EKSKLUZIVE/ Normat fiskale, ja çfarë ndryshoi Kuvendi në rregullat e taksimit

0
148

Blendi Hasani

 

FISKALEGazeta “Standard” sjell në ndihmë të biznesit të madh e të vogël, si dhe të çdo qytetari të gjitha ndryshimet që ka bërë Parlamenti shqiptar në rregullat fiskale. Kuvendi diskutoi dje propozimin e Ministrisë së Financave për ndryshimin e disa akteve ligjore e nënligjore lidhur me taksat dhe procedurat e taksimit në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet ligjore kanë prekur ligjin e procedurave tatimore, ligjin e TVSH-së, ligjin e tatimit mbi të ardhurat, ligjin për taksat kombëtare, për taksat vendore, si dhe ligjin e tarifave doganore. Këto ndryshime konsistojnë në një përshtatje të legjislacionit fiskal, me ndryshimin e ambientit ekonomik, përshtatje me tregun konkurrues në rajon, si dhe përshtatje ndaj ndryshimit të sjelljes konsumatore.

Edhe pse u sollën për diskutime në Këshillin Konsultativ të Biznesit dhe më pas në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, asnjë nga ligjet nuk pësoi ndryshim në raport me çfarë propozoi ministri i Financave. Janë 6 ligje që ndryshojnë dhe një mori nenesh, të cilat paraqiten në mënyrë të qartë, se si ishin dhe si bëhen.

Sa më poshtë, paraqiten të gjitha ndryshimet.

 

Ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore

 

Neni 9 (ndryshim fjalësh)

 

Në ligjin e vitit 2012, përfaqësuesi tatimor regjistrohet në QKR, sipas kritereve të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për TVSH-në”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar. Sipas ligjit të TVSH-së, përfaqësuesi tatimor emërohet për përmbushjen e detyrimeve tatimore për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë. Sipas detyrimeve që i lindin nga zbatimi i këtij ligji, përfaqësuesit tatimor, përveç përgjegjësisë tatimore nuk i lindin përgjegjësi tregtare dhe nuk është person juridik apo fizik, i cili njihet ligjërisht nga ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Përfaqësuesi tatimor caktohet për të paguar detyrimet tatimore të TVSH-së, për të cilën detyrohet personi jorezident, i cili e ka emëruar, person që nuk është regjistruar sipas ligjeve shqiptare.

Për arsye të mungesës së bazës ligjore të regjistrimit të përfaqësuesit tatimor në QKR (nuk ka formular regjistrimi për këtë kategori) nuk arrihet të jenë pjesë e bazës së të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Tatimpaguesve, që administrohet nga administrata tatimore, duke kërkuar një ndërhyrje nga jashtë sistemit informatik për procesimin e deklaratave dhe pagesave nga përfaqësuesit tatimorë. Këto arsye përbëjnë bazën e propozimeve të ndryshimit ligjor.

 

Neni 45 (shtesë germa c)

 

Arsyetimi i shtesës është si rrjedhojë e ndryshimit në nenin 9, duke ndjekur logjikën sqaruese të përdorur për procedurën e regjistrimit të përfaqësuesit tatimor.

(ndryshim paragrafi parë, pika 3)

Ky propozim është në përgjigje të zgjidhjes së shqetësimeve të bizneseve për rastin e çregjistrimit të shoqërive si rezultat i:

–  bashkimit sipas nenit 220 të ligjit nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Regjistrimi i bashkimit të shoqërive pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit përveç të tjerave bën që shoqëria që përthithet të vlerësohet e prishur, ndaj çregjistrohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, sipas seksionit V të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, pa kaluar në procesin e likuidimit. – Ndarjes së shoqërive. Regjistrimi i ndarjes së shoqërisë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ka si pasojë dhe çregjistrimin pa kryerjen e likuidimit të shoqërisë që ndahet duke e vlerësuar si shoqëri të mbyllur, sipas seksionit V të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Nëpërmjet ndryshimit ligjor tashmë, njoftimi nga QKR për administratën tatimore është i domosdoshëm edhe në rastin e aplikimit të tatimpaguesit për çregjistrim pa likuidim, si rrjedhojë e proceseve të ndarjes/bashkimit.

 

Neni 114 (shtesë pika 4)

 

Shtesa ligjore shmang rëndesat me detyrime tatimore të sektorit publik (veçanërisht institucionet buxhetore), të cilat, për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore, ndodhen në paaftësi pagese, sipas afateve ligjore, të detyrimeve tatimore dhe kontributeve dhe janë aktualisht objekt i dënimeve nga administrata tatimore me gjoba administrative, jo për shkak të tyre.

 

Neni 119 (ndryshim germa a dhe b)

 

Rritja pesëfish e masës së gjobave që aplikohet në raste të konstatimit të punonjësve të pasiguruar konsiderohet si një masë e rreptë për parandalimin e informalitetit të punës së zezë dhe dënimin e evazionistëve fiskalë, duke u konsideruar si një veprim administrativ me efekte në rritjen e kulturës dhe vullnetarizmit fiskal të tatimpaguesve. Efekti anësor që mund të rezultojë është i lidhur me mundësinë e abuzimit me këtë ndryshim ligjor nga pjesëtarë të administratës tatimore për përfitime personale, fakt që mbetet të jetë objekt monitorimi që në tremujorin e parë të vitit 2013.

 

 

Ndryshimet në ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar

 

Neni 25/10 (shtesë neni)

 

Qëllimi është i lidhur me uljen e kostove të investimeve të mëdha në makineri dhe pajisje. Përfshirja e TVSH në blerje nga importi rrit me 20% koston. E njëjta logjikë vlen dhe për blerjet brenda vendit të lëndëve të para të ndërtimit – hekur dhe çimento, që përdoren për ndërtimin e hidrocentraleve.

 

Neni 26 (zëvendësim fjalie te pika 2.1)

 

Pagesa e TVSH në vitin 2012 në importin e makinerive dhe pajisjeve (për çdo lloj shume investimi) shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i njihet një shtyrje e dytë me autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit. Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Për vitin 2012, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë rreth 4.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe përfshin TVSH e shtyrë për makineri dhe pajisje për ndërtimet në vlera të mëdha.

 

Neni 114 (shtesë shkronja g dhe gj)

 

Për të shmangur procedurën e shtyrjeve të pagesës së TVSH në import si dhe duke ndikuar uljen e kërkesës për rimbursim të saj, propozohet kjo shtesë ligjore. Për rastet e investimeve mbi vlerën prej 50 milionë lekë, makineritë dhe pajisjet të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së në import. Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përjashtimi ka vlerë vetëm për makineritë dhe pajisjet, që janë të lidhura drejtpërdrejt me investimin.

 

Ndryshimet në ligjin e tatimit mbi të ardhurat

 

Neni 8/1 (shtesë pike 9 dhe 10)

 

Të ardhura (për dëmshpërblime të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore, si dhe të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë), nisur nga natyra e krijimit të tyre nuk klasifikohen si të ardhura të gjeneruara nga një aktivitet ekonomik (të ardhura fitimi neto të një individi). Si rrjedhojë këto të ardhura propozohen t’i shtohen grupit të të ardhurave të përjashtuara.

 

Neni 12/5 (shfuqizim) dhe neni 12/6 (heqje fjalësh pika 2.1.)

 

Ky propozim i është përgjigjur debatit institucional midis administratës tatimore qendrore dhe asaj vendore mbi përcaktimin e qartë të procedurës tatimore për të drejtën e dhënies së kthimit të tatimeve të paguara tepër (taksa vendore nga biznesi i vogël te bashkia/komuna. Kreditimi i taksave vendore do të hiqet nga Deklarata e të Ardhurave të Biznesit të Vogël.

 

Neni 13/2 (shtesë germa gj)

 

Gjatë tremujorit të fundit 2012, për deklaruesit e DIVA-s rezultoi e paqartë mënyra e deklarimit për të vetëpunësuarit, me një qarkullim poshtë 2 milionë lekëve në vit. Propozimi për të vetëpunësuarit, të cilët kanë një qarkullim nën 2 milionë lekë, si e ardhur bruto të konsiderohet vlera 10% e të ardhurave vjetore bruto nga zhvillimi i aktivitetit ekonomik/tregtar apo shërbime.

 

Neni 21 (ndryshim germa o)

 

Shpenzimet për shpërblime apo bonuse që u janë paguar të punësuarve, përfshirë edhe administratorët, përveçse pagës së trembëdhjetë të dhënë në bazë të Kodit të Punës, do të njihen si shpenzime të panjohura. Nga kontrollet, përvoja e ballafaqimit të administratës tatimore qendrore me bizneset që mbartin të tillë tregues në kontabilitetin, si dhe në pasqyrat financiare të tyre, për efekt të përcaktimit të fitimit të tatueshëm ato ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm dhe konsiderohen duke filluar nga treguesit që do të kontabilizohen gjatë vitit 2013.

 

Neni 27 (ndryshim fjalësh)

 

Ky propozim njeh mbartjen e humbjes së shoqërive, kur pronësia e drejtpërdrejtë dhe/ose e tërthortë e kapitalit themeltar ose e të drejtave të votës, të një personi, ndryshon me më shumë se 25 për qind deri në 50%. Ndryshimi i përqindjes (pragut) parandalon mundësinë e shoqërive të mëdha që të ulin fitimin e tyre nëpërmjet përthithjes së kompanive të vogla me humbje, duke ju përshtatur edhe zhvillimeve aktuale të tregut të shitje-blerjeve të aksioneve në Shqipëri.

 

Neni 38 (shtim fjalie, paragrafi 3, pika 7)

 

Me qëllim që të nxitet deklarimi i të ardhurave vjetore individuale për individët, bëhet ky propozim për ndryshim ligjor me qëllimin e mosrritjes së borxheve tatimore për gjobat për mosdeklarim në afat. Nisur nga fakti se ky deklarim është për herë të parë në sistemin tatimor të Shqipërisë 100-vjeçare, por edhe duke pasur një ambient fiskal me profil të ulët të edukatës tatimore, shtyhet afati i deklarimit deri në fund të vitit 2012.

Deklarimi i DIVA-s realizohet nëpërmjet sistemit të deklarimit elektronik në faqen www.tatime.gov.al. Deri në afatin e mëparshëm të përcaktuar në pjesën e ligjit që propozohet të ndryshohet kanë deklaruar mbi 6500 individë në të gjithë vendin.

 

Ndryshimet në ligjin e taksave kombëtare

 

Rritja mbi rreth 3 herë e eksportit të lëndëve drusore nga Shqipëria në 5 vitet e fundit ka nxitur ekzekutivin, bashkë me grupet e interesit për mbrojtjen e ambientit t’i propozojë ligjvënësit shqetësimin për pakësim dhe dëmtim të pasurisë natyrore kombëtare. Për të mbrojtur edhe industrinë vendase përpunuese dhe për të ndihmuar në rritjen e konkurrencës me vendet e tjera, vjen propozimi për vendosjen për herë të parë të taksës në eksport në masën 30% të çmimit të shitjes të lëndës së parë dhe gjysmë të gatshme të produkteve drusore (kodet tarifore nga 4401 deri në 4406 dhe nga 4407 deri në 4409). Efektet financiare vjetore pozitive në të ardhurat e buxhetit të shtetit janë 235 milionë lekë (vlerësuar me të dhënat e 2011-ës).

Duke iu referuar praktikave të vendeve të tjera, si dhe kufizimeve në eksporte mund të vendosen për objektiva strategjike: si mbrojtja e ambientit, ruajtja e burimeve natyrore, promovimi i industrive prodhuese, kontrolli i presioneve inflacioniste apo rritja e të ardhurave fiskale, konkludohet se masa të reja të cilat kufizojnë eksportet, në veçanti ato që lidhen me lëndët e para dhe produktet bujqësore janë mënyra më e mirë për t’i thënë ndal abuzimit nga kundërvajtësit.

Agjenti tatimor i mbledhjes së kësaj takse do të jetë administrata doganore me komision zero për qind.

 

Neni 9 (shtesë pika 1/1)

 

Falja e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara dhe të konfiskuara me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) është një ndryshim i domosdoshëm ligjor, për vetë faktin se rritja e gjobave për këto prona rrit borxhin administrativ, pa efekte në të ardhurat buxhetore. AAPSK (ligji nr. 10192, datë 3.12.2009), që është institucioni përgjegjës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është prezantuar te qeveria me argumentimin, se shumica e mjeteve të sekuestruara dhe konfiskuara nuk mund të regjistrohen pranë DRSHTRR, duke mos u bërë efektiv përdorimi i tyre, pasi rezultojnë me detyrime të prapambetura, duke krijuar vështirësi për administrimin e tyre.

 

Ndryshimet në ligjin e taksave vendore

 

Neni 3 (shtesë pika 7)

 

Duke filluar nga viti 2005, kur shërbimi i mbledhjes së tatimeve dhe taksave vendore u transferua në administrim të administratës tatimore vendore është parë me shqetësim dhe është përcjellë ky shqetësim edhe nga drejtuesit vendorë, se kapacitetet administrative të administratës vendore të taksave nuk ishin në nivelin e duhur për menaxhimin dhe mbledhjen e kësaj takse. Për këtë arsye, propozohet administrata tatimore qendrore si agjent i mbledhjes së taksave vendore bazuar në vështirësitë që kanë bashkitë dhe komunat në mbledhjen e taksave të tyre. Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore) i është përcaktuar roli si agjent tatimor i administratave tatimore vendore për mbledhjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore, të të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël.

Në nenin 5/ç/ii) të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 është përcaktuar parimi i përgjithshëm për bashkitë dhe komunat që me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohet shprehimisht ndryshe, këshilli i bashkisë ose i komunës përcakton mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjella. Propozimi ka përcaktuar nominalisht vetëm një agjent për mbledhjen e një takse vendore, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (neni 28) si agjent të taksës së kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme si dhe u ka lënë të drejtë bashkive dhe komunave që të përcaktojnë nëse tarifat vendore do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake ose komunale apo nga një agjent. Në rastin e agjentit (për mbledhjen e tarifave vendore), këshilli vendos rregullat bazë kufizuese në raport me agjentin, ndërsa kryetari i bashkisë ose i komunës bën përzgjedhjen e agjentit, si dhe lidh kontratë me të (neni 35). Në këto përcaktime, lidhja e kontratës midis këshillit bashkiak apo komunal dhe agjentit bëhet vetëm për tarifat vendore e jo taksat e tjera vendore.

 

Neni 12 (shtesë paragrafi, pika 1) dhe neni 14 (pika 2, ndryshim fjalësh; shfuqizuar pika 4)

 

Kjo shtesë përcakton procedurën e bashkëpunimit midis administratës tatimore vendore, tatimpaguesve të biznesit të vogël dhe administratës tatimore qendrore për njoftimin e masës së taksës së biznesit të vogël. Me regjistrimin e biznesit në QKR, ajo i përcjell njoftim drejtorisë tatimore/strukturës përgjegjëse për tatimet, të bashkive dhe komunave, ku ka vendndodhjen biznesi për këtë regjistrim.

Brenda datës 15 janar të vitit paraardhës, drejtoria tatimore/struktura përgjegjëse për tatimet, e bashkisë dhe komunës nxjerr Njoftim Vlerësimin për çdo biznes lidhur me taksën vjetore vendore të biznesit të vogël, e ndarë në katër këste vjetore, në bazë të qarkullimit vjetor të deklaruar nga biznesi. Biznesi mund të ankimojë këtë Njoftim Vlerësimi brenda 30 ditëve nga marrja e tij. Në rast se aktiviteti i biznesit hapet gjatë vitit fiskal, subjekti është i përjashtuar nga pagesa e taksës vendore të pushtetit vendor. Listën përmbledhëse të Njoftim Vlerësimeve, njësitë e qeverisjes vendore e dërgojnë pranë drejtorive rajonale përkatëse të tatimeve brenda datës 15 shkurtit.

 

Neni 14/1 (shtesë neni)

 

Detyrat dhe funksionet e administratës tatimore qendrore, në rolin e agjentit tatimor konsistojnë në krijimin e një regjistri të veçantë mbi biznesin e vogël, në bazë të të dhënave që ka nga bashkitë dhe komunat për pajisjen e bizneseve me kasat fiskale prej DRT-ve. Ky regjistër do të përditësohet me hapjen e biznese të reja. DPT është përgjegjëse për mbledhjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore të të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël.

 

Neni 14/2 (shtesë neni)

 

DRT transferon të ardhurat nga taksa vendore e biznesit të vogël në llogari të bashkive ose të komunave ku ka vendndodhjen biznesi i taksueshëm, brenda datës 30 të muajit kur janë arkëtuar taksat. Pagesa e kësaj takse bëhet nga DRT te bankat e nivelit të dytë për llogari të administratës tatimore. Me kryerjen e pagesës dhe marrjen e konfirmimit bankar të kryerjes së pagesës, tatimpaguesi shkon tek zyrat e shërbimit tatimpagues tatimor dhe kundrejt paraqitjes së dokumentit bankar të pagesës merr pullën e Taksës së Biznesit të Vogël të këstit për të cilin ka bërë pagesën. Dizenjo dhe elementët e pullës caktohen me udhëzim të ministrit te Financave. Tatimpaguesi e vendos pullën e taksës lart Certifikatës ë Regjistrimit në QKR për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe shpenzimet përballohen nga DPT. Pulla e taksës duhet të përmbajnë elementë të sigurisë së lartë, për të shmangur falsifikimin e tyre.

DRT bëjnë regjistrimin e arkëtimit tremujor të taksës, që shërben si dokument bazë për rakordimin e pagesës së taksës me zyrat e tatimeve të bashkive dhe komunave. Regjistrimi bëhet në një regjistër të veçantë ose në mënyrë elektronike, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave

DRT, brenda datës 31 janar të çdo viti, dërgojnë në zyrat e taksave të bashkive dhe komunave listën e bizneseve që nuk kanë paguar taksën për vitin paraardhës. Bizneset që janë në të tilla lista do të trajtohen si debitorë dhe nga ana e drejtorive rajonale tatimore do të fillojë të zbatohen masat shtrënguese të përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore. Administrata tatimore merr një komision në masën 3% për shërbimin që kryen si agjent tatimor.

 

Neni 26 (shtesë pika 8)

 

Ky propozim lidhet me përmirësimin e procedurës së administrimit nga pushteti vendor të taksës së fjetjes në hotel. Të gjitha hotelet të afishojnë çmimet e tyre çdo gjashtë muaj. Bashkitë dhe komunat miratojnë çmimet çdo 6-mujor, për efekt të taksës së fjetjes në hotel, bazuar në sondazhet e kryera në treg.

 

Ndryshimet në ligjin e tarifës doganore

 

Produkti kafe e papjekur është produkt akcize me nivelin e taksimit 30 lekë/kg dhe 10% tarifë doganore. Produkti kafe e pjekur e ka nivelin e akcizës 140 lekë/kg. Me miratimin e ligjit të ri të akcizës, sipas të cilit janë përcaktuar që humbjet e përpunimit të kafesë së papjekur janë 19%, është përcaktuar skema e pagimit të akcizës së kafesë së pjekur.

Me rregullat e reja të miradministrimit të akcizës nga administrata doganore duke pasur në përdorim ligjin e ri të akcizës, heqja e tarifës doganore të këtij produkti, synon të ulë koston e përpunuesve të kafesë së papjekur në vend. Buxheti i shtetit do të ketë 154 milionë lekë hyrje më pak nga taksa doganore dhe duke i shtuar edhe efektin prej TVSH-së (31 milionë lekë), llogaritjet buxhetore tregojnë që buxhetit për vitin 2013 do t’i hyjnë 185 milionë lekë më pak.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency