Borde për spitalet, drejtorët vetëm menaxherë

0
46

spitaletDrejtorja e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, shpjegoi disa nga detajet e këtij drafti, duke e cilësuar atë si një model të suksesshëm, pasi ai ka disa vite që po përdoret në spitalin e Durrësit

 

Brenda pak muajsh spitalet do të drejtohen nga bordet. Fillimisht do të jenë spitalet e Korçës dhe të Lezhës, ata që do të drejtohen nga këto struktura dhe më pas ligji do të zbatohet nga të gjitha institucionet e tjera shëndetësore spitalore. Drejtorja e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, shpjegoi disa nga detajet e këtij drafti, duke e cilësuar atë si një model të suksesshëm, pasi ai ka disa vite që po përdoret në spitalin e Durrësit. Bordet thotë ajo do të kenë të gjitha kompetencat vendimmarrëse.

Autonomia

“Autonomia do të përkrahet në dy spitale kryesore në Korçë dhe Lezhë, që janë spitale që po operojnë me një projekt që ka USAID. Drejtori përzgjidhet nga bordi, bordi ka një strukturë tjetër, jo si ajo e QSUT, do të ketë fuqi vendimmarrëse që do të ketë kontrollin e financave, mënyrës së fluksit të pacientëve, barnave”, – tha Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së. Drafti i ri, i cili parashikon një status autonom për spitalet do të sjellë një reduktim të fenomenit të mbipopullimit të spitaleve. Sipas Hanës do të ketë një rishpërndarje të vizitave por edhe një shfrytëzim maksimal të shtretërve. “Do të thotë një pakësim i punës në këto qendra spitalore që ne i kemi të mbipopulluara me pacientë, dhe një shpërndarje e pacientëve në një mënyrë më normale dhe një rritje dhe përgjegjësi më e madhe dhe e spitalit rajonal, po dhe një mundësi për tu zhvilluar spitalet rajonale në të gjithë Shqipërinë, të cilat do të jenë pastaj me paketa të plota shërbimi”, – vijoi Hana. Në bordin e spitaleve do të ketë përfaqësues nga ministria e Shëndetësisë, ISKSH, bashkia, qarku si dhe komuniteti. Bordi ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë drejtorin e spitalit dhe ka një mandat trevjeçar.

Financimi

Ndryshimi i mënyrës së financimit të spitaleve, duke aplikuar metoda të reja pagese për spitalet publike të përfshira në skemën e sigurimeve; duke e lidhur financimin me punën e çdo spitali dhe jo më me një buxhet fiks historik të përcaktuar. ISKSH dhe spitalet, do të sjellë një financim real të shërbimeve shëndetësore dhe me hapësirat që krijon ligji i ri i sigurimeve shëndetësore, do të bëhet edhe kontraktimi i shërbimit privat. Zhvillimi i procesit te kontraktimit si me ofrues publik ashtu dhe ata privat të bazuar më shumë në cilësi, në kosto-efektivitet dhe në konkurrence për shërbimet e kontraktuara e të financuara”, – tha drejtorja e ISKSH-së në fjalën e saj. Në spitale aktualisht përdoruesit më të mëdhenj të shpenzimeve shëndetësore me 51 për qind të shpenzimeve totale të skemës dhe në funksion të realizimit për nevojën e riorganizimit të këtij sektori. Autonomia spitalore, vlerësohet nga drejtues dhe specialistë të shëndetësisë si një hap i rëndësishëm drejt reformimit rrënjësor në drejtim të menaxhimit të financave, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të menaxhimit të shërbimeve të domosdoshme dhe ofrimit të tyre me kosto sa më të ulët.

Ligji i ri

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili hyn në fuqi në fund të muajit mars, i jep spitaleve private akses për financim nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Si rrjedhojë, duke reformuar dhe mbështetur spitalet publike na del detyrë t’i bëjmë ata të aftë për të konkurruar në tregun shëndetësor tashmë të krijuar në vendin tonë. Dhënia e autonomisë duhet të shoqërohet me një program të qartë dhe me afate për implementimin e saj. Gjithashtu, autonomia duhet të shoqërohet edhe me një plan strategjik për trajnime si për anëtarët e bordeve, ashtu edhe per menaxherët e emëruar nga këta të fundit në funksion të marrjes së vendimeve, të rritjes së përgjegjshmërisë dhe të ofrimit të shërbimeve bazuar në politikat shëndetësore të aprovuara nga ministria dhe qeveria.

 

Tavo

QSUT, së shpejti binjakëzim me kompleksin spitalor të Navarrës

 

Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo ka zhvilluar një vizitë pune në rajonin e Navarrës (Spanjë). Gjatë qëndrimit një ditor z. Tavo, i cili shoqërohej nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe presidenti i Shoqatës së Gjinekologjisë prof. Nikita Manoku, u prit nga ministrja e Shëndetësisë e Rajonit të Navarrës, znj. Marta Vera dhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Shëndetësore të Navarrës, z. Ángel Sanz Barea. Gjatë vizitës ministrit Tavo, i është rezervuar një takim i veçantë dhe nga Presidentja e Rajonit, znj. Yolanda Barcina. Mes dy ministrave është folur mbi mundësinë e shkëmbimeve të ndërsjella në fushën e profesionistëve dhe trajnim të mjekëve, veçanërisht në fushat e onkologjisë, radioterapisë, transplanteve dhe menaxherëve të shëndetit. Kjo e fundit, është cilësuar nga ministri Tavo, – një fushë e re dhe me nevoja shumë të mëdha në sistemin tonë shëndetësor. Gjatë vizitës, z. Tavo ka vizituar dhe spitalin e Navarrës një qendër e specializuar, veçanërisht në trajtimin e sëmundjeve Onkologjike dhe është njohur nga afër me mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të këtij spitalit. Mes autoriteteve të larta shëndetësore të Rajonit të Navarrës dhe delegacionit shqiptar është diskutuar dhe mundësia e binjakëzimit të Kompleksit Spitalor të Navarrës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

 

Pallati i Linda Bashës

Prokuroria regjistron kallëzimin e Bashkisë Tiranë

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin e bashkisë së kryeqytetit në lidhje me pallatin e Linda Bashës. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur për “News 24” se organi i akuzës i ka kërkuar bashkisë plotësim të kallëzimit në mënyrë më të detajuar, ku të plotësohet jo vetëm me legjislacionin e shkelur në këtë rast, por dhe me veprimet që janë kryer nga bashkia, Këshilli Bashkiak dhe drejtoritë përkatëse të këtij institucioni. Objekt i hetimit është praktika që është ndjekur me dhënien e lejes së ndërtimit, nëse është bërë ose jo verifikim i planit urbanistik me verifikim nëse ka mbivendosje të lejes së ndërtimit me objekte të tjera urbanistike, siç është lulishtja që pretendohet etj. Do të verifikohet gjithashtu nëse firmosja e lejes së ndërtimit është bërë mbi bazën e rekomandimeve dhe vlerësimeve që duhet të jepen nga drejtoritë dhe specialistët përkatës, pra dotë hetohet se kush e ka bërë propozimin që leja duhej dhënë. Pallati i Linda Bashës në territorin e njësisë 2 në Tiranë është kthyer në burim replikash mes PD-së dhe PS-së ku PD në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar kreut të PS-së të japë shpjegime për pallatin 5-katësh, i ndërtuar, sipas PD-së, gjatë kohës kur Rama ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.