Trashëgimtari i Frashërit Letër të hapur ish-kryebashkiakut Rama, anuloi lejen për ndërtim në pronë

0
169

Blerta Mrishaj
celaAnulim të lejes së ndërtimit dhe pengim për moszhvillim të pronës, ky është akti i kryer nga ish-kryebashkiaku Edi Rama një vit pas marrjes së detyrës në krye të Bashkisë së Tiranës, në vitin 2001. Sot, 12 vite më pas, Edison Tefik Çela, trashëgimtar i pronave të familjes së bijës së Mehdi Frashërit, Mediha Frashërit, ende nuk ka një përgjigje se përse Rama anuloi lejen e ndërtimit të një pallati 8-katësh, investim që do të kryhej në pronën e tij, dhe jo në hapësira publike. Ndërkohë, disa metra më larg, Rama ka dhënë leje ndërtimi për një pallat 5-katësh për bashkëshorten aktuale, Linda Basha. Për këtë z. Çela shtron pyetjen se përse vetëm pak metra larg pronës së tij në rrugën “Pjetër Budi”, në lagjen pranë Liceut Artistik, përballë Institutit të Higjienës, është ndërtuar një banesë shumëkatëshe, me lejen e tij. Në letrën e hapur drejtuar ish-kryebashkiakut Edi Rama, trashëgimtari i familjes Frashëri kërkon përgjigjen se përse u anulua leja e ndërtimit dhe nuk u dha asnjë përgjigje për shkaqet e anulimit, ndërkohë që një tjetër banese ou dha leje ndërtimi në hapësirë publike.

Leja

Sikurse shprehet edhe në denoncimin e tij, trashëgimtari Çela deklaron se leja e ndërtimit e marrë gjatë drejtimit të bashkisë nga Albert Brojka, u anulua vetëm një vit më pas me ardhjen në pushtet të Edi Ramës si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, në Tiranë. Me gjithë këmbënguljen e tij për të marrë sqarime apo edhe për të kryer një takim, z. Çela edhe sot nuk ka asnjë përgjigje.

Letra

Për këtë Edison Tefik Çela, trashëgimtar i familjes së Mediha Frashërit, bijës së Mehdi Frashërit, i drejton një letër të hapur ish-kryebashkiakut Edi Rama duke kërkuar arsyet dhe përgjigjet e mohuara për vite me radhë.

 

“Letër e hapur drejtuar ish-kryetarit të bashkisë, z. Edi Rama

Unë ende nuk e di pse ma anuluat të drejtën për të zhvilluar pronën

Ish-kryebashkiakut të Tiranës

Z. Edi Rama

Z. Rama,

Ditët e fundit kam pasur rastin të shoh në media se në rrugën “Pjetër Budi”, në lagjen pranë Liceut Artistik, përballë Institutit të Higjienës, është ndërtuar një banesë shumëkatëshe, me lejen tuaj. Kam parë në media se përfituesit e aktit që keni lëshuar ju, janë gruaja juaj dhe të afërmit e saj. Por kjo nuk është arsyeja pse po ju drejtohem me këtë letër.

Shqetësimi im është tjetër.

Pak metra larg pallatit të bashkëshortes suaj, në të njëjtin vend, edhe unë si trashëgimtar i pronës së bijës të Mehdi bej Frashërit, mora një leje për zhvillimin e pronës sime në pranverën e vitit 2000, nga ana e kryebashkiakut Albert Brojka. Kjo ndodhi disa muaj para se ju të zgjidheshit kryetar i Bashkisë të Tiranës. Prona ime dhe ndërtesa për të cilën mora leje, nuk zinte asnjë shesh për lulishte apo për çlodhjen e komunitetit.

Ndërtesa që do të bëja së bashku me kushëririn tim Ardian Toptani, nuk bllokonte pra asnjë hapësirë, madje ishte në harmoni me ndërtesat ekzistuese. Për afër katër muaj që leja ishte e vlefshme, sipas detyrave që na la bashkia, ne investuam 15 milionë lekë të vjetra për të rregulluar infrastrukturën nëntokësore.

Kur po bëheshim gati të fillonim punimet, ju papritur më anuluat lejen e ndërtimit, pak kohë pasi erdhët në detyrë, pikërisht me 8 gusht të vitit 2000. Vendimi juaj bazohet në nenin 62 të ligjit 8405.

Nuk arrita kurrë të merrja një shpjegim më shumë përtej këtyre radhëve që keni shkruar në aktin tuaj. Me muaj dhe me vite kërkova sqarime, dhe informacion. Në fund, i lodhur dhe i pashpresë, bashkë me kushëririn tim, vendosëm ta shisnim pronën.

Z. Rama, unë vazhdova jetën time, megjithëse kurrë nuk mora një përgjigje nga ju. Pse ma refuzuat të drejtën time për të zhvilluar pronën? Unë akoma nuk e di se pse ju e morët atë vendim, që mua dhe të afërmve të mi na kushtoi shumë, pasi u detyruam ta shisnim pronën shumë më lirë sesa ishte vlera e saj.

Për çfarë arsyeje ma hoqët mua lejen e ndërtimit, edhe pse nuk zija asnjë hapësirë publike dhe dhatë pak vite më vonë leje ndërtimi në një hapësirë publike 20 metra më tutje? Pse e përdorët nenin 62 për të më hequr lejen mua dhe pak më vonë dhatë leje vetë, edhe pse mbi hapësirë publike pa pyetur fare për nenin 62?

Unë nuk pata kurrë rastin t’ju takoj kur ishit kryebashkiak për t’ju bërë këto pyetje, me gjithë përpjekjet e mia. Sot po ju drejtohem përmes medias, me shpresën se kësaj radhe do të marr një përgjigje.

Edison Tefik Çela – Trashëgimtar i pronës së Mediha Frashërit”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency