Sherefedin Shehu: Rritje taksash në kohë krize? Nuk është e rekomandueshme!

0
142

 Ervin Kaduku

sherefedin“Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka nevojë për investime të huaja, ndaj ajo duhet të jetë konkurruese sa i përket ngarkesës fiskale”

 

Politika e rritjes së taksave në një kohë krize nuk është e rekomandueshme, madje është e rrezikshme për ekonominë. Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, u shpreh dje se rekomandimi i FMN-së për rritje të taksave nuk është në kohën e duhur. Prioritet absolut për momentin, sipas tij, mbetet rritja e eficencës së administrimit të sistemit tatimor me nivelet aktuale të taksimit. “Për mosrealizimin e të ardhurave shkak është performanca e ekonomisë që jep këtë rezultat edhe në performancën fiskale. Në situata të tilla krizash janë bërë të gjithë eksperimentet dhe rezultati që ka dhënë më shumë efekt ka të bëjë me ruajtjen e stimulit ekonomik dhe periudha e krizës nuk konsiderohet si moment i përshtatshëm për të ndërmarrë politika fiskale në kahun e rritjes së të ardhurave. Madje ka ekspertë që shprehen se mund të shpëtojmë nga borxhi vetëm duke marrë borxh. Unë mendoj se rekomandimi i FMN-së nuk është në kohën e duhur dhe nuk mund të zbatohet në momentin e një krizë të gjithanshme, aq më tepër kur flasim për Shqipërinë, për të cilën viti 2012 rezultoi si viti më i keq. Rritja e taksave është një politikë që mund të konsiderohet në periudha normale të zhvillimit të ekonomisë dhe kur të gjithë faktorët e tjerë të politikave fiskale janë ezauruar. Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka nevojë për investime të huaja, ndaj ajo duhet të jetë konkurruese sa i përket ngarkesës fiskale”, – deklaron Shehu.

Në një periudhë afatmesme, pra kur ndoshta edhe efektet e krizës të jenë të tejkaluara, shprehet Shehu, atëherë mund të konsiderohet një rregullim i niveleve të taksimit në mënyrë që të krijohen të ardhura më të larta. 

Ndërkombëtarët

 

Pak ditë më parë, FMN i kërkoi qeverisë të rishikonte taksat, pasi, sipas ekspertëve të FMN-së, niveli aktual nuk garanton qëndrueshmërinë financiare të vendit. Të ardhurat në buxhetin e shtetit në mbyllje të vitit 2012, llogariten 4.5 miliardë lekë më pak, krahasuar me aktin e fundit normativ të nxjerrë nga qeveria, megjithëse në krahasim me një vit më parë janë vjelë më tepër të ardhura.
Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhet rezultojnë rreth 328.2 miliardë lekë, nga 332.7 miliardë lekë që ishte planifikimi. Të ardhurat tatimore, dhe kryesisht ato të TVSH-së, tatimi mbi fitimin dhe taksa e akcizës, kanë sjellë edhe boshllëkun më të ndjeshëm në buxhet. Ndërkohë, shpenzimet arritën në vlerën 372.3 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor rreth 44 miliardë lekë.
Ministria e Financave për vitin 2013 ka parashikuar treguesit me rritje. Referuar ligjit të buxhetit të shtetit 2013, totali i të ardhurave parashikohet në nivelin 360.7 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8% kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012 ose në nivelin 25.2% të PBB.

Stimujt

 

Por, sipas deputetit Shehu, elementët kryesorë për të rritur të ardhurat në buxhet, janë stimuli fiskal për rritjen ekonomike dhe përmirësimi i performancës së mbledhjes së të ardhurave.
“Elementi kryesor është rikthimi në trendin normal të rritjes ekonomike dhe kur jemi në këtë situatë gjithçka varet nga performanca fiskale. Kur kjo nuk prodhon të ardhura, atëherë natyrshëm i vjen radha korrigjimit të politikave fiskale ose rritjes së barrës fiskale. Por rritje të barrës fiskale për shkak të keqadministrimit nuk duhet bërë. Mbledhja nga administrata qendrore është me efektive dhe më efiçente. Më efiçente, sepse kemi një kosto më të ulët kur e njëjta administratë merret me gjithë të ardhurat, por nuk mund të kontrollohet ngarkesa e nëpunësve fiskal të secilës administratë nga e njëjta administratë. Më efektive sepse mbledhja nga dy administrata jo vetëm rrit koston, por edhe krijon gropë fiskale. Duke ekzistuar vija ndarëse ose i ashtuquajturi limit i xhiros së bizneseve, natyrshëm do të rritet tendenca për të qëndruar në grupin që paguhen më pak taksa dhe në rastin konkret do të kemi edhe një mbështetje nga pushteti vendor, i cili për interesat e tyre do ta nxisë këtë fenomen, duke gjetur gjithnjë mënyra për të mbështetur këtë tendencë”, – shprehet Shehu.
Por, vijon ai, nga pikëpamja e performancës fiskale dhe nga pikëpamja e treguesve makroekonomikë natyrisht që krijohen hapësira që një pjesë e bizneseve të mbesin në nivelin e taksave të ulëta, duke gjetur mënyra të organizimit për të copëtuar xhiron ekonomike që natyrisht sjell ulje të performancës fiskale.
“Duhet të kemi një gjë parasysh se vërtet të ardhurat e planifikuara për vitin 2012 nuk u realizuan, por ato ishin më të larta se sa një vit më parë dhe ky është treguesi kryesor që bën lidhjen e drejtpërdrejtë midis rritjes ekonomike dhe performancës fiskale. Masa e rritjes natyrisht është e ndikuar nga të dy faktorët, rritja ekonomike dhe performanca e administratës”, – thotë Shehu.
Parashikimi në vitin 2012, sipas tij, është i ligjshëm në kuptimin që duhet të shkojë në trendin e zhvillimit ekonomik, sepse e tillë parashikohet ekonomia shqiptare. Por, thekson më tej ai, mos të harrojmë se kemi një parashikim më optimist nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë eurozonën.
“Kështu që përmirësimi, ndonëse i moderuar i gjendjes ekonomike në tërësi dhe i asaj fiskale në veçanti, natyrisht do të shoqërohej me rritje të të ardhurave. Pastaj është e debatueshme masa, sepse supozimet nga institucionet ndërkombëtare janë të ndryshme nga ato që ka bërë qeveria dhe po të hedhim një sy treguesit që janë parashikuar nga qeveria kanë qenë më afër realitetit ose kanë qenë më të lartë se ata të parashikuar nga institucionet ndërkombëtare”, – nënvizon Shehu.
Ai shpreh besimin se qeveria nuk do të ndërmarrë politike për rritje taksash, në këndvështrimin e FMN-së që përmes rritjes së ngarkesës fiskale të rrisë të ardhurat, përveç se disa rregullimeve që më shumë do të konsistojnë në stimulimin e bizneseve dhe në krijimin e një ambienti më të favorshëm për biznesin dhe thithjen e investimeve.
“Pra në fokus do të vijojë të mbetet thithja e investimeve dhe kthimi në ritmet normale të rritjes ekonomike të cilat nuk arrihen me politika fiskale”, – theksoi Shehu.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency