Matura 2013, ndryshon modeli i provimit, më shumë pyetje me zhvillim

0
136

Driçim Çaka

maturaKush flet, i digjet provimi

Korrigjim i trefishtë për testet

 

Struktura e testeve të për Maturën Shtetërore 2013 nuk do të jetë e njëjtë si një vit më parë. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se këtë vit do të propozohet që të ulet numri i pyetjeve me alternativa si dhe të shtohet numri i pyetjeve me zhvillim. Sipas MASH-it, ky ndryshim do të bëjë të mundur edhe identifikimin e atyre kandidatëve të cilët përdorin manovra kopjimi gjatë zhvillimit të provimit. Struktura e testit për provimet e maturës përcaktohet nga ministri i Arsimit dhe këtë vit pritet të ketë jo pak ndryshime. Pas ndryshimit të numrit të provimeve me zgjedhje si dhe plotësimin e formularit A1 online MASH pritet të ndryshojë dhe testet që këtë vit mendohet të jetë një risi

Shtrëngohen rregullat

Çdo maturant që do të bëjë komente lidhur me testin apo do të guxojë të kthehet qoftë edhe një herë mbrapa, do të ketë përjashtim të menjëhershëm nga provimi. Ky është përcaktimi i rreptë që i bën rregullorja e maturës për ata kandidatë që do të guxojnë të bëjnë kopje apo të marrin informacione. Kështu, maturanti përjashtohet kur: mban telefon celular apo mjet tjetër komunikimi, kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve të provimit, nëse përdor laps apo stilolaps me ngjyra të tjera, nëse dëmton testin ose kodin e sekretimit si dhe nëse vërtetohet kopje e plotë ose e pjesshme si gjatë provimit por dhe gjatë korrigjimit të testit. Në të gjitha këto raste çdo maturantë përveçse përjashtohet nga provimi por nuk do ti njihet dhe rezultati i provimit.

Testet korrigjohen 3 herë

Çdo test pavarësisht profilit do t’i nënshtrohet një kontrolli të dyfishtë. Në rast se dy vlerësuesit e parë kanë mospërputhje në rezultat, atëherë është një vlerësuar i tretë i cili bën korrigjimin përfundimtar si dhe vlerëson çdo pyetje. Pas vlerësimit përfundimtar të tretë vlerësuesit bien dakord për pikët përfundimtare që do shënohen në faqen e parë të testit.

Mjediset e provimit

Qendrat ku do të zhvillohet provimi, duhet të kenë jo më shumë se 150 maturantë. Kështu, në një shkollë të mesme, ku mblidhen më shumë maturantë, komisionet do të bëjnë shpërndarjen nëpër mjedise të tjera. Ambienti ku do të bëhet provimi nuk duhet të ketë më pak se 15 kandidatë si dhe duhet të jetë nën monitorimin e rreptë të një administrator. Largësia ndërmjet çdo maturanti do të jetë 120 cm në të gjitha drejtimet, majtas, djathtas si dhe para-mbrapa. Çdo kandidat do të ketë në dispozicion 10×60 cm për të zhvilluar provimin. Sipas rregullores së MASH-it për maturën, në këto ambiente nuk do të ketë asnjë material tjetër të tipit tabela apo postera si dhe çdo shkollë duhet të ketë lidhje me rrugët automobilistike.

Pyetjet nga programet orientuese

Pak ditë më parë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit u publikuan programet orientuese të maturës. MASH bën me dije se çdo pyetje e provimeve do të jetë nga këto programe. Këtë vit do të ketë vetëm 2 provime me zgjedhje si dhe do të ndryshojë formula e llogaritjes së pikëve.

 

 

 

Strategjia 2013-2020

Ministritë, në “këmbë” për të hapur vende të reja pune

Jo vetëm Ministria e Punës, por të gjitha ministritë, pjesë e planit për strategjinë e re të punësimit

 

Programi ri për punësimin i mbështetur nga projekti IPA 2010 do të angazhojë jo vetëm Ministrinë e Punës, por të gjitha ministritë. Nëpërmjet angazhimit të të gjitha institucioneve qeveria synon që shumë shpejt të ketë numër të saktë të të papunësuarve në të gjithë vendin si dhe mbështetjen e çdo politike për të hapur vende të reja pune. Kështu, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Integrimit, Ministria e Teknologjisë dhe Informacionit, si dhe institucionet e tjera që zbatojnë politikat në fushën e punësimit do t’i shërbejnë Strategjisë Ndërsektoriale të Punësimit. Në strategjinë e re do të prezantohet një pasqyrë e situatës aktuale të tregut të punës dhe bazuar në kontributet e ministrive respektive do të përcaktohen shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në sektorët prioritarë me aktivitete që gjenerojnë punësim. Shtyllat kryesore të Strategjisë Ndërsektoriale të Punësimit 2013-2020 pritet të jenë ekonomia, financa, bujqësia, turizmi, arsimi, transporti, integrimi, teknologjia e informacionit, mjedisi, nxitja e punësimit dhe përfshirja sociale.

Fushat

Politikat e punësimit dhe formimit profesional, programet aktive të tregut të punës, ku përfshihen shërbimet e punësimit, formimit profesional, programet e nxitjes së punësimit, inspektimi në punë, siguria dhe shëndeti në punë, dialogu social, politikat për migracionin, biznesi social dhe përfshirja sociale do të vazhdojnë të jenë fushat kryesore mbi të cilat do të mbështet strategjia e re. në takimin e radhës së grupit të punës ministri i Punës Spiro Ksera kërkoi angazhim maksimal të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve politikëbërëse, duke theksuar rëndësinë e këtij dokumenti, i cili për herë të parë punësimin dhe politikat për punësimin do t’i kthejë në pjesë të rëndësishme të politikëbërjes të të gjitha institucioneve kryesore, të cilat ndër të tjera do të kenë edhe detyrimin të raportojnë në mënyrë periodike rreth impaktit që politikat që ato hartojnë dhe zbatojnë kanë në punësim. Në fund të procesit të hartimit pritet që strategjia të shoqërohet me një plan aksioni ku do të përfshihen të gjitha aktivitetet me përgjegjësi për çdo ministri.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency