Telefonata Vrasja e gruas në Fier, hetim telefonatës me numër të fshehtë

0
508

Aksinje Kokvelaj, Prokuroria e Fierit përqendron hetimet në dy pista të hakmarrjes dhe pasionit

 Tri ditë pas vrasjes së 49-vjeçares Aksinje Kokvelaj, policia dhe prokuroria e Fierit kanë zbuluar se viktima është telefonuar nga një person dhe pas disa minutash ajo ka dalë jashtë. Viktima ka përdorur si pretekst vajtjen në dyqan dhe ka dalë nga banesa e prindërve që ndodhet në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Numri që ka thirrur, ka qenë i paidentifikuar dhe se për policinë e Fierit, një gjë e tillë ka ngjallur dyshime për një krim pasioni. Burime pranë policisë së Fierit thanë se numri privat e ka telefonuar edhe disa minuta pas vrasjes, por Aksinje Kokvelaj ose Krytha, nuk i është përgjigjur për shkak të plagëve të marra në trup. Nisur nga kjo situatë, tashmë hetimi është përqendruar në dy drejtime kryesore, pasi dyshimet lidhen me një hakmarrje të mundshme ndaj të vëllait Arjan Kokvelaj si dhe ndaj një mundësie për një lidhje sentimentale të viktimës me ndonjë person në qytetin e Fierit. Lidhur me këtë pistë janë marrë në pyetje familjarët e viktimës si dhe disa persona nga rrethi shoqëror i saj, të cilët kanë treguar në polici se me cilët burra shoqërohej me tepër 49-vjeçarja nënë e dy fëmijëve.

Verifikim tabulateve

Specialistët e hetimit kanë kërkuar verifikimin tabulateve telefonike, pas konstatimit të një numri të paidentifikuar që kishte telefonuar viktimës para dhe pas vrasjes. Me një kërkesë, prokuroria i është drejtuar të gjitha kompanive celulare ku ka kërkuar prej tyre vënien në dispozicion të numrave telefonike përgjatë një muaji, me të cilët viktima 49-vjeçarja Aksinja Kokvelaj ka pasur komunikim. Veç kësaj kërkese prokuroria kërkon edhe identifikimin e numrit privat, që ka telefonuar nënën e dy fëmijëve para dhe pas krimit të rëndë. Në kërkesë prokuroria ka qartësuar orën dhe minutat e thirrjes telefonike, ndërkohë që janë dhënë dhe detaje të tjera rreth kësaj çështje. Pritet që në ditët në vijim kompanitë ti venë në dispozicion prokurorisë të gjitha numrat, ndërkohë që gjatë kësaj kohe hetime po kryhen mbi personat që shoqërohej kohët e fundit 49-vjeçarja Aksinja Kokvelaj. Jashtë vëmendjes së policisë së Fierit, nuk është dhe pista e hakmarrjes, ku rreth kësaj është marrë në pyetje vëllai i viktimës, Arjan Kokvelaj, por ky i fundit mësohet se ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë konflikt me persona të ndryshëm në Fier. Pavarësisht kësaj dëshmie, prokuroria dhe policia e Fierit tashmë është duke verifikuar një version të mundshëm se vrasja e 49-vjeçares lidhet me aktivitetin kriminal të të vëllait, pasi është dënuar me 15 vite burg për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

Vrasja e mirorganizuar

Autori i krimit ka pritur viktimën derisa ka përfunduar punën dhe e ka ndjekur atë nga pas. Aksinja Krytha, pasi është gjendur e vetme në rrugicën pa drita, pikërisht në këtë moment është sulmuar barbarisht nga autori që ka qenë shumë afër saj. E gjithë kjo skenë ka qenë e mirorganizuar, sipas policisë, dhe se personi që ka qëlluar nuk ka qenë një grabitës, por një individ që mund të ketë pasur direkt konflikte me viktimën ose me vëllain e saj, shtetasin Arjan Kokvelaj. Dyshimet flasin për një vrasje nga anëtarët e familjes së burrit, pasi pista e parë që u ngrit pas vrasjes, ajo e grabitjes së mundshme tashmë është rrëzuar, pasi sipas hetuesve një grabitës nuk mund ta kishte goditur 15 herë viktimë. Veç kësaj nga çanta e 49-vjeçares nuk ka lëvizur asnjë send, duke shuar dyshimet për një grabitje me pasojë vrasjen e saj. Dyshime të forta bien rreth një hakmarrje të mundshme, si pasojë e aktivitetit kriminal që vëllai i viktimës ka kryer me femra në Itali. Burimet thanë se vrasja e saj mund të jetë një sinjal për Arjan Kokvelaj, megjithëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht me prova konkrete.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency