Sport shkurt

0
173

sportiZvicër

Xhaka: Shqipëria ka një përfaqësuese të mirë

Njëri nga futbollistët më të mirë të kombëtares zvicerane të futbollit, Granit Xhaka, ka mohuar të premten në Prishtinë se e ka humbur qëllimisht golin kundër kombëtares së Shqipërisë, në ndeshjen eliminatore për Botërorin “Brazil 2014”. Ai tha se nuk e mori topin mirë dhe nuk e konkretizoi në mënyrën e duhur atë rast të volitshëm përballë Ujkanit. Ai la të kuptonte se shansin që ka humbur në Zvicër do ta kompensojë me gol në ndeshjen e kthimit në Tiranë. Granit Xhaka tha para gazetarëve në Prishtinë: “Nuk e mora topin mirë. Portieri më doli përpara dhe nuk desha të lëndohesha, kjo është e tëra. Mirëpo, do ta shlyejmë në Tiranë këtë rast. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë. Këtë e kemi parë edhe në ndeshjen e parë, megjithatë Zvicra është favorite në grup”. Granit Xhaka, pjesëtar i skuadrës gjermane të Borusias së Mynshengladbahut, ka mbërritur në Prishtinë së bashku me familjen e tij për t’i kaluar aty festat e fundvitit. Mirëpo, menjëherë ka pasur një axhendë të ngjeshur. Ylli i kombëtares helvete u nderua me çmimin “Ambasador Nderi” nga “Sporti pa Kufi”. Ai vizitoi selinë e organizatës franceze “Sport Sans Frontiere”, ku u prit nga ambasadorja franceze në Kosovë, Estel Metrë. Këtë çmim para tij e kishte marrë legjenda e futbollit francez, Lilian Turam. Xhaka, gjithashtu vizitoi klubin e futbollit të Prishtinës, ku u shpreh: “Jam shumë i nderuar për këtë çmim. Do të mundohem edhe në të ardhmen që sa më mirë ta prezantoj veten dhe të jem shembull i mirë për shqiptarët”. Ai tha se do të vazhdojë të luajë te Borusia Mynshengadbah dhe do të mundohet të tregojë talentin e tij prej një futbollisti profesionist. Ndërkohë, nuk harroi pa përmendur edhe bashkëlojtarin e dikurshëm në Bazel, Xherdan Shaqirin. “Xherdanin e kam shok dhe komunikojmë shpesh me të. E kam të freskët golin që na bëri në ndeshjen derbi në Bundesligë. Në fund të asaj ndeshjeje do të kishte qenë më mirë sikur të ndanim nga një pikë të dy. Në fund i ndërruam fanellat”.

 

Seria A

Lacio befason Italianë

Lacioja e mbyll vitin 2012 me një goditje të madhe. Barazimi i Interit me Xhenoan në San Siro ishte “një asist” perfekt për ekipin e Petkoviçit që mori një fitore minimale ndaj Sampdorias në transfertë. Pas këtij triumfi ata janë në vend të dytë në renditje vetëm 8 pikë larg Juventusit. Ndeshja do të vendosej në minutën e 31-të, kur Hernanes ndëshkon vendasit dhe shënon golin e shtatë në sezon. Në fushë u pa një Lacio cinike dhe konkrete. Ekipi i drejtuar nga Petkoviçi nuk dha spektakël, por mori me vete në shtëpi tri pikët. Në 20 minutat e para janë vendasit më kërkues, por më pas, radha është e miqve. Rasti i vetëm për ekipin e Delio Rosit është kur Eder gjuan fluturimthi, por pret Marketi. Në pjesën tjetër ata kontrolluan mirë, por nuk kishin finalizim. E nga minuta e 21-të, është radha e bardhekaltërve të kontrollojnë. Luliçi fut topin në zonë, ka rrëmujë, mbrojtja vendase largon, por është Hernanesi që merr topin dhe realizon me një diagonale të saktë. Më pas, Lacio e pati të thjeshtë që të administronte rezultatin. Sampdoria nuk arriti që të përbënte kërcënim serioz, pasi mungonte në skuadër cilësia dhe idetë. Lacio do të kalojë në qetësi pushimet e dimrit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Sampin, që do të duhet të bëjë shumë punë, që në vitin e ardhshëm ti rikthehet rezultateve pozitive. Fiorentina mori një fitore të rëndësishme ndaj Palermos dhe tani është futur në zonën “Champions”. Ekipi i Vinçenco Montelës ka shënuar tre gola, ndërkohë që portieri shqiptar Sajmir Ujkani shpëtoi disa herë ekipine tij në 45 minutat e para, por në të dytën Palermo u ndëshkua tri herë jo për përgjegjësi të tij. Golat për vjollcët u shënuan nga Jovetiç (2) dhe Rodriguez. Torino mundi Kievon 2-0 dhe merr tri pikët me vlerë për shpëtimin nga rënia nga kategoria. Në takimet e tjera, Parma fiton në Bolonja me rezultatin 1-2, ndërkohë që Atalanta dhe Udineze ndajnë nga një pikë, pasi barazojnë 1-1.

 

 

Merkato

Juventusi nuk po ndjek Drogbanë

Bepe Marota ka hedhur poshtë zërat se Juventusi po ndjek me vëmendje situatën e Didier Drogba, i cili mendohet se ka prishur marrëdhëniet me Shangai Shanhua dhe do të kthehet përsëri në Evropë. Shumë herë në media është bërë publik lajmi se futbollisti afrikan është njëri prej objektivave të mundshëm të bardhezinjve, pasi ata po kërkojnë një golashënues të mirëfilltë dhe ish-lojtari i Çelsit duket si personi i duhur për këtë rol. Por para ndeshjes me Kaljarin, Marota bëri të qartë se kjo nuk ishte një hipotezë reale, pasi klubi nuk po kërkonte një lojtar i cili do të qëndronte i shkëputur për shumë kohë në Kupën e Afrikës. “Drogba? Nuk e di nga kush ka lindur kjo ide, por ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me të. Kjo ka ardhur pjesërisht edhe për faktin se ai luan në Kupën e Afrikës dhe do të jetë larg Evropës për një periudhë të gjatë”, – tha drejtuesi i bardhezinjve, i cili bëri të qartë se një blerje e mundshme mund të bëhej në repartin e mbrojtjes.“Për shkak të largimit të Lusios dhe dëmtimit të Kielinit, ne po kërkojmë një lojtar për mbrojtjen. Në sulm vazhdojmë të jemi të vëmendshëm pasi marrim pjesë në Ligën e Kampioneve. Por duhet të respektojmë edhe grupin aktual të lojtarëve. Jo rastësisht, jemi skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Itali”, – tha Marota.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency