Investigimi i “Standard”, reagon Ministria e Arsimit Ndëshkim për universitetet private që kanë abuzuar me ligjin. Publik vs privat: Hendek i madh

0
155

Intervistoi: Driçim Çaka

student....Alfred Mullai: Privatët, shkelje me reklamimet lidhur me titullin “Universitet”

 

Pas shkrimit të “Standard” lidhur me shkeljet që i bëjnë universitetet private ligjit të arsimit të lartë, duke regjistruar studentë pa diplomë “Bachelor” në studimet master, ka reaguar Ministria e Arsimit. Në një intervistë për gazetën, Alfred Mullai, drejtori i Arsimit të Lartë Privat, bëri me dije se do të ketë ndëshkime për të gjitha universitetet që kanë bërë shkelje të ligjit. Nëpërmjet një kontrolli që do të bëhet në muajin shkurt, privatët do të kalojnë në një filtër të rreptë të gjithë dokumentacionin për çdo regjistrim të bërë në të dy ciklet e studimeve. Gjithashtu, drejtori i Arsimit të Lartë Privat vlerëson se në Shqipëri ka një hendek mese universiteteve publike dhe universiteteve private, hendek i cili do të kërkojë kohë që të shuhet. Sipas Mullait, ky hendek vjen për shkak se në publik regjistrohen maturantët me notat më të mira, ndërsa në privatë regjistrohen ata maturantë me mesatare 5 ose 6.

 

Para disa ditësh, gazeta “Standard” publikoi një artikull, që denonconte një skandal në universitetet private për regjistrimin e studentëve në master pa diplomë “Bachelor” si dhe pa marrë ende provimet e sistemit trevjeçar. Sa jeni në dijeni të këtij fenomeni?

Ne kemi një grup monitorimi që po kalojnë në universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë privat dhe një nga pikat e monitorimit është edhe regjistrimet e studentëve në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë në mbështetje të udhëzimit 17 të Ministrisë së Arsimit për aplikimin dhe regjistrimin e studentëve. Meqë fjala është për ciklin e dytë, mund të them që kriteri i parë është që studenti të disponojë një diplomë “Bachelor” dhe në momentin e regjistrimit duhet të dorëzojë një kopje të noterizuar të diplomës “Bachelor”. Dokumenti i noterizuar nuk kërkohet vetëm në rastet kur studenti është i po atij institucioni dhe ka përfunduar ciklin e parë dhe dëshiron të vazhdojë për master.

 

Po nëse një student i caktuar që ka mbaruar në një institucion privat dhe ka ende pa marrë provime nga cikli “Bachelor”, lejohet që të vazhdojë për master? A e lejon ligji për arsimin e lartë?

Është e thënë qartë dhe saktë, “studentët të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit të parë”. Pra, asnjë student nuk mund të marrë diplomën pa mbaruar provimet, pasi nuk mund të hyjë në provimin e diplomës. Nëse ka raste të tilla, kjo është një shkelje të cilën ne nuk mund ta lejojmë.

 

Disa nga universitetet private kanë shkelur këtë ligj. Në bazë të disa dokumenteve që “Standard” zotëron, universitetet private kanë regjistruar studentët të cilët kanë ende pa marrë 1 ose 2 provime.

Shkelja e parë është që kanë regjistruar studentët pa diplomë. Diploma është kusht për regjistrimin e një studenti për master. Këto shkelje do të monitorohen dhe do të ndëshkohen.

 

Nëse zbulohen raste të tilla cilat do të jenë ndëshkimet për universitetet private?

Ne kemi një database të plotë për regjistrimin në të dyja ciklet dhe kjo database ndodhet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe ne kemi një filtër aty që nuk mund të marrin numër matrikullimi studentët të cilët nuk janë diplomuar. Kjo tentativë është një nul.

 

Por si duhet të ndëshkohen universitetet, nëse ka raste abuzimi?

Nuk ligjërohet regjistrimi, kjo masë e bën vendimin e universitetit “nul”.

 

Por sot ka studentë në universitete private që vazhdojnë masterin pa marrë provimet e ciklit trevjeçar!

Unë po të njoftoj se si universitetet private, por edhe ato publike kanë sjellë dosjet e çdo studenti dhe askush që ka regjistruar studentët pa diplomë, nuk do të marrë numër matrikullimi. Janë jashtë sistemit.

 

A mund të mbikalohet sistemi? Universitetet mund të dorëzojnë listat sikur studenti i ka marrë të gjitha provimet. Mbikalohet sistemi?

Nuk mund të mbikalohet.

 

Po nëpërmjet listave?

Listat janë dorëzuar dhe studentët që kanë parregullsi, nuk kanë marrë numër matrikullimi. E gjithë kjo tentativë, do të thosha, është një tentativë e kotë. Nëse ju keni raste ku janë bërë regjistrime të tilla, këto lista do të na shërbejnë për evidentimin zyrtarisht të çdo rast.

 

Agjencia e Akreditimit u ka dhënë titullin “Universitet” vetëm 6 privatëve. Përse lejohet që të gjitha shkollat private të reklamohen si “Universitet”, kur ende nuk e kanë marrë këtë titull?

Ka pasur shkelje në propagandën që bëjnë disa nga institucionet private dhe ne për këtë kemi lajmëruar çdo institucion për të përmirësuar të gjithë këtë pjesë të reklamës së tyre dhe të emërtohen ashtu siç ka dalë me vendimin e Këshillit të Ministrave, shkollë e lartë private X dhe jo universitet. Dihet që universitete private janë 6 dhe të tjerët mund ta kenë titullin shkollë e lartë universitare nëpërmjet vendimit të qeverisë, por jo universitet. MASH u ka dërguar të gjitha institucioneve private për emërtime të sakta gjatë reklamimeve dhe për po kështu kemi njoftuar dhe KKRT.

 

Rezultatet e provimit të shtetit për profesionet e lira treguan se numri më i lartë i të ngelurve vijnë nga universitet private. A ka një diferencë cilësie midis universiteteve private dhe universiteteve publike?

Sigurisht, diferenca është absolute, dhe cila është diferenca e cilësisë? Nëse në Infermieri në shtet, për shembull, regjistrohen kandidatët që vijnë nga shkollat e mesme me mesatare 9.5, në privat regjistrohen edhe kandidatët që kanë ardhur me mesatare 5. Këtu ka një diferencë të madhe për formimin e tyre dhe kjo diferencë, pavarësisht nga puna që bëjnë të gjitha institucionet, përsëri duhet marrë në konsideratë. Një maturant i notës 9 me një maturant të notës 5 nuk mund të krahasohen, pasi hendeku nuk plotësohet aq shpejt ose mund të mos mbushet kurrë. Kjo është arsyeja që do të vazhdojë edhe për një kohë që këto universitete private të kenë një rezultat më të dobët se universitetet publike.

 

Opinioni publik ka krijuar idenë se diplomat në universitetet private fitohet “me lekë”. A ka ndonjë projekt MASH për të rritur cilësinë në universitetet private?

Ka një projekt dhe ne kemi filluar nga stafet akademike dhe ne kemi bërë takime me të gjitha universitetet private për plotësimin e stafeve akademike, ky është hapi i parë. Për përmirësimin e kritereve dhe standardeve në cilësi ne po i shohim me shumë kujdes për të mos pasur një diferencë të madhe.

 

Privatët nxjerrin urgjentisht data për mbrojtjen e diplomës

Menjëherë pas lajmit se universitetet private kanë regjistruar studentë në master pa diplomë “Bachelor”, kanë “reaguar” universitetet private. Dy ditë më parë dhe ditën e djeshme është bërë lajmërimi i studentëve të cilët ende nuk kanë marrë diploma si dhe të atyre kandidatëve që vazhdojnë masterin pa marrë provimet e ciklit trevjeçar, se brenda muajit shkurt do të ketë data për dhënien e provimeve, por edhe datë për mbrojtjen e diplomës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency