në gjithë Shqipërinë, ka dështuar për dy vjet pa bërë asnjë hap në reformën zgjedhore. Ambasadori kryen çdo qokë, duke përuruar panaire kafesh, birrash, qoftesh dhe nuk garanton zgjedhje të lira në Shqipëri. Ambasadori i OSBE-së, duke refuzuar votimin dhe numërimin elektronik, ka ruajtur sistemin e vjetër që populli voton dhe Berisha me Ramën numëron e OSBE duartroket”, – kishte pohuar kryetari i Aleancës Kuq e Zi. Si në këtë rast, ashtu edhe ditën e djeshme, akuzat e AKZ-së ndaj OSBE-së lidhen kryesisht me kreun e këtij misioni ndërkombëtar, mision i cili ka një rol mjaft të rëndësishëm për standardet e zgjedhjeve që zhvillohen në vend. Sipas Spahiut, ky mision ka shënuar dështimin më të madh në punën e tij me moskundërshtimin e ndarjes së mandatave në Kuvend sipas skemës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Ditën e enjte, në seancën plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 63 kundër dhe 1 abstenim, projektvendimin “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”. Votimi për ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve së kaluara parlamentare u shoqërua me qëndrimet e kundërta mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës, deri në momentin final, në të cilin Kuvendi vendosi me shumicë të thjeshtë votash ndarjen e mandateve. Opozita e cila shënoi edhe një qëndrim të dyfishtë lidhur me shpërndarjen e mandateve, e cilësoi ndarjen e tyre në Kuvend si antikushtetuese, pasi, sipas saj, mandatet e deputetëve duhej të ndaheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë, mazhoranca ka nënvizuar në qëndrimin e saj faktin se pasi mandatet nuk u bënë të mundura të ndaheshin në KQZ, për shkak të kundërshtisë së anëtarëve socialistë të këtij komisioni, ndarja në Kuvend ishte e vetmja zgjidhje ligjore e kësaj çështjeje.

 

 

Milo: Të bashkohemi si koalicion

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkon më shumë bashkim në radhët e koalicionit të majtë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të partisë në Durrës, Paskal Milo tha se kjo forcë politike synon të fitojë një deputet në Durrës dhe së bashku me Partinë Socialiste në koalicion do të kërkojë fitoren në zgjedhje. “Do të ishte e pafalshme, në qoftë se ata ende do të vazhdojnë të shpresojnë te kjo qeveri, e cila, ju e shikoni përditë, jo vetëm që nuk bën asgjë, por ka filluar tashmë edhe çdo e mirë materiale që mund të ketë mbetur ende në Shqipëri kërkon ta shesë, madje kërkon të korruptojë njerëz, me qëllim që të mund të bëjnë sa të jetë e mundur më shumë zullume para se t’i vijë fundi, prandaj ne duhet të bashkohemi dhe kur them të bashkohemi, jo ne brenda radhëve tona, por duhet të bashkohemi si një koalicion i fuqishëm, ku të ndihet një frymëmarrje e madhe demokratike dhe një ofensivë elektorale e të gjitha partive të koalicionit”, – u shpreh Milo. Më tej ai sqaroi anëtarësinë për vazhdimin e koalicionit me socialistët, duke theksuar se vota për Partine Demokracia Sociale është votë për të majtën.

 

 

KiE: Agimi i Artë, kërcënim dhe turp për demokracinë evropiane

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës (KiE), Nils Muiznieks, e ka cilësuar partinë neonaziste greke Agimi i Artë si një kërcënim për demokracinë evropiane. Në fjalën e tij përpara dhjetëra gazetarëve grekë dhe evropianë, rreth dhunës raciste në rritje në Greqi, me protagonistë anëtarët e Agimit të Artë, ai tha se vendi është i kërcënuar nga retorika naziste e kësaj partie. “Agimi i Artë është një kërcënim për demokracinë greke. Është një parti që rrezikon imazhin e Greqisë dhe mendojmë se duhet kërkuar që ajo të shpallet e jashtëligjshme. Këshilli i Evropës do të mendojë t’i ndalojë asaj përfaqësimin në zgjedhjet e ardhshme”, – tha ai. I pyetur nëse nxjerrja jashtë ligjit e partisë Agimi i Artë do të zgjidhë problemin e racizmit në Greqi, ndërkohë që ajo është votuar nga më shumë se 400.000 grekë dhe vazhdon të rritë mbështetjen sipas sondazheve të fundit, komisioneri komisionari u përgjigj: “Racizmi dhe nazizmi kanë ekzistuar para Agimit të Artë dhe do të ekzistojnë edhe më pas”. Më tej komisioneri theksoi se rritja e popullaritetit të partisë naziste në Greqi nuk ndodhi thjesht për shkak të krizës ekonomike, por si pasojë e zhvlerësimit të përgjithshëm të politikës. “Përgjegjëse për rritjen e racizmit në Greqi nuk është vetëm kriza ekonomike, por kryesisht dobësimi i partive në pushtet. Parti raciste dhe naziste ka edhe në vende të tjera, por nuk pajtohen me retorikën e dhunshme të Agimit të Artë”,- theksoi Muiznieks. Ndërsa lidhur me faktin që Agimi i Artë po punon për t’u përhapur me degë edhe në vende të tjera, komisioneri sqaroi se partitë naziste dhe raciste janë të prira gjithmonë për të bashkëpunuar. “Kjo është një dukuri që ka trazuar edhe Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Jo aq për shkak të mbështetjes në nivel ideologjik dhe politik, por kryesisht për arsye se partitë naziste ndihmojnë njëra-tjetrën ekonomikisht. “Kjo është diçka që duhet të ndalet”, – tha ai.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency