Koalicion me Ramën? Deputeti i LSI-së: I qëndrojmë marrëveshjes me PD-në

0
136

Gëzim Saliu

nasip nacoReagimi, Nasip Naço: PS në opozitë, jo për shkak të LSI-së, por për shkak të qëndrimit të Braçes

Deputeti i LSI-së: Llalla vjen nga sistemi i prokurorisë, brenda 5 viteve arrin objektivat

 

Koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike ka qenë i suksesshëm, pasi i ka dhënë vendit stabilitet ekonomik e politik. Kështu deklaron deputeti i LSI-së, Nasip Naço, duke nënvizuar se forca ku ai bën pjesë do t’i qëndrojë me përpikmëri marrëveshjes me demokratët. Në një debat “live” në rrjetin social Facebook, Naço i pyetur nëse LSI-ja e përjashton apo jo kategorikisht një koalicion të mundshëm me z. Rama pas zgjedhjeve pohoi: “Ne për të qenë të sinqertë i qëndrojmë marrëveshjes që kemi bërë në vitin 2009 me Partinë Demokratike. Kemi krijuar një koalicion, i cili edhe në këto vite, për mendimin tim, pavarësisht momenteve të veçanta ka qenë i suksesshëm, i ka dhënë vendit një stabilitet ekonomik dhe politik. Kujtojmë deri para disa vitesh na duheshin ditë e javë të tëra nëpër ambasada për të marrë një vizë, ndërsa sot të gjithë shqiptarët lëvizin lirisht në Evropë. Dhe sigurisht që kjo nuk erdhi rastësisht por ishte qëndrimi që mbajti LSI-ja në momentin e parë në krijimin dhe formimin e qeverisë. Nëse ne do të mbanim të njëjtin qëndrim që na propozoi PS-ja që të barazonim votat, kur kujtohet se kishim 66 vota të Partisë Socialiste dhe 4 të LSI-së, po kaq deputetë kishte edhe Partia Demokratike, të linim për disa muaj vendin në krizë dhe pas disa muajsh natyrisht që qeveria do të binte, do të zhvilloheshin zgjedhje të tjera por edhe vendi do të kishte një kosto të madhe”, – tha deputeti i LSI-së. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me koalicionin për zgjedhjet e ardhshme, Naço deklaroi se LSI do të bëjë koalicion në zgjedhjet e ardhshme me të gjithë ato që kanë prioritete e tyre punësimin e të rinjve dhe integrimin e vendit, që janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. “Unë besoj që LSI nuk niset nga numrat sesa do të marrë. Ne jemi nisur nga alternativa për të garuar në këtë fushatë elektorale, me disa alternativa për të rritur punësimin për të gjithë ato të rinj e të reja, brenda dhe jashtë vendit që kanë nevojë për një vend pune në këtë vend. Dhe nisur nga këto prioritete ne do të bëjmë koalicion me të gjithë ato që kanë këto prioritete, që janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, – u shpreh ai.

 

Akuzat e Braçes

Një tjetër çështje për të cilën diskutoi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në rrjetin social ishte ajo lidhur me akuzat e anëtarit të kryesisë së PS-së Erion Braçe ndaj partisë së Ilir Metës. Një nga të rinjtë pyeste: “Jeta është shumë e shkurtër për të mbajtur në Qarkun e Beratit një deputet si Erion Braçe dhe ai nuk ka prerë as edhe një shirit të vetëm. Si mendoni?” Për këtë Naço pohoi: “Kjo s’ka të bëjë vetëm me z. Braçe. Ai vërtet ka 20 vite deputet në Berat, por pas vitit 2009 ne kemi parë akuzat e tij për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë mund t’u them të gjithë shqiptarëve se z. Braçe drejtonte PS-në e Beratit në zgjedhjet e vitit 2009 dhe arriti të merrte vetëm 4 deputetë kur Partia Demokratike nga 1 deputet që merrte për 20 vite arriti të merrte 3. PS sot është në opozitë, jo për shkak të LSI-së, por për shkak të qëndrimit të z. Braçe. Ai lejoi PD-në në Berat që të merrte 3 deputetë nga 1 që merrte zakonisht”.

 

Llalla

Sa i përket qëndrimit të LSI-së për kryeprokurorin e ri të zgjedhur, Adriatik Llalla, deputeti i Qarkut të Beratit nënvizoi se para së gjithash një ndër elementët më pozitivë është fakti se kreu i ri i organit të akuzës vjen nga sistemi i prokurorisë dhe e njeh sistemin. “Ajo që mund do të them në lidhje me mendimin tim që e kam shprehur publikisht është që unë e kam njohur nga afër z. Llalla, kam qenë koleg me atë për disa vite, kemi qenë të dy drejtues të prokurorisë. Kam bindjen se ndryshe nga të gjithë prokurorët e tjerë që kanë ardhur në këto vite, ai vjen nga sistemi i prokurorisë, e njeh sistemin, e njeh karrierën, i njeh nga afër të gjithë prokurorët, nuk do ti duhen 2 apo 3 vite për tu futur në punë, por që ditën e parë të punës ju keni parë që ka bërë lëvizjet e para të tij, të cilat japin edhe efektin e duhur dhe brenda një mandati 5 vjeçar për të arritur të gjithë ato objektivat që si kanë arritur prokurorët e tjerë në këto vite”, – u shpreh deputeti i LSI-së Nasip Naço.

 

 

Tanja Fajon: Nuk do të ketë rikthim të vizave për Ballkanin Perëndimor

Raportuesja në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave njëkohësisht deputetja e PE-së, Tanja Fajon, bëri të ditur dje se gjatë kësaj jave nuk do të vendoset për rikthimin e regjimit të vizave për Ballkanin Perëndimor. Komiteti në fjalë pritej që të enjten të votonte për vendosjen e mekanizmit mbrojtës për hapësirën evropiane pa viza, që praktikisht do të nënkuptonte se nëse miratohet në Parlament, atëherë do të hynte në fuqi masa e përkohshme për shfuqizim të regjimit pa viza për shtetet e Ballkanit Perëndimor. “S’ka asgjë të re. Në Komitet dhe Parlamentin Evropian këtë javë nuk do të ketë as debat e as votim për mekanizmin për pezullimin. Negociatat për miratimin e këtij mekanizmi vazhdojnë”, – deklaroi Fajon. Gjashtë vende anëtare të BE-së, në tetor të vitit të kaluar kërkuan që në rast të keqpërdorimit, për vendet e Ballkanit perëndimor të kthehet regjimi i vizave për qarkullim në vendet e zonës së Shengenit. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian, Komisionit dhe Parlamentit Evropian, në dhjetorin e kaluar nuk arritën të merren vesh për mekanizmin për pezullim të liberalizimit të vizave.

 

Meta: Të hiqet dorë nga debatet e kota, punësimi, çështje primare

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i bën thirrje klasës politike shqiptare që të heqë dorë nga betejat e kota në mënyrë që të kthejë vëmendjen tek ekonomia. Në një takim të zhvilluar me strukturat e partisë ne Kavajë, Meta deklaroi se LSI është promotore e proceseve integruese të vendit teksa theksoi si primare të programit të partisë punësimin. “LSI e gatshme për sfidat e 2013-ës, LSI është promotore e proceseve integruese të vendit. Punësimi është çështja primare e programit tone. Ruajtja e vendeve të punës dhe shtimi i vendeve të reja do të jetë sfida e LSI për të ardhmen. Politika duhet të heqë dorë nga betejat e kota”, – tha kreu i LSI-së. Ndërkohë Meta vlerësoi vendimin e qeverisë për heqjen e TVSH-së për makineritë, i cili do t’i japë, sipas tij, një impuls punësimit. Ndërkaq, kryetari i LSI-së nuk ka lënë pa përmendur dhe rolin e të rinjve në këtë fushatë elektorale si dhe në zhvillimin e vendit, ku i cilësoi si simbol të ndryshimit dhe të ecjes më shpejt.

 

Përparësia e Berishës, Rama konkurs të ri në Facebook “Tingujt e ndryshimit”

Ende pa nisur fushata elektorale, rivaliteti mes palëve politike në vend duket se është ndezur në rrjetet sociale. Në kohën kur vetëm për një muaj pasi hapi faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Kryeministri i vendit Berisha ka arritur një numër shumë të lartë ndjekësish duke parakaluar kryesocialistin Rama, ky i fundit ka menduar që të rivalizojë atë me anë të konkurseve online. Pas nismës “Fotografo ndryshimin”, dje Rama shpalli konkursin e ri të titulluar “Tingujt e ndryshimit”. Ky aplikim të jep mundësinë të propozosh këngën që dëshiron të dëgjohet në festën e ditëlindjes së FRESSH. “Këtu ti mund të postosh titullin e një kënge, emrin e një këngëtari apo linkun në Youtube të këngës tënde të preferuar. Këngët që do të marrin numrin më të madh të Like, do kumbojnë më 15 janar në Pallatin e Kongreseve. Regjistrohu dhe ndaje këtë aplikim me sa më shume miq në Facebook për të na ndihmuar të mbledhim Tingujt e Ndryshimit:-)”, – thuhej në njoftimin e bërë publik nga lideri i selisë rozë. Aktualisht diferenca mes dy liderëve kryesorë ne vend sa i përket numrit të ndjekësve të tyre në rrjetin social Facebook është relativisht e madhe në favor të Kryeministrit Berisha. Ky i fundit ka më shumë se 343.150 pëlqime e 98.217 persona që bisedojnë për të e ndërsa kreu socialist Rama arrin vetëm 191.308 pëlqime me 14.648 persona që bisedojnë për të.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency