Ikonat e vjedhura në kisha zbulohet rrjeti i trafikimit

0
198

Elton Qyno

ikonaBllokohen në Kakavijë dhjetëra vepra arti të grabitura në 5 kisha

Arrestohet tiranasi, do t’i shiste tek koleksionistët grekë

 

Zbulohet një rrjet i trafikut të veprave të artit, të cilat mendohet se vidheshin në kishat e Jugut në Shqipëri dhe më pas trafikoheshin në Greqi, me qëllim shitjen me një çmim tepër të shtrenjtë tek koleksionistët. Në këtë trafik shumë të përfolur kohët e fundit nga studiues dhe njerëz të artit dhe kulturës, është arritur të arrestohet vetëm një person nga Tirana, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga ana e policisë së Gjirokastrës. Kanë qenë efektivat e policisë kufitare ata që kanë bërë zbulimin e një numri të konsiderueshëm veprash arti, të cilat ishin fshehur në një çantë sportive dhe se ishin planifikuar për tu trafikuar në drejtim të shtetit Grek. Gjatë kontrolleve të ushtruara në bagazhet e pasagjerëve që udhëtojnë në makina të vogla në drejtim të shtetit grek, një shtetasi nga Tirana pasagjer në një autoveturë në çantën e tij iu gjetën vepra të kulteve fetare, si kryq, piktura, pjesë të ikonostasit, të epitafit. Këto vepra mendohet se janë vjedhur në kisha të ndryshme. Policia Kufitare ka bërë bllokimin e poseduesit të objekteve dhe që nga dita e djeshme është duke punuar për zbardhjen e plotë të këtij trafiku dhe origjinën e veprave si dhe të pjesëtarëve të tjerë të implikuar në këtë trafik. Ndërkohë që ndaj personit të arrestuar, policia ka ngritur akuzën e “Trafikimit të veprave të artit”, mbetur në tentativë dhe “Tregtimit të veprave të artit”.

Hetimet e prokurorisë

Që nga dita e djeshme, prokuroria dhe policia e Gjirokastrës kanë filluar hetimet me qëllim identifikimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë trafik të veprave të artit. Me qëllim mosdekonspirimin e operacionit hetimor është vendosur që emri i transportuesit të veprave të artit të mos bëhet publik, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje mësohet se ai ka pohuar se nuk dinte se ishin vepra arti. Sipas shtetasit të arrestuar, kryqet ishin blerë në Tiranë tek disa persona ende të paidentifikuar dhe se ata do të dërgoheshin në një kishë ortodokse greke, të cilat do faleshin në formën e dhuratës. Vetë i arrestuari s’ka pranuar të tregojë, për personat që kishin organizuar këtë trafik, duke bërë që policia e Gjirokastrës të vijojë hetimet, duke zbardhur tabulatet telefonike dhe verifikuar me imtësi të gjitha thirrjet që ka bërë i arrestuari përgjatë kësaj jave. Ekspertët dyshojnë se kanë rënë në gjurmët e një rrjeti shumë të fuqishëm të trafikimit të veprave të artit, të cilët pasi arrijnë të grumbullojnë ikonat fetare në kishat e plaçkitura nga hajdutët, ia blejnë këtyre të fundit me një shumë fare të ulët financiare, duke bërë që më pas anëtarët e grupit të fitojnë shumë më shumë nga çmimi i blerjes, pasi i trafikojnë dhe më pas i shesin tek koleksionistët e huaj apo dhe tek kishat e shtetit grek. Pritet që në ditët në vijim ky operacion të shoqërohet edhe me arrestime të tjera,pasi sipas prokurorisë nuk është e mundur që një person i vetëm të ketë organizuar mbledhjen e shumë veprave të artit.

Veprat, nga kishat muze

Nga një verifikim paraprak ka rezultuar se të gjitha veprat e artit janë vjedhur në kishat ortodokse në Jug të vendit. Kështu, shumë prej tyre, mendohet se janë marrë nga persona ende të paidentifikuar në zonën e Fierit. Lushnjës, Elbasanit dhe të Beratit. Nisur nga kjo situatë, organet hetimore kanë kërkuar nga disa kisha që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre, të cilët do verifikojnë me imtësi nëse objektet e sekuestruara kanë qenë pjesë e objekteve të kishave ku shërbejnë ose jo. Rasti i bllokimit të veprave të artit tregoi edhe një herë tjetër se në vend veprojnë disa grupe që kryejnë trafikimin e veprave të artit, të cilat pasi vidhën nga persona ordinerë nëpër kishat muzeale dhe të shpallura monumente kulture, shiten me qëllim trafikimin e tyre në vende të ndryshme të Ballkanit po dhe jo vetëm.

 

Trafiku i pistoletave në Kakavijë

Pranga të riut nga Durrësi, fshehu

“Zastavën” në çantë, do ta shiste Athinë

Një shtetas nga Durrësi është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, teksa ishte duke tentuar të kalonte në Greqi një pistoletë tip “Zastava”. Arrestimi i Ervin Huncit u bë rreth orës 12:30 ku gjatë kontrollit në vijën e dytë të bagazheve të autobusit të linjës “Top lines.al” Tiranë – Athinë është konstatuar se në bagazhin e autobusit ndodhej një valixhe rrobash me kundra bilete ku gjatë kontrollit në brendësi të valixhes, në xhepin e një palë pantallonave xhinse ndodhej një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” dhe një krehër me 7 copë fishke. Policia Kufitare ka bërë bllokimin e poseduesit të armës së zjarrit dhe ka njoftuar grupin hetimor i cili ka mbërritur menjëherë në vendngjarje së bashkë me specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ervin Hunci nga qyteti i Durrësit. Nga marrja në pyetje e tij ai ka treguar se armën e zjarrit do ta trafikonte për në Athinë, ku dhe do ja shiste disa personave, të cilët i kishin premtuar një sasi të konsiderueshme lekësh. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma dhe fishekët. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje materialet në ngarkim të shtetasit Ervin Hunci, do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për ndjekje të mëtejshme.

 

Ngjarja në Korçë

Pranga dy personave, morën peng taksistin

Dy persona u arrestuan nga policia e Korçës, pasi kishin detyruar me forcë një taksist t’u shërbente nga Maliqi deri në Tiranë. Nisur nga disa denoncime të mëparshme, policia i mbante në vëzhgim dhe në vendin e quajtur Qafë-Plloçë, ndalon taksinë dhe arreston Lulzim Jazexhiun dhe Ermal Borën. Policia e Korçës sapo ishte vënë në dijeni që këta dy persona hipën në taksi, organizoi edhe operacionin për kapjen e tyre. Pas arrestimit, taksisti i tregoi policisë se autorët e kishin detyruar nënë kërcënimin e armës që ai të nisej për në Tiranë.

 

Pogradec

Bie zjarr në pikën e karburantit, një i plagosur

Një zjarr në një pikë karburanti në Pogradec ka shkaktuar një të plagosur lehtë dhe dëme materiale. Zjarri fatmirësisht është lokalizuar nga dy zjarrfikëse duke evituar kështu përhapjen e flakëve në cisternat aty pranë. Nga zjarri u plagos lehtë një punonjës i pikës së karburantit, shtetasi Etien Xhukollari, 14 vjeç ndërsa policia po heton rrethanat në të cilat ra zjarri. Paraprakisht dyshohet se 14-vjeçari, ndërsa punonte po përdorte një pajisje elektrike për t’u ngrohur dhe kjo shkëndijat e saj mund të kenë shkaktuar flakë në vendin e ngjarjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency