Gjyqtarja i pushoi dosjen grabitësit të të 4 milionë dhrahmive

0
277

Elton Qyno

dhramiViron Qejvani në 2001-shin u lirua pas pushimit të çështjes

Akuza e rihetoi, i pandehuri është dënuar me 10 vite burg

 

 

Një nga shkeljet që është konstatuar në raportin e inspektimit ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni, e cila u sulmua dy ditë më parë me acid në fytyrë, është edhe lirimi i një personi që është akuzuar nga prokuroria për grabitjen e 4 milionë dhrahmive në Vlorë të një kambisti. Në fakt, dosja në ngarkim të shtetasit Viron Qejvani është pushuar nga ana e gjyqtares, pasi prokurori ka tërhequr dosjen, pas konstatimit të tij në sallën e gjyqit të disa vendimeve të kundërligjshme nga ana e gjykatës. Fill pas kësaj, gjyqtarja Mishgjoni ka vendosur të pushojë çështjen dhe për pasojë është bërë lirimi i menjëhershëm i tij. Ky rast është theksuar në vendimin e KLD-së, ku thuhet se “në kundërshtim me nenin 387 të K. Pr. Penale, Gjykata e Rrethit Vlorë me vendimin nr. 163, datë 20.7.2001, ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Viron Qejvani, akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim” dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij nga paraburgimi”. Kjo ka sjellë dështimin e hetimit, ndërkohë që më pas prokuroria ka vijuar sërish hetimet, duke bërë që në vitin 2005 Qejvani të dënohet me 10 vite burg për akuzën e grabitjes së 4 milionë dhrahmive dhe 1.7 milionë lekëve të vjetra shqiptare, të cilat ia ka marrë shtetasit Rushat Jakupi, i cili ushtronte profesionin e kambistit. Ky vendim i tillë në vitin 2011 është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë, e cila e ka dënuar përfundimisht Viron Qejvanin me 10 vite burg, ndërkohë që gjyqtarja Mishgjoni kishte vendosur lirimin e tij nga qelia në vitin 2001.

Grabitja në vitin 2000

Më datën 28.5.2000, rreth orës 10:00, i dëmtuari Rushan Jakupi, banues në qytetin e Fierit, i cili ka në pronësi mjetin tip “Mercedes-Benz” me targë FR 7676A, të cilin e drejtonte vetë ka shkuar në qytetin e Vlorës në vendin e quajtur “Kapelja” për të bërë shkëmbimin e valutës, profesion me të cilin merret. Sapo ka arritur në këtë vend i dëmtuari është takuar me vëllanë e tij Enver Jakupi, kunatin Asllan Koni dhe shtetasin Engjëll Murati, me të cilin ka njohje të mëparshme dhe të gjithë këta persona merren me shkëmbime të valutës. Të katër personat e mësipërm janë futur në një lokal, aty kanë kryer këmbimin e valutës dhe aty i dëmtuari ka konvertuar lireta dhe ka marrë shumën prej 4 milionë dhrahmi dhe rreth orës 11:00 është larguar i vetëm për në qytetin e Fierit. Në momentin që është ndodhur duke ngjitur kthesat e Bestrovës, para pikës së gazit, fillimisht ka konstatuar se pas tij po vinte një autoveturë tip “Mercedes-Benz” me ngjyrë blu dhe me targë VL 9550A, i cili e ka parakaluar dhe gjatë këtij manovrimi janë ndeshur të dy automjetet, duke i zënë rrugën të dëmtuarit dhe i dëmtuari është detyruar të ndalojë makinën. Menjëherë nga Benzi me targë VL 9550 A kanë dalë dy persona të maskuar dhe me armë automatik në dorë kanë shkuar drejt derës së makinës së të dëmtuarit, kanë hapur derën dhe kanë goditur të dëmtuarin me tytën e armëve, duke e nxjerrë nga autovetura. Në ato momente është afruar edhe shoferi i autoveturës, të cilin i dëmtuari e ka fiksuar mirë, pasi ka qenë i pamaskuar dhe të tre kanë filluar të godasin dhe t’i kërkojnë lekët ku i kishte të fshehura. Më pas ata i kanë marrë të dëmtuarit jelekun me shumë xhepa dhe pas kontrollit te xhepat e brendshëm kanë marrë shumën prej rreth 4 milionë dhrahmish dhe 17.000 lekë shqiptare. Të tre personat pasi kanë kryer vjedhjen me armë janë larguar, personi i pa maskuar së bashku me njërin nga bashkëpunëtorët me maskë në kokë dhe me armë automatike kanë hipur në makinën e tyre me targë VL 9550 A, targë të cilën i dëmtuari e ka fiksuar mirë, ndërsa personi tjetër i maskuar dhe i armatosur ka marrë makinën e të dëmtuarit dhe janë nisur në drejtim të Fierit, por në kthesat e fshatit Panaja janë kthyer për në rrugën e Nartës dhe në vendin e quajtur Kavo e Gibsit kanë braktisur automjetin.

Identifikimi i autorit

Pas kësaj Policia Gjyqësore është vënë në kërkim të autorëve duke pasur si provë të rëndësishme targën e makinës me të cilën u krye grabitja dhe u vërtetua se kjo targë i përkiste shtetasit Kastriot Qejvani, banues në fshatin Risili dhe policia po atë ditë ka shoqëruar për në komisariat shtetasit Kastriot Qejvani, Levend Qejvani, Agim Qejvani, si dhe vetë të pandehurin Viron Qejvani, si person i cili ishte parë në vendin e shkëmbimit të valutës rreth orës 10:00 të ditës së ngjarjes. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë i pandehuri gjatë marrjes në pyetje duke deklaruar se rreth orës 10:00 të datës 28.5.2000 ka qenë në lokalin para hotelit “Sazani” dhe është rikthyer përsëri rreth orës 12:45 ku është shoqëruar për në komisariat së bashku me persona të tjerë shtetasit Kastriot Qejvani, Levend Qejvani e Agim Qejvani. I pandehuri po në këtë datë është paraqitur për njohje së bashku me katër persona të tjerë dhe i dëmtuari Rushan Jakupi e ka njohur të pandehurin Viron Qejvani si një nga tre autorët e vjedhjes me armë, si personin e pa maskuar që drejtonte makinën blu me targë VL 9550A për të cilin i dëmtuari kishte deklaruar se ishte i gjatë 180 cm, me flokë të shkurtër ngjyrë gështenjë me pak mjekër dhe pak ezmer.

 

 

Zv.kryetari garanton gjykatësen

për hetimin e plotë të sulmit

 

Mirela Mishgjoni është vizituar në ambientet e shtëpisë së saj edhe nga zëvendëskryetari i KLD-së, zoti Elvis Çefa, i cili ka garantuar gjykatësen, por edhe kolegët e tjerë të saj në Vlorë për mbështetjen në lidhje me hetimin ndaj sulmit, ndërsa ka theksuar se kjo ngjarje nuk e gjunjëzon dot drejtësinë. Në një dalje për mediat pas vizitës në shtëpinë e gjyqtares në Vlorë, Çefa deklaroi: “Shpresojmë që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, policia më dha garanci për kapjen e autorëve”. Tashmë të gjithë zyrtarët i kanë kthyer sytë nga policia e Vlorës, e cila pas shumë kërkimesh të autorit të krimit ende nuk dihet nëse ka arritur të identifikojë personin që sulmoi në mënyrë të befasishme. Mirela Mishgjoni është sulmuar befasisht nga një person ende i paidentifikuar, teksa ajo ishte duke zbritur shkallët e pallatit të saj ku banon në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë. Sapo Mishgjoni ka hyrë në tunelin e pallatit për të shkuar në drejtim ku kishte parkuar makinën, një person i gjatë i ka dalë përpara, duke i hedhur acid në fytyrë. Menjëherë pas kësaj, personi është larguar me vrap, ndërkohë që një shitës i një dyqani i ka dhënë ndihmën e parë gjyqtares, duke i larë fytyrën me ujë dhe gojën. Aktualisht, gjyqtarja ka dëmtime vetëm në syrin e saj të majtë dhe, sipas mjekëve, ajo nuk ka rrezik për jetën.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency