E qortoi se kishte pirë alkool plagos vëllain e më pas vret veten

0
137

Elton Qyno

policiaNgjarja në Pishkash të Librazhdit, Ilmi Mekshi kujtoi se vrau të vëllanë, nga tronditja kreu vetëvrasje

 

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Pishkash në Librazhdit, ku pas një sherri vëllai ka plagosur me çifte vëllain e tij, dhe duke pandehur se e kishte vrarë atë, ai i ka dhënë fund jetës pak minuta më pas me çifte. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme në banesën e familjes Mekshi, ku pas një sherri për shkak të konsumimit të pijes alkoolike, Ilmi Mekshi ka hapur zjarr në drejtim të vëllait të tij më të madh, Petrit Mekshi. Sipas burimeve të komisariatit të Librazhdit, i dëmtuari, 40-vjeçari Petrit Mekshi, ka shkuar në banesën e tij dhe pasi ka parë që i vëllai ishte dehur me alkool, atëherë ai ka filluar t’i flasë duke i kërkuar llogari rreth gjendjes së tij të dehur. Mirëpo, kaq ka mjaftuar që mes dy vëllezërve të lindte një konflikt, duke u përplasur fillimisht fizikisht dhe më pas vëllai i vogël që ishte në gjendje të dehur, ka marrë armën tip çifte dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait më të madh. E gjithë skena ka ndodhur në ambientet e shtëpisë që ndodhet në fshatin Pishkash, ndërkohë që kanë qenë familjarët e tjerë ata që i kanë dhënë ndihmën e parë Petrit Mekshit, duke e transportuar atë me shpejtësi në drejtim të spitalit të Librazhdit.

 

Vetëvrasja e 35-vjeçarit

Teksa të gjithë anëtarët e familjes kanë dalë jashtë për ta transportuar drejt spitalit të plagosurin Petrit Mekshi, vëllai i këtij të fundit që vazhdonte të mbante çiften në dorë, është mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë dhe ka vrarë veten me armën e zjarrit. Krisma e çiftes është dëgjuar nga të afërmit e tjerë të familjes, të cilët kanë shkuar me shpejtësi brenda shtëpisë, ku kanë gjetur trupin e Ilmi Mekshit të mbytur në gjak. Të mëdhenjtë e shtëpisë kanë larguar fëmijët për të mos parë skenën e krimit, ndërkohë që disa të tjerë kanë vijuar me shpejtësi rrugën drejt spitalit të Librazhdit për të shpëtuar jetën e 40-vjeçarit Petrit Mekshi, i cili, siç mësohet, ka marrë saçma në pjesën e këmbës dhe të dorës. Rreth kësaj ngjarjeje të rëndë është njoftuar edhe policia e Librazhdit, e cila ka shkuar me shpejtësi në vendin e krimit, ku ka marrë deklarimet e familjarëve, personave me të cilët kishte konsumuar alkool viktima si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip çifte. Sipas policisë, shkak i këtij krimi ka qenë gjendja e dehur e viktimës, i cili pasi është konfliktuar me të vëllanë, ka marrë çiften dhe ia ka drejtuar vëllait të madh. Duke qenë se Ilmi Mekshi ishte në gjendje të dehur, ai ka shkrepur aksidentalisht këmbëzën e çiftes, duke sjellë edhe plagosjen e 40-vjeçarit. Për shkak të emocioneve të forta që ka pësuar dhe duke menduar se kishte vrarë të vëllanë, 35-vjeçari i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë me çiften që mbante në duar.

Jashtë rrezikut për jetën

Petrit Mekshi është transportuar me shpejtësi nga familjarët e tij në spital, ku pas ndërhyrjes së bluzave të bardha gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar. Sipas mjekëve të spitalit, i plagosuri ka mbërritur në urgjencë në orët e mbrëmjes dhe kishte plagë në këmbë dhe në pjesën e duarve. Pas pastrimit nga saçmat të plagëve, 40-vjeçari ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, duke u kuruar tashmë vetëm me medikamente për shmangien e ndonjë problemi tjetër shëndetësor,që mund t’i vijë si rezultat i dhimbjes së plagës. Gjatë ditës së djeshme, në ambientet e spitalit ka qenë vetëm një i pranishëm i familjes Mekshi, pasi personat e tjerë kishin shkuar për të zhvilluar ceremoninë e varrimit të 35-vjeçarit Ilmi Mekshi.

 

 

Vodhi 530 milionë lekë, gjykata

liron kryetarin e Komunës Rukaj

Gjykata e Matit lë të lirë kreun e Komunës Rukaj dhe shefin e Financës. Trupi gjykues ka dhënë dje masën e arrestit “Detyrim paraqitjeje” për kreun e komunës, Hamit Xhakrosa, dhe shefin e Financës së kësaj komune, Gani Ruka, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim së bashku me disa kryekomunarë të tjerë. Ata dyshoheshin se ishin përfshirë në një skemë abuzimi me fondet e komunës. Në lidhje me këtë çështje u akuzuan edhe persona të tjerë, përkatësisht nëndrejtori i spitalit të Burrelit, Behar Metra; Etion Isufmani, me detyrë shef Finance në spitalin e Burrelit; shefi i financës në Komunën Rukaj, Gani Ruka; si dhe Hajredin Bardhi, shef Finance në Komunën Baz. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria nëpërmjet manovrimeve e falsifikimeve, duke përdorur fshehurazi edhe emrin e bashkëshortes së një tjetër kryekomunari, që nuk kishte dijeni për këtë abuzim, janë përfituar mbi 530 milionë lekë, kryesisht të xhiruara për blerje të vogla, materiale, pajisje, shërbime operative e pajisje të ndryshme. Pas më se një viti hetimesh, organi i akuzës dhe policia e Dibrës prangosën tetë zyrtarët e dyshuar, mes të cilëve dhe tre kryekomunarë. Pas gjithë kësaj skeme mashtrimi qëndronte financieri i Komunës Lis, Dritan Farrici, edhe ky i arrestuar, i cili përdorte emrin e bashkëshortes së kryetarit të tij të komunës, Yllka Selita, në mënyrë të fshehtë. Nëpërmjet këtyre procedurave vetë fitonte 10 për qind të shumave të lëvruara në tenderime me prokurim të drejtpërdrejtë, kurse pjesën tjetër e shpërndante tek të arrestuarit e tjerë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency