Ndarja e mandateve Berisha: Rama po përgatit justifikimin për humbjen e zgjedhjeve

0
137

Ina Jano

berishaKryeministri komentoi refuzimin për ndarjen e mandateve. Sipas tij, ky është një justifikim për të përballuar humbjen e zgjedhjeve. PD: Rama dhe PS, në kapsllëk politik

 

Kreu i Partisë Socialiste është duke përgatitur justifikimin për humbjen e zgjedhjeve. Kështu u shpreh dje Kryeministri Berisha, i cili ndër të tjera e akuzoi liderin socialist se është duke iu kthyer të njëjtës praktikë, duke refuzuar gjërat që ai vetë propozon. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, duke ironizuar, lideri i mazhorancës, duke iu drejtuar Ramës, u shpreh se ky i fundit ndjek parimin “nuk më duhet gjë se çfarë them unë”. Duke u shprehur për ndarjen e mandateve, Berisha tha se Rama iu rikthye momentit të kaluar dhe hodhi poshtë të njëjtën gjë që ai vetë më parë e kishte kërkuar. Sipas liderit të mazhorancës, shefi i selisë rozë madje kërkoi edhe komision hetimor për ministrin e Brendshëm. “Dy muaj më parë, bazuar në ndryshimet demografike të 4 viteve të fundit, KQZ votoi projektin e shpërndarjes së mandateve, sipas të cilit qarqet e Tiranës dhe Durrësit duhet të merrnin nga një mandat nga Korça dhe Berati. Z. Rama e hodhi poshtë projektin dhe akuzoi qeverinë për tentativë për vjedhje mandatesh para zgjedhjeve. Ai kërkoi komision hetimor si dhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm për manipulim, sipas tij, të listave të zgjedhësve në Kukës”, – shkroi Berisha. Ai pohoi se edhe në lidhje me këtë pjesë, kryesocialisti llogariti faktin se mund që t’i vidheshin mandatet. “Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve i propozoi Parlamentit shpërndarjen e mandateve sipas vitit 2009. Mirëpo edhe këtë herë, i bazuar në parimin “ç’më duhet mua se ç’them unë”, z. Rama e kundërshtoi këtë dhe befas kërkoi të miratohej varianti i mëparshëm i paraqitur në KQZ nga Ministria e Brendshme, të cilin e kishte hedhur poshtë, sepse me të i vidheshin mandatet. Ai e bëri këtë, sepse i duhet për të justifikuar humbjen e ardhshme të zgjedhjeve. Kur njëri nga vartësit e pyeti se ç’po ndodhte kështu, z. Rama u përgjigj prerë: “Nuk më duhet gjë se çfarë them unë””, – komentoi dje Kryeministri në faqen e tij zyrtare.

PD

Partia Demokratike akuzoi Ramën se së bashku me PS-në kanë hyrë në kapsllëk politik. Sipas PD-së, Rama po tenton të minojë procesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimmarrjet që opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj. “Kryetari i PS-së, Edi Rama, i është rikthyer sindromës së vjetër të sulmit ndaj procesit zgjedhor me moton tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët: “Po nuk fitova unë, zgjedhjet nuk njihen”. Ashtu sikurse para çdo fushate, qoftë për zgjedhjet parlamentare, qoftë për ato lokale, me të njëjtën strategji Rama po tenton të minojë procesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimmarrjet që opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj. Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë sulmet qe ai u bëri zgjedhjeve lokale të 2007-ës për certifikatat, të 2009-ës për kartat e identitetit dhe 2011-ës për të gjitha. Rama u qa pa arsye për 2007-ën, u qa pa arsye për 2009-ën, pa arsye për 2011-ën dhe nuk ka si të mos qahet pa arsye edhe për 2013-ën”. Partia Demokratike rithekson në qëndrimin e saj se Edi Rama po kërkon sot atë ndarje mandatesh që e refuzoi pa arsye në KQZ më 23 nëntor. “Mjafton vetëm ky moment për të kuptuar jo vetëm papërgjegjshmërinë politike të z. Rama, por edhe paqëndrueshmërinë psikike që i shtohet çdo minutë e më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Qarja përpara zgjedhjeve i është kthyer në një sëmundje patologjike, të pashërueshme. Sot, sindroma e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve rëndohet akoma më shumë për shkak të “kapsllëkut” politik që po kalon ai vetë dhe partia të cilën ai drejton”, – citon zyra për shtyp e PD-së. Sipas PD-së, edhe vetë Edi Rama është i bindur për humbjen e tij në zgjedhje. “Sot, kur ndihet më i vetmuar se kurrë, kur aleatët po e braktisin më me shpejtësi sesa socialistët në Këshillat Bashkiakë në të gjithë Shqipërinë, kur ka ngelur në çarkun që ka ngritur vetë me mosvotimin e 3 ligjeve dhe kur ka zhgënjyer përfundimisht njëherë e përgjithmonë çdo shqiptar kudo ku jeton me mosvotimin e ligjeve të integrimit, Rama po kërkon më shumë se çdo herë tjetër të dëmtojë zgjedhjet, pasi edhe vetë ai është i bindur tashmë për humbjen e madhe më 23 qershor”, – thuhet në qëndrimin e selisë blu.

 

Nisma e re, Berisha publikon numrat e telefonit të ministrave

Duket se një tjetër mënyrë për të bërë qeverisjen efikase është edhe komunikimi me qytetarët dhe votuesit e thjeshtë. Siç duket kjo do të jetë një nga pikat e forta ku do të përqendrohet fushata elektorale e Partisë Demokratike. Nëpërmjet një nisme të veçantë, dje Kryeministri Berisha ka bërë publike numrat e telefonit të të gjithë ministrave të tij, numrat celularë dhe nga një numër jeshil falas për të gjithë qytetarët ku mund të telefonojnë për problemet e tyre. Numrat janë bërë publike mesditën e djeshme, në faqen zyrtare të Partisë Demokratike, në rrjetin social Facebook.

 

 

 

Kryeministri në konferencën e sigurisë në Mynih, takim me personalitete botërore

Numri një i qeverisë shqiptare Sali Berisha do të marrë sot pjesë në konferencën dyditore të 49-të të sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Konferenca e Mynihut është një event i përvitshëm me rëndësi globale në fushën e politikës së sigurisë, e cila që nga viti 1962, angazhon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, të mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias në një diskutim të gjerë mbi çështjet kryesore të sigurisë të kohës sonë dhe sfidat potenciale në të ardhshmen. Gjatë zhvillimit të konferencës, Kryeministri Berisha do të takohet me personalitete të ndryshme pjesëmarrës. Në sesione të veçanta të saj, Konferenca do të adresojë pikëpamje mbi të ardhmen e bashkëpunimit të komunitetit euro-atlantik të sigurisë, kriza në Zonën Euro dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian, roli i fuqive në rritje për sigurinë ndërkombëtare, siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore dhe Kaukaz dhe çështje aktuale të sigurisë globale si kriza në Siri dhe Mali, energjia, siguria kibernetike. Konferenca do të drejtohet nga Wolfgang Ischinger dhe në të pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme e Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit William Burns, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Lamberto Zannier, si dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe mbi 70 delegacione qeveritare, si dhe drejtues të korporatave të mëdha dhe përfaqësues të medias.

 

Kryeministri: Borxhi i Shqipërisë, jashtë çdo problemi

Berisha mori pjesë ditën e djeshme në konferencën e Mynihut. Nga diskutimet, doli në pah se borxhi i Shqipërisë është në nivele të kënaqshme dhe nuk përbën asnjë problem. “Në Mynih, në Konferencën e 49-të për Sigurinë, çështja e parë që u debatua ishte kriza ekonomike e Eurozonës. Ministri i Financave të Gjermanisë theksoi se borxhet publike mbi dyfishin e GDP-së janë problematike. Z. Schauble u shpreh me optimizëm për zhvillimet në vazhdim dhe theksoi se duhet të bëjmë më shumë për kompetitivitetin. Debati, por dhe diskutimet me zyrtare dhe ekspertë të shquar, ishin shumë vlerësuese dhe inkurajuese për ekonominë tonë. Bazuar në sa më sipër del se borxhi i Shqipërisë prej 60% të GDP-se është jashtë çdo problemi serioz. Sikundër, vendimet e fundit të qeverisë si heqja e TVSH-së për makineritë, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe përdorimi i dividendit për krijimin e kompanive të biznesit social, janë reformat më të rëndësishme që do të bëjnë shumë me konkurruese ekonominë tonë, do të nxisin investimet direkte, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, – shkroi Berisha në Facebook.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency