Emërimi i ambasadorëve, zbardhen lëvizjet e fundit të diplomatëve në Ministrinë e Jashtme

0
166

Florenc Drizari

Neritan Ceka dhe Dritan Tola emërohen ambasadorë në Itali dhe Francë, pritet zgjedhja e Genc Muçës, Kujtim Morinës dhe Mal Berishës

 

Neritan Ceka dhe Dritan Tola janë dy ambasadorët e rinj që pritet të dekretohen nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Z. Ceka u propozua nga ministri i Jashtëm Edmond Panariti si ambasador i Shqipërisë në Itali, ndërsa z. Tola si ambasador në Francë. Të dy kandidaturat paraqitën platformat e tyre një ditë më parë në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe gjatë diskutimeve para deputetëve, ata morën edhe konsensusin e opozitës.

Ndërkaq, sipas burimeve brenda Ministrisë së Jashtme, në ditët në vijim pritet të emërohen edhe disa ambasadorë të tjerë, duke zëvendësuar postin e atyre që u ka përfunduar mandati i diplomatit. Kështu, në postin e ambasadorit shqiptar në Ankara, Turqi, pritet të emërohet Genc Muça, ndërsa në Kuvajt, Kujtim Morina. Një lëvizje tjetër për diplomacinë shqiptar pritet të bëhet edhe në ambasadën tonë që ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Por sipas burimeve, pritet që në këtë ambasadë te këtë vetëm rikonfirmim të postit, ku ambasadori ekzistues, Mal Berisha, do të ketë një mandat të dytë. Emrat e kandidatëve pritet të diskutohen sërish të mërkurën dhe të enjten në Komisionin e Jashtëm, ndërsa emërimet zyrtare të tyre do të bëhen me dekret të Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

NERITAN CEKA
Kandidatura e Neritan Cekës për ambasador në Romë mësohet se u propozua nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, ndërkohë që gjatë diskutimeve një ditë më parë në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, kandidatura e tij kaloi edhe me konsensusin e deputetëve të opozitës. Edhe pse akuzuan krerët e Ministrisë së Jashtme, deputetët e PS-së mbështetën propozimin për emërimin e z. Ceka si ambasador të Shqipërisë në Itali. Deputetët e Partisë Socialiste si Arta Dade, Namik Dokle, Skënder Minxhozi vlerësuan kontributin e Cekës në politikë gjatë 15 viteve jetë aktive në politikën shqiptare si dhe kontributin e tij në kulturë sidomos në fushën e arkeologjisë. Përfaqësuesit e majtë në komisionin e Jashtëm deklaruan votën por Neritan Cekës, por në tërësi ata kundërshtuan procesin e prezantimit dhe të përfaqësimit nga Ministria e Jashtme, duke kërkuar që për një figurë të tillë të ishte prezent vetë ministri Panariti. Gjithashtu, vlerësime për kandidaturën e Cekës si ambasador i Shqipërisë në Romë, shprehën edhe deputeti Kastriot Islami dhe Gazmend Oketa. “Kam vlerësimin maksimal për Neritan Cekën, ai i ka të gjitha dimensionet për ta kryer këtë funksion. Do ta mbështesja kandidaturën e tij në këtë mision”, – tha deputeti Islami.

DRITAN TOLA

Gjatë prezantimit të kandidaturës së Dritan Tolës Ministria e Jashtme vlerësoi kualifikimin e lartë të tij në fushën e diplomacisë dhe eksperiencën 20-vjeçare në këtë fushë. Z. Tola zotëron gjashtë gjuhë të huaja dhe për një kohë të gjatë ka punuar si këshilltar politik pranë ambasadorit shqiptar në Bruksel. Me emërimin si ambasador në Paris, Dritan Tola zëvendëson ish-ambasadorin Ylljet Aliçkaj. Dritan Kola u propozua nga Ministria e Jashtme si ambasador në Republikën e Francës si dhe ambasador në Principatën e Monakos si jorezident. Kandidatura e tij në Komisionin për Politikën e Jashtme mori vlerësime nga deputetët e komisionit.

 

Neritan Ceka shpall prioritetet si ambasador në Romë

Ministria e Jashtme propozoi një ditë më parë kandidaturën e z. Neritan Cekës si ambasador në Itali, rezident, si dhe në Republikën e Maltës dhe San Marinos si jo rezident. Kandidatura e tij në komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme mori edhe vlerësimin e deputetëve të opozitës. Gjatë fjalës së tij, Ceka evidentoi prioritete në marrjen e këtij posti, bashkëpunimin e ngushtë parlamentar mes dy vendeve, atë ekonomik e kulturor si dhe mbështetjen për emigrantët dhe studentët që ndodhen në Itali. “Objektivi im do të jetë vazhdimi i punës për zhvillimin e dialogut politik qoftë në fushën e ekzekutivit dhe të mundësive për vizita të nivelit të lartë, si të presidentit që nuk është zhvilluar akoma dhe në diplomacinë parlamentar që kam përvojën time personale. Aspekti ekonomik do të zërë një vend të veçantë. Mbështetje për projektin TAB aq sa i përket ambasadës. Gjithashtu edhe për infrastrukturën dhe hapjen e marrëveshjeve të tjera në fushën kulturore, arsimit. Në vëmendje do të jetë emigracioni jonë që ka nevojë për mbështetje dhe hapje të një qendre kulturore në Romë. Arbëreshët që gjatë festimeve të 100 vjetorit, me ringjalljen e ndjenjës kombëtare, do të jetë prioritet në punën time”, – tha Neritan Ceka.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency