Përmendorja në Preshevë do të rindërtohet me financim të Kuvendit të Njësive Vendore

0
157

Blerta Mrishaj

permendorjaKuvendi, thirrje Këshillit të Evropës, OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të ndërhyjnë për të kontribuar në zgjidhjen e situatës

 

Të zgjedhurit vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva të bashkuar në Kuvendin Mbarëkombëtar të Njësive Vendore Shqiptare, kanë reaguar ashpër ndaj heqjes nga forcat policore serbe të përmendores së Luftëtarëve për Lirinë e Preshevës. Në një deklaratë për shtyp Kuvendi e konsideron këtë akt, në kundërshtim të hapur me parimet e lirisë dhe të demokracisë, dhe një sinjal negativ për bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë, sikundër deklaron se do të financojë rindërtimin e përmendores së Luftëtarëve të Lirisë në Preshevë.

 Financimi

“Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare (KMNVSH) dënon me ashpërsi shkatërrimin e dhunshëm nga autoritetet serbe, të përmendores së luftëtarëve të lirisë në sheshin e Preshevës. Kuvendi e konsideron këtë akt, në kundërshtim të hapur me parimet e lirisë dhe të demokracisë dhe një sinjal negativ për bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë. Ky kuvend shpreh mbështetjen e plotë për Kuvendin Komunal të Preshevës, për kryetarin e komunës, Ragmi Mustafa, si dhe për të gjithë të zgjedhurit vendorë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare i siguron shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe autoritetet lokale për mbështetjen dhe solidarizimin e plotë me ta. Si një kontribut për të ardhmen, lirinë dhe bashkëjetesën e mirë në rajon, Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare ka vendosur të financojë rindërtimin e përmendores së Luftëtarëve të Lirisë në Preshevë. Kuvendi Mbarëkombëtar i të Zgjedhurve Vendorë Shqiptarë i bën thirrje Këshillit të Evropës, OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të ndërhyjnë për të kontribuar në zgjidhjen e situatës së ndere dhe për të parandaluar më tej shprehjet e vazhdueshme të kërcënimit dhe presioneve ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Përmendorja

Pllaka përkujtimore vendosur në Preshevë në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë u kushtohej kryengritësve shqiptarë që luftuan për më shumë të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili edhe kësaj radhe ishte përfshirë në përpjekjet për të gjetur një kompromis ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve në zonë. Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë shprehu keqardhjen që negociatat për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit u dëmtuan nga largimi i monumentit nga ana e qeverisë serbe dhe se “negociatat është dashur të vazhdojnë për gjetjen e zgjidhjes, që do të respektonte dëshirat e të dy komuniteteve.

Dje

Protestë gjithëpopullore e shqiptarëve

Mijëra shqiptarë protestuan dje në sheshin qendror të Preshevës në shenjë revolte kundër aktit vandal të autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Në protestë morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇPMB-së. Protesta deri tani po zhvillohet e qetë dhe pa incidente, derisa policia e rregullt shumetnike po mban rendin, ndërsa nuk janë vërejtur forca policore të xhandarmerisë serbe. Përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë pas veprimeve të forcave serbe. Ata bënë thirrje që çështja e Luginës së Preshevës urgjentisht të trajtohet edhe në Bruksel në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Përmendore

BE: Të zgjidhet me dialog

Zëdhënësja e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, ka thënë se situata në Preshevë, pas heqjes së përmendores të UÇPMB-së, duhet të zgjidhet me dialog dhe se një gjë e tillë nuk duhet të ndikojë në bisedimet Prishtinë-Beograd. “Na vjen keq që nuk ka pasur zgjidhje kompromisi nga palët e përfshira në këtë çështje. Për ne tani është e rëndësishme që të gjithë t’i kthehen dialogut dhe të mos vijë deri te konfrontime të panevojshme”, – ka thënë Kocijancic për “Deutsche Welle”-n. Sipas saj, Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet e OSBE-së në këtë kontest. Të dielën, pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë larguar përmendoren e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i cili ka qëndruar para Kuvendit Komunal në Preshevë. Një gjë e tillë ka nxitur reagimin e shumë autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare dhe është thënë se mund të ndikojë dialogun Prishtinë-Beograd.

 

Ngjarja e Preveshës

Berisha: Do të rishikojmë marrëdhëniet me Serbinë

Autoritetet serbe hoqën të dielën pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë. Ky akt u shoqërua me reagime në Prishtinë dhe në Tiranë. Kështu, veç reagimit zyrtar të Kryeministrisë të dielën, dje numri një i qeverisë gjatë fjalës së tij i ka kushtuar një hapësirë jo të vogël kësaj çështjeje. Gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit tha se Serbia nuk mund të kërkojë asgjë më shumë se ç’përcaktojnë konventat ndërkombëtare. Ai deklaroi se do të ketë një shqyrtim të marrëdhënieve me këtë vend, nëse vijojnë reagime të tilla. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt, qeveria do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë dhe unë i garantoj qytetarët e Preshevës se Shqipëria është e vendosur të bëjë gjithçka, në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Serbia nuk mund të kërkojë as një të drejtë më shumë se ato që përcaktojnë konventat ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar për paqen, por nuk mund të pranojmë qëndrime të tilla”, – tha Berisha. Ai shtoi se në fakt me ata të cilët deri dje ishin duke negociuar, tashmë kanë arritur që të bëjnë veprime të tilla. Berisha deklaroi se albanofobia është më se e qartë dhe qëndrimet e mbajtura ndër shekuj të tilla nuk kanë ndryshuar edhe në këto kohë moderne kur ne jetojmë. “Ky akt dëshmon edhe njëherë se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë liritë, që i fituan me gjak. Asnjë e drejtë nuk u është dhënë shqiptarëve qoftë edhe 10 vite më parë, pa sakrificat e tyre sublime. Çdo e drejtë e tyre është e njomur me gjakun e të rinjve, vajzave, djemve, grave dhe burrave të kombi shqiptarë, në trojet e tyre etnike shekullore ku jetojnë. Urrejtja ndaj shqiptarëve është e akumuluar në shekuj, është e induktuar në qeliza dhe këto zhvillime tregojnë se është iluzion, të mendosh se ata, të cilët kanë ngritur malet me urrejtjen ndaj shqiptarëve do të mund të çlirohen shpejt ndaj saj. Jo, është iluzion. Ndaj dhe uroj dhe dëshiroj që shqiptarët kudo që ndodhen, sot më shumë se kurrë, të punojnë për bashkimin e tyre njeri me tjetrin, si rruga me e sigurt kjo, e një zhvillimi, e ndërtimit të ardhmes, por edhe e çlirimit të fqinjëve tanë, nga fobitë shekullore të akumuluara ndaj shqiptarëve. Nuk çlirohen ndryshe dhe kjo do ti ndihmojë dhe ata”, – pohoi shefi i qeverisë. Ndër të tjera, Kryeministri bëri të ditur se do t’i propozohet Bashkisë së Tiranës që një rrugë në kryeqytet të marrë emrin “Heronjtë e Preshevës”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency