Qeni antidrogë, zbulon trajlerin me 800 kg hashash

0
171

Një ngarkesë prej rreth 800 kg lëndë narkotike e llojit hashash, është kapur në portin e Durrësit, pas një kontrolli rutinë të bërë nga policia e Shtetit. Kontrolli i një kamioni është kryer nga shërbime të Policisë Kufitare dhe strukturës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Gjatë verifikimeve të ushtruara në trajlerin me targa DR 11 54 F, i cili kryente transportin e paletave me tulla, rezultoi se në çdo njërën prej tyre ishte fshehur nga një kuti me lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Nëpërmjet automjetit në fjalë synohej transportimi dhe trafikimi i një sasie prej 800 kg lëndë narkotike drejt Italisë, me një nga tragetet e linjës Durrës-Ankona. Policia ka ndaluar në flagrancë drejtuesin e mjetit Armir Mehmeti, 40 vjeç, banor i Durrësit. Nga ana e policisë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale lënda narkotike dhe automjeti që kryente transportin e tij, ndërsa aktualisht puna është përqendruar në zbardhjen e origjinës dhe destinacionin e drogës. Sipas burimeve pranë policisë së Durrësit ka qenë një kontroll me qen antidrogë, që ka bërë zbulimin e lëndës narkotike. Droga ishte paketuar dhe fshehur në brendësi të paletave, duke mos i rënë në sy kontrollorëve të doganës. Lidhur me këtë çështje në pyetje është marrë shoferi i arrestuar, por ky i fundit ka treguar se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë kishte brenda atyre paletave me tulla. Aktualisht policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda janë duke kryer një sërë hetime me qëllim identifikimin e plotë të organizatorëve të këtij rrjeti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency