Kompensimi i pronarëve Vendimi, rreth 10 miliardë lekë për 4 mijë e 577 pronarë që preken nga ndërtimet informale

0
124

Florenc Drizari

ndertimetVendimi i qeverisë, ndryshojnë procedurat e ndarjes se kësteve për pronarët që preken nga ndërtimet informale

 

Këshilli i Ministrave vendosi të dëmshpërblejë me shumën e 9 miliardë e 860 milionë lekëve, 4 mijë e 577 pronarët që preken nga ndërtimet informale. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në procedurat e ndarjes së kësteve pranë AKKP-së. “Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 383, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se numri i pronarëve dhe trashëgimtarëve që fitojnë nga ky vendim është 4577. Sipërfaqja e shpërblyer është 643000 e 728 metër katrorë. Vlera e shpërblimit 9 miliardë e 860 milionë e 481 mijë e 867 lekë (të vjetra)”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndryshimi në AKKP

Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu edhe ndryshime të reja që bëhen në Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave (AKKP), lidhur me dëmshpërblimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. “AKKP-ja, brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Për marrjen e kësteve në vijimësi, subjekti përfitues nuk duhet të paraqesë kërkesë të re për përfitim. AKKP-ja, në varësi të kritereve të shpërndarjes së fondit të kompensimit dhe gjendjes së tij, bën derdhjen e shumës përkatëse në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, duke e njoftuar atë për veprimin bankar të kryer”, – thuhet në pikën 10 të vendimit.

Shpërndarja e kompensimit

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se AKKP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar në këstin e parë nga subjektet e kompensuara më parë. “Pjesa e fondit, e mbetur pa u shpërndarë, si pasojë e mosaplikimit të subjekteve përkatëse, shpërndahet nga AKKP-ja në vlerë proporcionale, për këstet e mbetura të subjekteve që kanë përfituar të drejtën e shpërblimit më parë në kohë. Fillimisht, nëse pjesa e mbetur e fondit është e mjaftueshme, AKKP-ja procedon me shpërndarjen deri në masën e plotë të shpërblimit për subjektet të cilëve u ka lindur e drejta e kompensimit njëkohësisht dhe më parë në kohë, krahasuar me subjektet e tjera, referuar datës së vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale. Në këtë mënyrë vijohet deri në shpërndarjen e vlerës së plotë të shpërblimit për të gjitha subjektet që e kanë përfituar këtë të drejtë me vendime të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri të cilat preken nga ndërtimet informale”, – thuhet në vendim.

 

 

Qeveria, projektligj për mbrojtjen e sekretit shtetëror me Kosovën

Kuvendi i Shqipërisë pritet të ratifikojë marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar mes Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Një ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi “Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar. Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, thuhet në vendim. Ndërkohë një tjetër nismë mes Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës është edhe propozimi i projektligjit për “Ratifikimin e ndryshimeve të konvetës (për mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore)”. Draftet e propozuara nga qeveria pritet të kalojnë në sitën e komisioneve parlamentare dhe më pas të votohen në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

Negociata PS-PD për listat, Poni: Auditët me kompetencat e Telitit

Genti Malko dhe Dashamir Çali do të jenë 2 auditët, përfaqësues të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, të listës se zgjedhësve. Kompetenca e tyre do të jetë e barasvlershme me atë të drejtorit të Gjendjes Civile, pasi ata do të ndjekin nga afër çdo procedurë që kryhet në qendër dhe në bazë për ekstraktet paraprake dhe listën përfundimtare. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një intervistë për “AS”, shpjegon detyrën e auditit. “Komisioni Qendror ka vendosur për 2 auditë të zgjedhjeve që mund ta vizitojnë drejtorinë, të shohin operacionet, të jenë në koherencë të veprimeve dhe kanë pushtet të barabartë me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile. Ne shkuam dhe më tutje, që nuk është parashikuar në Kod. Ne shkuam dhe në hartimin e akteve nënligjore pse jo dhe për të rritur koeficientin e besimit”, deklaroi Poni. Ai u shpreh se kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë udhëzuar që t’u vënë në dispozicion në çdo kohë partive politike informacionin e nevojshëm për listën zgjedhore që hartohen në njësinë e tyre. Subjektet dhe institucionet e interesuara në rast dyshimesh për dublime mund t’i drejtohen Drejtorisë së Gjendjes Civile për pastrimin e tyre, brenda një afati te caktuar. “Jemi plotësisht të hapur dhe këtë ia kërkoj dhe kryetarëve të njësive vendore për të dhënë informacion partive politike kur ta kërkojnë në lidhje me listën. Nëse institucionet shtetërore të interesuara në proces do të kenë dyshime për dublime të tjera, mund t’ia afrojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në një afat të caktuar sepse nuk mund të presim pa fund, për t’i korrigjuar njerëzit poshtë”, – deklaroi zëvendësministri i Brendshëm.

 

Nishani miraton ndryshimet e ambasadorëve të rinj

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka miratuar disa ndryshime të ambasadorëve në disa shtete, ku ka liruar nga detyra e ambasadorit në Francë, Ylljet Aliçkajn për ta zëvendësuar atë me Dritan Tolën. Ndërkaq Neritan Ceka do të jetë përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Italinë fqinje, post i cili mbahej nga Llesh Kola. Është liruar nga detyra gjithashtu ambasadori në Arabinë Saudite, Brahrein dhe Republikën e Jemenit. Ndryshimeve të bëra nuk i ka shpëtuar as përfaqësuesi diplomatik në Turqi Altin Kodra, i cili është zëvendësuar me Genci Muçaj. Propozimet e emrave të lartë përmendur u bënë nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti. Rreth një muaj më parë, kandidatët prezantuan platformat e tyre pranë Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, duke iu nënshtruar edhe pyetjeve të deputetëve. Lidhur me zëvendësimin e ambasadorëve në disa shtete, opozita kundërshtoi këtë valë lëvizjesh në diplomacinë shqiptare duke e argumentuar këtë se kjo po bëhet gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe qeveria po nxitohet me emrat e rinj. Ndërkaq, përfaqësues të mazhorancës kanë thënë se disa prej krerëve të përfaqësive shqiptare jashtë vendit kanë kohë që e kanë konsumuar mandatin e tyre diplomatik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency