Arratiset nga burgu në Greqi shtyn drejt vetëvrasjes gruan

0
141

Elton Qyno

burguHikemte Ukaj kërkoi t’u shpëtonte torturave fizike, hidhet nga kati i tretë i pallatit. Policia nis hetimet ndaj Ylber Ukajt

 

Një person që ishte arratisur nga burgjet greke, një muaj më parë ka shtyrë drejt vetëvrasjes bashkëshorten e tij 26-vjeçare, duke e detyruar atë të hidhej nga kati i tretë i një pallati. Hikmete Ukaj, nënë e një fëmije 5-vjeçar, nuk ka duruar torturat fizike dhe psikologjike të bashkëshortit të saj 40-vjeçar, dhe nisur nga kjo situatë, e shtyrë edhe nga i shoqi shtetasi Ylber Ukaj, ajo ka vendosur të hidhet nga kati i tretë i pallatit, duke pësuar dëmtime të rënda në trup. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 16 të Durrësit, ku 26-vjeçarja Hikmete Ukaj, për t’i shpëtuar dhunës fizike, ka vendosur të hidhet, me qëllim vetëflijimin e saj. Sipas policisë së Durrësit, nëna e një fëmije është gjendur nga kalimtarët e rastit të cilët kanë bërë transportimin në spitalin e Durrësit. Mirëpo për shkak të dëmtimeve që kishte marrë në trup, Hikmete Ukaj është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku dhe po trajtohet nga mjekët. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Durrësit ka shoqëruar bashkëshortin Ylber Ukaj, i cili pasi është marrë në pyetje është lënë sërish i lirë nga policia, duke vendosur që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes” të mbetur në tentativë.

Goditja me qytë pistolete

Të afërmit 26-vjeçares Hikmete Ukaj tregojnë se bashkëshorti i saj e keqtrajtonte herë pas here dhe se para tre ditësh ai e kishte rrahur, duke e goditur dhe me qytën e pistoletës, të cilën sipas tyre ai e mban pa lejë. Shkak i konflikteve në familje, ka qenë xhelozia që 40-vjeçari shfaqte ndaj gruas së tij,me të cilën ka dhe një fëmijë 5-vjeçar. Sherri ka lindur rreth një vit më parë dhe se përgjatë kësaj kohe mes dy bashkëshortëve ka pasur gjithnjë konflikte. Kohët e fundit, zënkat në çift ishin bërë të shpeshta, ku Ylber Ukaj keqtrajtonte thuajse çdo natë gruan e tij. Para një muaji është larguar në Greqi, por për shkak se është kapur nga policia, Ukaj nuk ka mundur të punojë. Sipas burimeve të policisë, gjatë shoqërimit Ukaj është sëmurur dhe se organet policore greke e kanë transportuar në drejtim të spitalit. Mirëpo teksa qëndronte i shtruar në spital, Ylber Ukaj, ka mundur të arratiset dhe për pasojë është kthyer në Shqipëri. Tre ditë më parë pas një sherri në familje ai ka kërcënuar me armë zjarri gruan e tij, duke i pohuar se do e vriste. Ndërkohë që nga kontrolli i ushtruar në ambientet e shtëpisë, policia e Durrësit nuk ka arritur të gjejë asnjë shenjë të pistoletës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Ylber Ukaj është me origjinë nga Mirdita, ndërkohë që njihet nga policia si person me precedentë penalë.

Frakturat në trup

Për shkak të rrëzimit nga një distancë prej 12 metra lartësi, 26-vjeçarja ka pësuar dëmtime të shumta, duke thyer disa nga kockat në trup. Nisur nga kjo situatë, shëndeti i saj është përkeqësua gjatë qëndrimit në spitalin rajonal të Durrësit dhe për pasojë, bluzat e bardha kanë urdhëruar që e reja, të transportohet në Spitalin Ushtarak, për të marrë mjekim më të specializuar. Burime pranë këtij spitali thanë se 26-vjeçari ka marrë disa fraktura dhe në trup ka shenja të shembjes. Gjatë ditës së djeshme ajo i është nënshtruar një operacioni, në disa pjesë të trupit, ndërkohë që ende dhe sot shëndeti i saj vazhdon të qëndrojë kritik për sa i përket përmirësimit të gjendjes.

 

 

SHBA, dënohet për terrorizëm me 15 vite burg shqiptari

Një shqiptar në Nju Jork është dënuar me 15 vjet burg në përpjekje për t’iu bashkuar një grupi kryengritës radikal xhihadist në Pakistan. Agron Hasbajrami ishte arrestuar në vitin 2011, në aeroportin “Kennedy” në Nju Jork, derisa përpiqej të shkonte në Pakistan. Agron Hasbajrami mori dje dënimin nga një gjykatë federale në Bruklin. 28 vjeçari, shtetas i Shqipërisë dhe banor në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, është shprehur se ndjehet fajtor për dërgimin e mbështetjes materiale për terroristët. Prokurorët thonë se ai kishte dërguar më tepër se 1 mijë dollarë jashtë Shteteve të Bashkuara, për t’i ndihmuar aktivitetet terroriste në Pakistan dhe Afganistan dhe kishte komunikuar me dikë në Pakistan, i cili ka thënë se ishte anëtar i një grupi të armatosur, që ka vrarë ushtarë amerikanë. Autoritetet, po ashtu, thonë se ai e kishte shprehur dëshirën për të vdekur si martir, raporton agjencia AP.

Aksidentohen 5 makina njëherësh te “Dëshmorët e Kombit”

Frenon në mes të rrugës, duke bërë që makinat pas tij të përplasen me njëra-tjetrën. Aksidenti i pazakontë ka ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë ish-hotel “Dajtit” në Tiranë. Në aksident u përfshin pesë makina, po fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz, përveçse dëme materiale. Për pasojë u bllokua për pak kohë njëra korsi e rrugës ndërsa policia nisi hetimet, si dhe normalizoi trafikun. Lidhur me këtë ngjarje është shoqëruar në polici, drejtuesi i mjetit të parë që ka frenuar me forcë, ndërkohë që pas marrjes së deklarimeve të tij, policia ka vendosur ta lerë sërish të lirë, duke zhvilluar ndaj tij hetimet për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

 

Pogradec dhe Durrës

Aksidentet rrugore u marrin jetën dy fëmijëve të mitur

Aksidentet rrugore u kanë marrë jetën dy fëmijëve të moshës 6 vjeç dhe dy muajsh. Aksidenti i parë ndodhi në qytetin e Durrësit, ku teksa një 6-vjeçar ishte duke shkuar në shkollë, është goditur në orët e mëngjesit të djeshëm nga një makinë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj drejtuesi i mjetit me targë TR 9272 L, Redi Theodhori e ka dërguar të aksidentuarin E. Shehu, me shpejtësi në drejtim të spitalit të Durrësit por që 6-vjeçari nuk ka arritur ti mbijetojë plagëve të marra. Pas transportimit në spital të të miturit, mësohet se drejtuesi i mjetit Redi Theodhori është vetëdorëzuar në polici, duke treguar me detaje të gjithë ngjarjes. Ndërkohë që aksidenti tjetër me pasojë vdekjen e një foshnje vetëm 2 muajsh ka ndodhur në aksin rrugor Korçë – Pogradec. Mësohet se aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Leshnicë si pasojë e përplasjes së dy mjeteve me targa të Pogradecit. Policia rrugore bën të ditur se makina ku udhëtonte fëmija me inicialet S. H., nga Podgoria ka qenë duke dalë nga fshati, ndërsa i ka prerë rrugën automjetit tjetër. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur prindërit e foshnjës, Mariglen dhe Nertila Hamza, gjyshja dhe tezja, të cilët udhëtonin të gjithë në një automjet si dhe drejtuesi i mjetit tjetër Endri Alldashi. Të gjithë të plagosurit janë dërguar në spitalin e Pogradecit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency