Kolegji Amerikan i jep Kryeministrit një titull nderi e mirënjohjeje

0
141

Kryeministri Berisha priti në një takim dr. Munr Kazmir, përfaqësues dhe anëtar i bordit të Kolegjit Amerikan “Rabbinical College of America”- Chabad. Dr. Munr Kazmir, në emër të bordit drejtues të “Rabbinical College of America”, Chabad, i dorëzoi Kryeministrit Berisha titullin e nderit “Menorah – 5773 Hanukkah 2012” në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis popullit hebre dhe atij shqiptar. Miqësia midis dy popujve është e vjetër dhe është dëshmuar qartë në mbështetjen dhe mbrojtjen bërë hebrenjve gjatë holokaustit nga populli shqiptar. Dr. Kazmir i tha zotit Berisha se është bërë traditë nga ky Kolegj që të nderojë personalitete të njohura të botës, sidomos politikanë dhe njerëz të shquar në fusha të ndryshme, për kontribute të veçanta e të rëndësishme, në këtë kohë të shenjtë të vitit për popullin hebre, në Hanukkah. Kështu janë vlerësuar me tituj e grada nderi presidentët e Amerikës, Gerald Ford, Jimmy Carter dhe zonja Roslyn Carter, Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, si dhe liderë të mëdhenj përfaqësues nga bota e biznesit si David T. Chase (president i Chase Enterprise) etj. Dr. Kazmir theksoi se Kolegji “Rabbinical College of America”, Chabad, duke i akorduar këtë titull nderi e mirënjohjeje të thellë Kryeministrit shqiptar Sali Berisha i shpreh vlerësimin e komunitetit hebre të Amerikës dhe mbarë botës për forcimin e bashkëpunimit midis dy popujve miq hebre dhe shqiptarë në këtë ditë të shënuar të festës më të madhe e të rëndësishme të hebrenjve, në Hanukkah (Festivali i dritave që festohet në dimër dhe koha e ndriçimit të shandanit simbolik hebre me 9 krahë – menorah). Numri një i qeverisë e falënderoi përzemërsisht dr. Kazmir dhe i shprehu mirënjohjen e tij dordit të “Rabbinical College of America”, Chabad, për titullin e dhënë, duke e siguruar për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së tij në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy popujve miq shqiptar dhe hebre. Lidhjet e forta shpirtërore e miqësore të vendosura e shprehura gjatë holokaustit janë zgjeruar e thelluar më tej si në rrafshin politik e shoqëror dhe në atë ekonomik e kulturor. Kryeministri siguroi që bashkëpunimi shumëdimensional do të nxitet dhe zhvillohet më tej edhe në të ardhmen midis dy vendeve dhe popujve miq.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency