Grabitja Pistoletë kokës taksistit në Vorë, dy persona marrin makinën

0
155

Elton Qyno

taxiTaksisti ambulant u grabit tek nënkalimi i Vorës. Dy shtetasit kishin hipur në makinë që në Laprakë

 

Një taksist ambulant është grabitur nga persona të pajisur me pistoletë dhe thikë, duke i marrë automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në nënkalimin e Vorës, kur dy persona ende të paidentifikuar kishin hipur në automjetin e taksistit me mbiemrin Fezaj dhe pasi kanë mbërritur në nënkalimin e Vorës, autorët i kanë nxjerrë pistoletën dhe thikën taksistit, duke e detyruar këtë të fundit të zbriste nga makina dhe t’ia linte mjetin tip “Mercedes-Benz”, dy personave të cilët ai nuk i njihte. Sipas policisë së Tiranës, dy autorët pasi kanë zbritur nga mjeti pronarin, kanë marrë vetë drejtimin e Benzit, duke u drejtuar më pas në drejtim të Laçit. Pas denoncimit të bërë në komisariatin e Vorës, strukturat e policisë kanë ngritur disa postblloqe policore, me qëllim ndalimin e autorëve të kësaj grabitjeje por që në fakt mjeti nuk është konstatuar. Dyshimet flasin se Benzi mund të jetë shitur në ndonjë nga varrezat e zonës, duke u shitur më pas pjesë-pjesë tek përdoruesit e tjerë të automjeteve. Kjo ka bërë që policia të mos gjejë asnjë gjurmë të automjetit, megjithëse është ushtruar kontrolle në disa nga serviset pranë vendit ku ndodhi grabitja e taksistit ambulant.

Hipja në Laprakë

Dy autorët e kësaj grabitjeje kanë hipur në orët e mbrëmjes në taksinë e shtetasit Ferizaj në zonën e Laprakës, duke i kërkuar këtij të fundit që t’i çonte deri në zonën e Vorës. Pasi kanë rënë dakord për çmimin, për 10 mijë lekë, taksisti ambulant dhe dy grabitësit janë nisur në drejtim të Vorës. Njëri nga autorët është ulur në sediljen e pasme ndërsa ai me pistoletë në sediljen e parë. Sipas dëshmisë së dhënë në polici të taksistit, ky i fundit ka treguar se dy personat s’kanë shfaqur asnjë shenjë të dyshimtë gjatë rrugës, përkundrazi kanë qenë shumë bashkë bisedues. Mirëpo teksa kanë mbërritur në zonën e Vorës dhe janë future brenda në tunelin e nënkalimit, dy personat i ka kërkuar taksistit të ndalojë poshtë tunelit. Kësaj kërkese i është përgjigjur pozitivisht drejtuesi i taksisë, i cili sapo ka qëndruar është përballur me grykën e pistoletës, të cilën ja kanë vënë në kokë. Pas kësaj personi tjetër ka nxjerrë një thikë, duke ia vënë në qafë. Dy autorët i kanë kërkuar që të zbriste nga makina dhe të largohej pasi në të kundërt do e qëllonin. Taksisti ka zbritur, ndërkohë që njëri prej tyre ka hipur në sediljen e drejtuesit të mjetit, duke bërë që dy autorët të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Ndjekja me vrap

Shtetasi Ferizaj, i ndodhur mes katër mureve të tunelit të nënkalimit të Vorës, ka ndjekur disa metra me vrap autorët që i grabitën makinën dhe më pas është larguar në drejtim të komisariatit të Vorës, ku dhe ka bërë denoncimin. Ai ka treguar se dy personave nuk ua dinte emrat, por ka dhënë në polici, karakteristikat e tyre me qëllim identifikimin. Ndërkohë pas denoncimit të grabitjes policia ka urdhëruar të gjitha patrullat rrugore, për ngritjen e disa postblloqeve me qëllim bllokimin e mjetit, por që në fakt një gjë e tillë ende nuk është bërë. Prej dy ditësh janë kryer kontrolle në disa servise, por që në fakt asnjë gjurmë e mjetit nuk është arritur të gjendet.

 

Pritet ekstradimi në Itali

Arrestohet në Lezhë i dënuari në

Itali për trafik droge e prostitucion

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 41-vjeçar të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Sipas burimeve policore, Agim Nexhipi (Iljazaj) nga Fushë-Kuqja e Kurbinit është arrestuar, pasi Gjykata e Bergamos në Itali ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij në tetor të vitit të kaluar. Mbi të rëndojnë akuzat e “Rrëmbimit të personit”, “Pjesëmarrjes në grupe kriminale” si dhe “Shfrytëzimit të  prostitucionit”. Prej disa vitesh, Nexhipi i fshihej drejtësisë italiane, duke qëndruar në Shqipëri. Procesi ndaj tij është zhvilluar në mungesë, ndërkohë që pas publikimit të urdhrit ndërkombëtar të arrestimit, policia shqiptare ka bërë arrestimin e tij në qytetin e Lezhës. Gjatë arrestimit, Nexhipi nuk ka shfaqur asnjë rezistencë ndaj forcave të policisë ndërkohë që është shoqëruar menjëherë në drejtim të Drejtorisë së Policisë Lezhë. Aktualisht materialet hetimore lidhur me këtë çështje i kaluan prokurorisë së Kurbinit, ndërkohë që pritet ardhja e letërporosisë nga Italia me qëllim ekstradimin drejt Italisë së shtetasit Agim Nexhipi.

 

Del lumi “Gjanica”

Fier, shpërngulen nga banesa dhjetëra banorë nga shtëpitë

Dhjetëra banorë të zonave të përmbytura në lagjen “1 Maj“ dhe “Liri“ të qytetit të Fierit janë evakuuar. Lumi Gjanica i cili ka dalë nga shtrati, ka përmbytur dhjetëra shtëpi. Vërshimet kanë nisur në orën 05:00 të mëngjesit të së premtes. Disa nga banorët janë izoluar në katet e sipërme të banesave, kurse disa të tjerë i kanë braktisur shtëpitë. Ndryshe nga përmbytjet e muajit të kaluar, këtë herë situata është më e rëndë. Ujërat e lumit kanë shkuar deri në 2 metra thellësi në disa zona. Situata është problematike edhe sepse lumi Seman në të cilin derdhet Gjanica është në nivel kritik. Bashkia e Fierit është në gjendje gatishmërie. Por vetë banorët mbeten të pakënaqur me vendorët. Niveli i reshjeve në Mallakastër dhe Fier në 24 orët e fundit ka kapur vlerën e 54 mm-ave. Por dalja e Gjanicës ka ardhur si shkak i reshjeve përgjatë 2 javëve të para të muajit janar. Nga bordi i kullimit thuhet gjatë kësaj periudhe në Fier kanë rënë më shumëse 60 mm shi. Kjo ka shkaktuar edhe tejngopjen me ujë të tokës.

 

Qarku i Lezhës nën ujë

Durrës, përmbyten 320 shtëpi dhe 45 biznese
Gjysma e Durrësit gjatë ditës së djeshme ka qenë nën ujë për shkak të reshjeve të 48 orëve të fundit. 320 shtëpi banimi, 45 biznese janë numëruar të përmbytura në Shijak, Shkozet, zonën e Plazhit, në atë të ish-kënetës. Prefekti Genci Alizoti ka paraqitur një hartë më të detajuar për territoret e prekura nga përmbytja, kurse për kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako situata ishte me përmasa dramatike. Bllokimi i kolektorëve nga ndërtimet dhe mbeturinat e papastruara renditen ndër shkaqet kryesore të kësaj situate. Por edhe mungesa e energjisë në hidrovorë, si në rastin e atij të Porto Romanos, ka rënduar gjendjen. Gjithashtu, situata e rëndë është shënuar dhe në qarkun e Lezhës, ku mbi 30 shtëpi kanë prezencë të ujit brenda ambienteve, dhjetëra të tjera janë izoluar, kurse mbi 1500 hektarë tokë janë përmbytur. Kjo është situata pas reshjeve në qarkun e Lezhës, ku probleme ka pasur në Kakarriq, Barbulloje dhe në Shëngjin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency