Komisioni hetimor për “Kukësin”, PS do të mbrojë kërkesën në Kuvend

0
147

kukesPavarësisht kundërshtisë së hapur të mazhorancës në konferencën e kryetarëve dy ditë më parë, Partia Socialiste do t’i qëndrojë kërkesës së saj për ngritjen e komisionit hetimor për lëvizjet demografike në Qarkun e Kukësit. Kështu është vendosur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, ku pritet që në votimin e ditës së enjte, ligjvënësit socialistë të mbrojnë kërkesën e tyre me argument që sipas selisë rozë vërtetojnë legjitimitetin e saj. Vetëm pak ditë më parë, PS dorëzoi në kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar veprimtarinë e organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të qarkut Kukës gjatë periudhës qershor – nëntor 2012. Sipas kësaj kërkese, objekti i punës së këtij komisioni do të jetë kontrolli i veprimtarisë së organeve shtetërore të ngarkuara për zbatimin e legjislacionit për gjendjen civile, konkretisht Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe strukturat e deleguara në njësitë vendore përkatëse (Zyrat e Gjendjes Civile). Po ashtu kërkohet të hetohen shkaqet që mund të kenë çuar në shkelje të ligjit, me qellim nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale dhe organizative dhe adresimin e tyre në mënyrë përfundimtare me anë të rekomandimeve përkatëse për Kuvendin e Shqipërisë. Informacioni për lëvizjet demografike në 5 komuna të Kukësit, ka qenë me herët objekt i dy letrave që dy anëtarët e majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kanë drejtuar ministrit Noka, i cili dje nënvizoi lidhur me këtë çështje: “Ne jemi të hapur absolutisht për çdo lloj hetimi që ka bazë ligjore. Ata kanë dëshirën e tyre për të sulmuar dhe për të shfryrë mllef ndaj banorëve të Qarkut të Kukësit, pasi banorët e këtij qarku nuk votojnë PS-në. Kanë gjetur mënyrën e tyre për të sulmuar dhe për të bërë presion, ajo është gjë që jemi tërësisht të hapur, procesi ka qenë tërësisht transparent. Kështu që, nuk ngelet gjë tjetër vetëm të vijnë të kërkojnë, pasi qenin e ngordhur do gjejnë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency