Reflektim “Punëtorët në banak” dhe “Bari në Folie Berger”

0
163

Eleni Laperi

 

folieGjithmonë më ka pëlqyer të shoh bocetet në krijimtarinë e piktorëve shqiptarë. Ndoshta ngaqë në kushtet e një shoqërie moniste tejet të kontrolluar, liria e piktorit shpalosej vetëm te bocetet; tablotë e mëdha nuk i shpëtonin dot autokontrollit, normave të realizmit socialist e ndërhyrjeve të komisioneve profane. Ndryshe nga tablotë e mëdha, që ishin ilustrim ideologjik i porosive zyrtare e temave të ekspozitave, për jetën e moralin e vërtetë të shoqërisë së asaj kohe mund të mësosh nga bocetet. Po ashtu nga ata mund të dallosh ndjeshmërinë e autorit, shkathtësinë e vizatimit të tij, aftësinë për të kthyer ngjyrat në lëndë, në atmosferë. Fatkeqësisht, krijimtaria e disa autorëve ka pasur rënie të trishta pas viteve të shkollës, sepse në shumicën e tablove ata përpiqeshin të mos bënin gabime.

Një album mbi jetën e krijimtarinë e piktorit Vilson Kilica, një prej themeluesve të Akademisë Shqiptare të Arteve, është botuar para disa javësh. Albumi hapet me etydet e pikturuara në vitet ‘50, kur autori ishte student në Leningrad. Në ato etyde dhe në vizatimet, që zënë faqet e fundit të albumit, njihesh me talentin e tij brilant. Krijimtaria e Kilicës e ruan edhe sot fuqinë e ngjyrës dhe të vizatimit, si te kompozimet dhe te peizazhet e tij shumëngjyrësh, me tone të gjalla e plot emocion, që të kujtojnë pikturat e fovistëve apo të kubistëve. Fovizmi ishte një rrymë jetëshkurtër në historinë e artit pamor botëror, po fatmirësisht e ndihmoi artistin shqiptar të ruajë lirinë e shprehjes dhe ndjeshmërinë e tij, nëpërmjet ngjyrave të forta mbi pamjet realiste.

Në album më mbetën sytë te një bocet i thjeshtë, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Ishte bocet me tempera mbi letër me titull “Punëtorët në banak”. Ishte i vitit 1984. Orgesi, djali i piktorit – i cili lëngon prej disa kohësh ndaj nuk e takova dot – më tregoi se boceti kishte shenjat e ndarjeve në katrorë me laps; në bazë të këtij boceti është realizuar një tablo e madhe, por autori nuk e di ku është e unë deri tani nuk e kam gjetur. Boceti më befasoi ngaqë tema e tij ishte e pazakontë: punëtorët në një bar, që kalojnë kohën e lirë para një gote me birrë, larg kolektivit. Asgjë në të nuk të kujton moralin e propaganduar, të cilin ishim mësuar të shihnim në tablotë e artit të realizmit socialist shqiptar.

Instinktivisht e krahasova me një tablo të famshme të njëqind viteve të shkuara, me “Bar në Folie Berger”, të piktorit realist francez Eduard Manet. I krahasova të dy tablotë, duke u nisur nga meta-etika e natyrës së normave morale: si shihet një bar, një banakiere, klientët, në këto dy shoqëri, që i ndan një shekull. Për të bërë tablonë e tij Manet niset nga etika kristiane, ndërsa Kilica duhej t’i bindej etikës proletare për pikturën e tij. Ndërsa etika kristiane burim themelor kishte Biblën, etika proletare bazohej në marksizmin. Për etikën kristiane e mira dhe e keqja përcaktohej nga qëndrimi ndaj vesit e virtytit. Për etikën proletare moralisht e mirë ishte çdo gjë, që ndihmonte ecjen përpara të komunizmit dhe proletariatit.

Tabloja e Manesë “Bar në Folie Berger”, e vitit 1882, shënon kulmin e interesimit të piktorit për skenat e jetës së qytetit, për kohën e lirë, për jetën kulturore. Piktura është e pasur me detaje, të cilat japin të dhëna të rëndësishme për klasat shoqërore dhe mjedisin e tyre. Bari i Folie Berger në Paris ishte i njohur si një vend luksi, ku banakierja (sipas studiuesit T. J. Clark), të ofrohej bashkë me pijet. Banakierja në pikturën e Manesë tronditi moralin kristian, se është vënë në plan të parë, ndërkohë që klientët e brendia madhështore e lokalit është dhënë nëpërmjet reflektimit në pasqyrën e madhe pas saj. Megjithatë në banak dhe në bluzën e banakieres nuk mungojnë lulet, që sjellin ndjesinë e pastërtisë dhe brishtësisë njerëzore në atë botë të zhurmshme. Etiketat e shisheve të pijeve janë përcaktuese jo vetëm për pasurinë e barit, rangun e klientëve që e frekuentonin, por edhe për të kuptuar psikologjinë e kohës, ndjenjat e francezëve pas luftës franko-prusiane, pasi tregtohen vetëm birra angleze e jo ato gjermane. Duke qenë një nga etërit e artit modern evropian, Mane sjell në këtë tablo luksin, pamëshirshmërinë dhe shkëlqimin e jetës bashkëkohore.

Tabloja “Punëtorët në banak” e Kilicës është pjesë e interesimit të tij për portretet dhe tipat e shoqërisë shqiptare të kohës. Por me temën e saj ‘të vogël’ në mes të gjithë kompozimeve propagandistike të asaj periudhe, ajo mbetet ‘e panjohur’. Në plan të parë janë dy punëtorë, të vizatuar si dy figura heroike, me përmasa atletike, që të kujtojnë personazhet mashkullore të pikturave të Mikelanxhelos. Ndërsa në plan të dytë pas shpinës së punëtorit në të djathtë të tablosë, është banakierja; ajo është krejt tokësore me bluzën e bardhë e me një skufje të bardhë në kokë, me sytë e ulura e me buzët e kuqe. Po ja që, edhe pse në plan të dytë, ajo sjell butësinë njerëzore, që zakonisht anashkalohej nga etika proletare. Banaku është i thjeshtë, pa shumë detaje (ngaqë është bocet ndoshta). Hapësirën në tablo e kufizon rafti në mur, duke theksuar izolimin e dy punëtorëve në atë bar. Nuk ka pasqyra, nuk ka lule, nuk ka fruta, nuk ka klientë të tjerë, nuk ka asgjë që të të kujtojë gëzimin e kohës së lirë, bukurinë e brishtësisë njerëzore, shkarkimin nga problemet e punës së përditshme, ndjeshmërinë ndaj pranisë së një femre. Personazhet, të veshur ende me rrobat e punës, rrinë përballë njëri tjetrit me nga një krikëll birre, krejt indiferentë ndaj vajzës pranë tyre. Ndonëse sipas moralit marksist revolucioni, si mjeti i duhur, kish krijuar një shoqëri pa dallime klasore, në tablo vajza banakiere është një objekt më shumë në banak. Qëndrimi i saj me sytë ulur tregon pozitën inferiore dhe paragjykimin, që shoqëria proletare, njësoj si ajo borgjeze e kohës së Manesë, kishte për banakieret. Duke e krahasuar me tablonë e Manesë, shoh më qartë se si Kilica, edhe pse një nga etërit e realizmit socialist shqiptar, del nga kornizat e etikës proletare marksiste, duke sjell në këtë bocet me përmasa të vogla, me vizatimin e shkathët e koloritin elegant, paragjykimet dhe hipokrizinë e individit dhe të moralit të kohës.

Mund të them se ndoshta gëzohem, që ka humbur tabloja e madhe. Sepse kam frikë që magjia e bocetit do të prishej e unë do shihja një variant ‘pa gabime’ të pikturës. Pak vetë e marrin me mënd sa e pambaruar është një tablo pa gabime.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency