Për herë të parë/ Zengo & Antoniu, zbulohen “negativët” e panjohur

0
450

 Violeta Murati

 

fotografiEkspozita/ “Zengo dhe Antoniu, 200 vjet art” e konceptuar në pesë periudha që lidhen me pesë emra, kjo ekspozitë na njeh me fotografi të hershme shqiptare dhe dokumente të veprimtarisë së Jani Ndoni Zengos, për të vijuar me të birin, Vangjel Zengo, dhe të bijën e Vangjelit, Androniqi Zengo Antoniu, e para piktore shqiptare, me punë të vlerësuara jo vetëm si një relativitet femëror, e më pas ekspozita vazhdon me dy personazhe të fushës së muzikës, Artistin e Popullit, tenorin Kristaq Antoniu, për t’u mbyllur me violonçelistin virtuoz Gjergj Antoniu. “Standard” publikon për herë të parë fotot e vëna në dispozicion nga trashëgimtarët e koleksionit të familjes

 

Për të ndjekur dinastinë Zengo dhe Antoniu, mjafton pjesa e biografisë së tyre artistike, një rrugë e gjatë arti prej 200 vitesh që janë dokumentuar në një katalog si dhe do të jenë pjesë e një ekspozite që hapet më 1 dhe 2 shkurt jashtë institucionit publik.

Ikonografi, fotografi, pikturë, kinematografi dhe muzikë është një histori e gjatë që kthen në nderim kontributin e dy familjeve nga Dardha e Korçës, duke u paraqitur për herë të parë me një pjesë të punimeve të tyre në zhanre të ndryshme të artit.

Me dëshirën për t’i bërë të njohura këto vepra arti, Enisi tregon se publiku do ketë edhe mundësinë për të parë nga afër negativë të panjohur dhe këto të ruajtura në “sëndukun” e trashëgimisë së familjes. “Zengo dhe Antoniu, 200 vjet art” mban titullin ekspozita, e konceptuar në pesë periudha që lidhen me pesë emra, duke na njohur me fotografi të hershme shqiptare dhe dokumente të veprimtarisë së Jani Ndoni Zengos, për të vijuar me të birin, Vangjel Zengo, dhe të bijën e Vangjelit, Androniqi Zengo Antoniu, e para piktore shqiptare, me punë të vlerësuara jo vetëm si një relativitet femëror, e më pas ekspozita vazhdon me dy personazhe të fushës së muzikës, Artistin e Popullit, tenorin Kristaq Antoniu, për t’u mbyllur me violonçelistin virtuoz Gjergj Antoniu.

“Janë koleksione që trashëgojmë si familje dhe disa prej tyre vijnë për herë të parë për publikun”, – thotë për “standard” Enis Pekmezi, trashëgimtari i koleksionit të veprave të artit të familjes, duke na vënë në dispozicion katalogun me fotografi dhe biografi të familjes Zengo dhe Antoniu. Histori dhe art, i trashëguar brez pa brezi, brenda së njëjtës familje, shquan vlera të rralla dhe individuale të artistëve të kësaj familjeje si dhe zhvillime zhanresh të ndryshme në artin që kanë krijuar dhe dhuruar për dy shekuj botës shqiptare e më tej.

Jani Ndoni Zengo (Papajani), ksilograf, fotograf, mësues. Në vitet ‘60 të shek. XIX, filloi të punonte për një alfabet të gjuhës shqipe. U dorëzua prift kur ishte 60 vjeç dhe bëri përpjekje për të përkthyer ungjillin. Vangjel Papajani Zengo, fotograf, ikonograf, piktor, ka zbukuruar kisha në Shqipëri e Greqi, deri në Odesë. Tablo të tij ruhen në Muzeun e Krujës dhe në Muzeun Historik Kombëtar. Androniqi Zengo Antoniu, e para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar, ikonografe. E cilësuar që në punët e saj të para “qind për qind impresioniste”. Me mbi 500 vepra në vaj, 55 punë i ruhen në Galerinë e Arteve; Kristaq Antoniu, këngëtar lirik, tenor e bariton me zë të ngrohtë e të fuqishëm, është dhe “një yll i ndritur” i fillimeve të kinemasë rumune. Zëri i tij me timbër të veçantë shoqërohej nga një paraqitje e bukur skenike; Gjergj Antoniu, violonçelist virtuoz me individualitet të spikatur, poet i tingullit, artist profesionist dhe pedagog erudit, renditet në një vend të rëndësishëm në jetën muzikore elitare shqiptare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy ditë rresht. Në natën e parë, më datë 1 shkurt, ditën e premte, hapja do të jetë në orën 18:00 pasdreke, ku do të jenë të ftuar miq, specialistë nga bota e artit dhe kulturës, figura të jetës politike dhe akademike; më datë 2 shkurt ekspozita qëndron e hapur për publikun.

 

 

Profilet

Jani Zengo refuzon murgjërinë, nga Mali i Shenjtë kthehet në Dardhë

 

Jani Ndoni Zengo (Papajani) 1832 – 1912, u lind në Dardhë të Korçës. Kaligraf (drugdhendës) fotograf, mësues. Punoi për shumë vite edhe në Greqi. Që në vitin ‘69 të shek. XIX, filloi të punonte për të krijuar një alfabet të gjuhës shqipe. U dorëzua prift kur ishte 60 vjeç dhe që të ungjillizonte shqip në kishë, u përpoq të përkthente ungjillin. Fotografitë e tij janë shumë të hershme, por e para e dokumentuar i takon vitit 1876. I ati i Papa Janit, Papa Ndoni, mësues i gjuhës greke në shkollën e Dardhës, ishte ikonografi i njohur jo vetëm në zonën pranë vendlindjes. Rrugëtimi si ikonograf e kishte çuar deri në Moskë e Petërburg. Ai e dërgoi të birin në Malin e Shenjtë, në Greqi, por Janit nuk i pëlqeu jeta e mbyllur e murgjve dhe u kthye në Dardhë. Papa Ndoni e largoi nga shtëpia për së dyti, kësaj radhe në Korfuz, ku Jani mësoi gdhendjen e drurit. Gjatë punës në qytete të ndryshme të Greqisë, mësoi edhe fotografinë. Këtë profesion e ushtroi më pas kudo që vinte. Në fund të vitit 1878, tregon midis arsimtarëve të shkollës fillore greke të Dardhës edhe të atin, Papa Ndonin.

 

 

Vangjel Zengo, zbukuroi kishat dhe ndërtoi Xhaminë e Madhe

 

Vangjel Papajani Zengo 2.3.1875 – 20.3.1941, u lind në Dardhë të Korçës. Fotograf, ikonograf, piktor, ka zbukuruar kishën e vjetër të Vangjelizmoit në Tiranë, të Shën Gjergjit dhe Mitropolinë në Korçë dhe shumë kisha në Shqipëri e Greqi, deri në Odesë. Bashkë me të vëllezërit Eftimin dhe Nikollën pikturoi më 1921 Xhaminë e Madhe të Korçës. Tablo të tij ruhen në Muzeun e Krujës dhe në Muzeun Historik Kombëtar, në Galerinë e Artit si dhe nëpër koleksione private. Vangjeli i mori mësimet e para në Dardhë. I ati, Papa Jani, mësues në shkollën e fshatit, i dalloi që herët prirjet e tij për pikturë.

Për këtë arsye, pasi bëri dy vjet në gjimnazin e Korçës dhe pasi mësoi mjeshtërinë e fotografisë, e dërgoi në 1891 pranë të vëllait që ishte ikonograf në manastirin e Karies, në Malin e Shenjtë (Atos) në Greqi. Vangjeli qëndroi atje 8 vjet, duke bërë jetën e murgut dhe duke mësuar ikonografinë. Atij i vinin porosi për ikona dhe nga kisha e manastire në Odesë. Ndërkohë ushtronte dhe profesionin e fotografit. Veç ikonografisë Vangjeli u mor dhe me temën historike. Iu kthye disa herë portretit të Skënderbeut, realizoi portretin e Fan Nolit, Sotir Pecit, Mihal Gramenos, tablo me temë nga luftërat kundër pushtimit osman etj.

 

 

Androniqi Zengo Antoniu, “qind për qind impresioniste” merr çmim në Nju Jork

 

Androniqi Zengo Antoniu, 26.5.1913 – 10.2.2000, u lind në Korçë në familjen Zengo, e njohur si familje artistësh të penelit, drugdhendjes e fotografisë. E para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar, ajo studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës për pikturë e skulpturë. Piktore e cilësuar që në hapat e saj të parë “qind për qind impresioniste”, nga mbi 500 vepra në vaj, 55 punë i ruhen në Galerinë e Arteve në Tiranë. Si ikonografe ka punuar në zbukurimin e tetë kishave në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera të Shqipërisë. Punoi që 11 vjeçe si ndihmëse e të atit, Vangjel Zengo, për të pikturuar sfondet dhe veshjet e shenjtorëve tek ikonat që bënte ai. Ekspozitën e parë me punët e saj e hapi në Korçë, më 1935, të dytën në Tiranë, më 1937, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Ka marrë pjesë me 15 punime në ekspozitën botërore të Nju Jorkut më 1939 dhe po atë vit në Bari në konkursin ndërkombëtar “Premio Albania”, ku u vlerësua me çmimin e tretë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Në vitin 1941 u martua me këngëtarin e njohur lirik Kristaq Antoniu. Më 1964, realizoi pikturimin e kishës së re të Vangjelizmoit në Tiranë. Më 1963, u organizua ekspozita e saj e katërt me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Po atë vit merr pjesë në Bienalen e Aleksandrisë, në Egjipt, nga e cila i vijnë dhe dy medalje.

 

 

Kristaq Antoniu, “një yll i ndritur” i viteve të para të kinematografisë rumune

 

Kristaq Antoniu, 25.12.1907 – 17.3.1979, u lind në Bukuresht, në një familje shqiptare me origjinë nga Korça. Këngëtar lirik, tenor e bariton, Antoniu është njëkohësisht pionier i filmit rumun, “një yll i ndritur” i viteve të para të kinematografisë rumune. Ai shquhej si për zërin me timbër të veçantë, të ngrohtë e të fuqishëm, ashtu edhe për paraqitjen e jashtëzakonshme skenike. Në vitet 1924-931 interpretoi në 11 filma. Pikërisht atëherë “u zbulua” edhe zëri i tij dhe talenti si këngëtar. Shkel për herë të parë në Shqipëri më 1932, ku dha një koncert në Legatën Amerikane në Tiranë. Më 1934, kryen në Romë një specializim disamujor në konservatorin “Santa Cecila”. Më pas, një koncert në teatrin rumun “Alhambra” dhe një sërë koncertesh në disa vende të Evropës.

Më 1941, martohet me piktoren e njohur Androniqi Zengo. Në këtë kohë regjistroi në disqe tek “Columbia” dhe “Kristal” 20 pjesë vokale, romanca e tango. Më 1942 regjistroi përsëri në “Columbia” 15 këngë popullore shqiptare, ku e shoqëronte në piano kompozitori Pjetër Dungu. Interpretues i shumë roleve në operat e vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranës, ai ishte dhe pedagog për shumë këngëtarë të rinj.

 

 

Gjergj Antoniu, poeti i tingullit kombëtar

 

Gjergj Antoniu, 12.4.1949 – 28.9.2012, violinçelisti virtuoz me individualitet të spikatur, poet i tingullit, profesionist dhe erudit, Gjergj Antoniu renditet në një vend të rëndësishëm në jetën muzikore elitare shqiptare. Kërkesat drejt veprave universale e zgjerojnë në repertorin e tij me vepra të vështira e shumë të vështira, të cilat i interpretoi me mjeshtëri të përkryer. Në profilin e tij artistik ngërthehen fort mes tyre talenti, intelekti dhe vullneti.

Një peshë më vete në rrugëtimin e tij artistik zë interpretimi i literaturës shqiptare, siç shprehej ai, “si një detyrim moral artistik, në respekt të të gjithë kompozitorëve shqiptarë të traditës e të brezit të ri”. Ai vlerësoi nuancat dhe ngjyrimet kombëtar dhe i vuri në jetë duke zbuluar dhe mjetet korrekte për realizimin e tyre. Gjergj Antoniu vlerësohet nga kritika jo vetëm si interpretues, por gjithashtu si stimulues e frymëzues në krijimin e këtyre veprave. Në veprimtarinë e tij zë një vend të rëndësishëm edhe puna 36-vjeçare si pedagog me të rinjtë, të cilëve u përcolli artin dhe pasionin e tij.

 

Info/kult

 

Medresisti i Beratit, piktori i ri më i mirë në botë 

Adi Totaj është shpallur piktori më i mirë mes 1458 të rinjve nga e gjithë bota me pikurën e Urës së Gorricës në Berat. Totaj ka fituar çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Piktorëve “A Youthful Vision 2012” për moshat 13-15 vjeç, që u zhvillua në Sllovaki, organizuar nga UNESCO në kuadër të projektit “World Haritage”. Ky është çmimi i dytë i tij pas atij të vendit të tretë të marrë në vitin 2011. Edicioni i 18-të i konkursit “Një vizion rinor 2012” u organizua në Banska Štiavnica të Sllovakisë. Ky konkurs synon të ftojë dhe angazhojë fëmijët e shkollave duke përdorur kreativitetin e tyre për të paraqitur trashëgiminë botërore të qytetit të tyre ose të çdo qyteti që është pjesë e trashëgimisë kulturore në të gjithë botën.

“A Youthful Vision 2012” është një konkurs ndërkombëtar pikture, ku marrin pjesë persona nga të gjitha vendet që janë në mbrojtjen e UNESCO-s, Institutit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në botë. Në organizimin e këtij viti morën pjesë mbi 1458 të rinj nga 80 shkolla të ndryshme nga 26 qytete të trashëgimisë botërore dhe nga 19 shtete të ndryshme.

Shtete pjesëmarrëse ishin Shqipëria, Brazili, Kanadaja, Kina, Kuba, Çekia, Hungaria, Italia, Japonia, Lituania, Letonia, Malajzia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina dhe Sllovakia. Adi Totaj ka mbaruar shkollën 9-vjeçare “Thimi Tani” në Berat dhe aktualisht është nxënës në vitin e parë në medresenë “Vexhi Buharaja” të këtij qyteti. Rrugën si piktor e ka nisur që në klasë të 6-të, ku dhe i inkurajuar nga mësuesit dhe prindërit e tij në vitin 2009 regjistrohet në studion “Art Kolor”. Një nga objektivat më të rëndësishëm të Adit është të vazhdojë shkollën e lartë për arkitekturë. Krahas talentit të tij në pikturë që nga klasa e 6-të, njëkohësisht ka qenë dhe një nxënës shembullor me rezultate të larta në mësime. Në kërkim të përmbushjes së objektivave të tij konkurron dhe vendos të studiojë në Medresenë e Beratit. Fakti që mësimet zhvillohen në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe arabisht, siç thotë ai, e bën të ndihet dhe më i sigurt në rrugën drejt realizimit të ëndrrës së tij.

 

 

“Onufri” 2012, nesër fituesit

 

Galeria Kombëtare e Arteve shpall të enjten fituesit e edicionit “Onufri” 2012. Juria e përbërë nga Alban Hajdinaj – kryetar, studiues kurator, Genti Gjikola – anëtar, arkitekt, Thomas Logoreci – anëtar, kritik arti, do të vendosë mbi veprat e pjesëmarrësve në ekspozitën e titulluar “Ndoshta të ëndërrosh” që u hap në Galerinë Kombëtare në datë 28.12.2012. Kjo ekspozitë u kurua nga Daniele Capra dhe në të marrin pjesë artistët: Luçian Bedeni, Yllka Gjollesha, Genti Korini, Mariana Kostandini, Remijon Pronja, Alketa Ramaj, Violana Murataj, Arjan Shehaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency